Myslimanët Amerikanë i Përgjigjen Rrjetit të Islamofobisë me Organizim në Bazë

10 December 2011 , Posted by artparadox at 1:57 PM


Daniel Tutt.*
Rrjeti i vogël por me influencë i analistëve dhe blogerëve anti-myslimanë të cilët kanë luajtur rol kyç në krijimin e miteve te përhapura gjerësisht si “Presidenti Obama është mysliman”, ose “myslimanët praktikantë nuk mund të jenë Amerikanë besnikë” dhe “sheriati është një rrezik ndaj Amerikës” kanë filluar ta përhapin mesazhin e tyre duke udhëtuar gjerë e gjatë. Duke folur në darka gala të mbushura plot, darka donatorësh, konferenca konservative, madje duke trajnuar edhe FBI-në dhe organet lokale të rendit, ky rrjet i vogël por i ndërlidhur folësish, analistësh, e blogerësh ka arritur të tërheqë zyrtarë të zgjedhur, përfshi edhe senatorë e kongresmenë, në aktivitetet e tyre.
Duke marrë shkas nga raporti i fundit i Qendrës për Progresin Amerikan, “Fabrika e Frikës: Rrënjët e Rrjetit të Islamofobisë në Amerikë,” i cili e ekspozoi industrinë 42.6 miljon dollarëshe që e furnizon infrastrukturën e Islamofobisë në Amerikë, myslimanët Amerikanë kanë filluar ta sfidojnë këtë lëvizje të shtrirë në bazë duke ndërmarrë kundër-lëvizjen e tyre në bazë. Duke protestuar në konferencat e tyre, shkruar peticione ndaj hoteleve që i mirëpresin ata, formuar koalicione me organizata myslimane e jo-myslimane, dhe një sërë strategjishë të tjera, organizatat dhe aktivistët myslimanë Amerikanë po fillojnë të ndeshen ballë për ballë me industrinë e vogël të folësve Islamofobë. Ky lloj agjitacioni po fillon të vihet re nga rrjeti. Ashtu si një nga arkitektët kryesorë të rrjetit të Islamofobisë, Robert Spencer ka vënë re, shumë myslimanë Amerikanë kanë filluar të sfidojnë pikëpamjet e tyre ballë për ballë, duke arritur si rezultat tërheqjen e hoteleve nga kontratat për aktivitete me fjalime nga Spencer, Pamela Geller,  dhe Frank Gaffney.
Ky trend kombëtar po vihet në pah në Anapolis, Merilend, këtë fundjavë. Më 29 Tetor, Rrjeti i Aksionit Konservativ Merilend do të mikëpresë konferencën Turning the Tides, dhe ata po përballen me protesta për shkak të përfshirjes së Frank Gaffney-it dhe disa liderëve të tjerë Islamofobë. Ish Delegati i Merlilend Saqib Ali, sëbashku me Khuram Zaman, një aktivist i mediave sociale, po organizojnë një koalicion për të ngritur vëmendjen rreth këtij aktiviteti mes banorëve të Merilend. Zaman dhe Ali kanë hyrë në partneritet me Equality Maryland, CASA de Maryland, Islamic Society of Annapolis, Muslim Public Affairs Council, dhe Council on American-Islamic Relations (CAIR) për ta denoncuar konferencën Turning the Tides.
Koalicioni ka lëshuar këtë deklaratë: “Ne pa asnjë dyshim e mbështesim të drejtën e lirisë së fjalës të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Amerikës. Sidoqoftë, ne nuk mund të heshtim kur njerëz me paragjykime e urrejtje vijnë ne komunitetet tona për të përhapur gënjeshtrat dhe intolerancën e tyre.” Ata u bënë thirrje këtyre zyrtarëvë të zgjedhur që ti ri-konsideronin planet e tyre për të folur në këtë konferencë: Senator Kristofer Shank, Delegatët Keti Afzali, Patrik McDonough, dhe Neil Parrot.
Paneli hapës i konferencës titullohet “Ligji i Sheriatit në Amerikë”. Mes panelistëve është Frank Gaffney, një nga Islamofobët dhe konspiracionistët më në zë të Amerikës, i cili u citua gjerësisht prej terroristit Norvegjez Anders Breivik në manifeston e tij të dhunshme të lëshuar para masakrës së tmerrshme që ai kreu ndaj 69 burrave, grave, e fëmijëve të pafajshëm. Gaffney thotë që Presidenti Obama “ka mundësi që akoma është Mysliman”. Gaffney gjithashtu këmbëngul se logoja e re e Agjensisë së Mbrojtjes Rraketore “duket se në një mënyrë ogurzezë reflekton morfozën e hënës së re Islamike me yll bashkë me logon e fushatës së Obamës.”
Robert Stacy McCain, një bloger i ekstremit të djathtë i cili u është referuar homoseksualëve si “faggots” (term ofendues në anglisht sh.p.) dhe meksikanëve si “Beaners” (term tjetër ofendues e rracist sh.p.) në shumë raste, gjithashtu do flasë në konferencë. Fred Gandi dhe gruaja e tij, Katerinë Man-Gandi,  të cilët janë ish drejtues të një emisioni radiofonik dhe të cilët promovojnë idenë se amerikanët myslimanë po përpiqen të rrëzojnë Kushtetutën duke implementuar “Sheriatin e Fshehtë”, gjithashtu do jenë në panel. Ligjërues të tjerë përfshijnë Kristofer Monkton, një aristokrat Britanik i cili pretendon se Presidenti Obama mbështet “një qeveri botërore komuniste” dhe se duke firmosur traktatin e klimës së Kiotos, Presidenti Obama “do firmoste dorëzimin e lirive dhe demokracisë sonë përgjithmonë.” Monkton ka një histori gënjeshtrash fantastike si pretendimi fallso se ai ka qenë anëtar i Parlamentit Britanik apo se ka fituar një çmim Nobel.
Partia e Çajit e Merilend e akuzon Sakib Ali dhe koalicionin se ata po mundohen të heshtin zërat që shqetësohen rreth përhapjes së sheriatit, dhe Merilend Conservative Action Network Inc., iu përgjigj koalicionit duke thënë: “ne besojmë së ja vlen të diskutohen dhe eksplorohen parimet e Ligjit të Sheriatit. Panelistët që ne kemi ftuar kanë shpenzuar një kohë të konsiderueshme duke e studjuar temën dhe kanë shumë informacion për të ofruar. Qëllimi ynë është të informojmë publikun rreth opinioneve të panelit dhe t’ua lëmë në dorë pjesëmarrësve të nxjerrin konkluzionet e veta e të bëjnë kërkime të mëtejshme.”
Ali dhe Zaman thonë se përpjektjet e tyre kërkojnë të “edukojnë publikun rreth asaj që po ndodh mu këtu në Anapolis. Ne duam ti stigmatizojmë këto lloj paragjykimesh njësoj siç janë stigmatizuar paragjykimet ndaj të zinjve dhe anti-semitizmi. Ku Kluks Klani është një organizatë e cila nuk është më e mirëpritur në shoqërinë e edukuar. Këta ekstremistë janë njësoj dhe duhen trajtuar në të njëjtën mënyrë.”
Ali dhe Zaman kanë shkruar një deklaratë zyrtare të shqetësimit të tyre rreth Konferencës së MDCAN në Anapolis dhe i inkurajojnë banorët e Merilend dhe qytetarët e tjerë të shqetësuar që ta përhapin lajmin rreth konferencës në Facebook.
*Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Fondacioni Unity Productions
marre nga:www.e-zani.com

Latest News