A lejohet urimi i festave të jo-muslimanëve?

23 December 2011 , Posted by artparadox at 2:00 PM


Nga: Dr. Sheref El-Kuda

Këto dite është aktualizuar pyetja në lidhje me vendimin për përshëndetjen e krishterëve për festat e tyre, dhe si përgjigje për këtë themi se:
Në esencë kjo gjë është e lejuar dhe se nuk ka ardhur diç që e ndalon këtë gjë.
E tërë ajo që e kemi dëgjuar apo edhe lexuar rreth ndalimit të urimeve dhe përshëndetjeve qëndron në të arsyetuarit se këtu kemi të bëjmë me pëlqimin dhe njohjen e fesë së tyre, për të cilën besojmë se është e devijuar.
Por, e vërteta është se në rast se i urojmë apo i përshëndesim me rastin e festave të tyre, nuk kemi aspak të bëjmë me atë se ne po ua pëlqejmë apo po ua miratojmë fenë e tyre në përgjithësi dhe festat e tyre në veçanti, e kjo për arsyet që vijojnë:
1. Sepse ne nuk e llogarisim përshëndetjen dhe urimin e tyre si njohje apo miratim nga ana e tyre se Islami është fe e drejtë, e edhe muslimani nuk e ka për qellim me përshëndetje preferencën ndaj fesë së tyre, e as ata nuk e kuptojnë në këtë mënyrë.
2. Allahu xh.sh. na ka urdhëruar t'i trajtojmë ata me mirësi, ku Allahu xh.sh. për këtë thotë: "Allahu xh.sh. nuk ju ndalon që ata të cilët nuk ju kanë luftuar në fe e as nuk ju kanë dëbuar nga shtëpitë tuaja që të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj tyre. Me të vërtet Allahu xh.sh. i donë të drejtit", e "mirësia" është, në përgjithësi, çdo vepër e mirë. Allahu xh.sh. na ka urdhëruar që në çdo aspekt të kemi mirësjellje ndaj tyre, pra mirësjellja ndaj tyre jo vetëm që është e lejuar por ajo është edhe e preferuar. E si pra do të mund të ishte e ndaluar përshëndetja dhe urimet si për shembull "Urime festa" e shprehje të tjera të kësaj natyre. S’ka dyshim se ne duhet të ua dëshirojmë atyre të mirat sepse kështu edhe na ka urdhëruar Allahu xh.sh.
3. Allahu xh.sh. na e ka lejuar të bërit marrëveshje, kompromise dhe të hyrit në aleancë me ta, siç kishte vepruar Pejgamberi s.a.v.s. kur erdhi në Medine.
4. Allahu xh.sh. e ka lejuar për ne që t’i vizitojmë ata në shtëpitë e tyre si dhe t’i mirëpresim ata për vizita në shtëpitë tona. Po ashtu e ka lejuar edhe ushqimin e tyre, madje na e ka lejuar edhe martesën me femrat e tyre duke e ditur se Allahu xh.sh. ka kërkuar që në martesë në mes të bashkëshorteve të mbizotërojë dashuria, mirësia, dhe mëshira.
Për këtë nuk mund të themi se në tërë këtë ka një lloj pëlqimi, njohje, apo pranimi se feja e tyre është e drejtë, e si pra do të mund të ishin të lejuara të gjitha këto e të ndalohen përgëzimet dhe urimet për festat e tyre?!

Burimi: www.albosala.com
Shqipëroj: Artan Musliu

Latest News