Demokracia në krizë

11 December 2011 , Posted by artparadox at 11:03 AM


Fuqia e vërtetë nuk qëndron në Shtëpinë e Bardhë por përgjatë asaj rruge, aty ku gjenden aktorët ekonomik dominues, agjentët dhe institucionet të cilat nuk janë të detyruara t’i respektojnë rregullat demokratike.

Debate intensive teorike janë zhvilluar kohëve të fundit për virtytet e demokracisë, përderisa po mundohemi t’i analizojmë zhvillimet e fundit në disa vende arabe. Demokracia, shumica pohojnë, duhet të jetë qëllimi përfundimtar: është sistemi më i mirë politik, sistem në të cilin respektohet vullneti politik i qytetarëve dhe mbrohen të drejtat dhe liritë e tyre. Një sistem i tillë do të ishte arritja më e madhe e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme; së fundi arabët do të përjetonin pluralizëm, hapje dhe – pse jo - modernizëm.
Në të njëjtën kohë, në perëndim, sistemi demokratik po kalon në një nga krizat më të thella të historisë së tij. Larg nga idealizmi dhe përshkrimet teorike të sistemit demokratik, qytetarët e vendeve perëndimore e kanë përshtypjen se janë lënë anash, që opinioni i tyre nuk vlen asgjë. Për deri sa Ben Ali, Mubaraku dhe Gadafi u rrëzuan për shkak se popujt e tyre po thërrasin për liri, tetë liderë evropianë (Lista nuk është ende përfundimtare), të cilët duhet të kishin dhënë dorëheqje për shkak të përgjegjësisë së tyre për krizën ekonomike, janë duke ia imponuar sundimin e tyre organeve politike. Sistemi politik i njohur si demokraci, po vërtetohet se nuk është transparent dhe i lirë atëherë kur që të dy, shteti dhe qytetarët janë futur thellë në borxh. Kush po i merr vendimet sot? Kush e ka fuqinë?
Kur kryeministri i Greqisë George Papandreou, filloi të bëjë politikë me thirrjen e tij për referendum. Ai u kritikua dhe u detyrua të jap dorëheqje: nuk është koha tash që të konsultohesh me popullin tënd, iu tha atij, pasi që liria e vetëvendosjes mund të na çoj në shkatërrim kolektiv... Fuqitë dominuese ekonomike dhe institucionet, dhe gjithashtu edhe “Rating Agencies” (agjencitë vlerësuese), ua kanë imponuar politikanëve logjikën e tyre: Tash nuk është momenti i duhur të konsultoheni me popullin. Mediet i ndjekin pas pa kundërshtuar; për ato është tërësisht natyrale dhe e qëndrueshme që presidentët dhe ministrat të detyrohen të japin dorëheqje pa e thënë populli fjalën e vet. Të lë përshtypjen, që në kohën e krizave, rregullat e procedurave demokratike nuk duhet të përfillen: qytetarët nuk janë tjetër veçse spektatorë.
Nga vendet me shumicë myslimane po kërkohet që ta rivlerësojnë relacionin në mes shtetit dhe autoriteteve fetare. Islami nuk duhet t’ia imponojë të vërtetën dhe besimin e vet një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ky i fundit duhet të jetë i lirë dhe duhet ta shprehë dëshirën e shumicës. Regjimet teokratike janë të rrezikshme, pasi që ato nuk e mbrojnë barazinë e qytetarëve para ligjit dhe të drejtën e vetëvendosjes për ardhmërinë e tyre. Çështje në të vërtetë kritike!
Vendet me shumicë myslimane me ç’do kusht duhet ta lirojnë veten e tyre nga diktatura sekulare ose religjioze. Thirrja për demokratizim është legjitime dhe duket se është e vetmja mënyrë për të ecur përpara: kjo është esenca e zgjimit arab, shpresa e tyre po aq sa qëllimi i tyre.
Kurse ne duhet të bëjmë pyetje të mprehta në lidhje me modelin dhe përfundimin. A duhet që vendet arabe t’i përcjellin hapat e perëndimit? A ia vlen që të imitohet modeli perëndimor. Ku janë liria dhe transparenca për të cilat po flasin demokratët? Nga ç’do anë që kthehemi, dëgjojmë të ngrihen zëra: Njerëzit po e vërejnë qartë që në masë të madhe po i humbin të drejtat e tyre, po përjetojnë më pak liri, po margjinalizohen gjithnjë e më shumë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kriza më e fundit dhe gjithnjë e më shumë e thelluar po e vë në pah paaftësinë e qytetarëve. Miliona janë të papunë dhe thellë të zhytur në borxh; ata nuk kanë sigurim shëndetësor t’i mbulojnë nevojat e tyre, nuk kanë shërbime sociale t’i mbrojnë familjet e tyre. Nga ata po kërkohet që të votojnë për kandidatë që shpenzojnë miliarda dollarë gjatë kampanjave elektorale, dhe pastaj përfundojnë të harruar. Disa qytetarë tentuan që t’u dëgjohet zëri në Wall Street: Fuqia e vërtetë nuk qëndron në Shtëpinë e Bardhë por përgjatë asaj rruge, aty ku gjenden aktorët ekonomik dominues, agjentët dhe institucionet të cilat nuk janë të detyruara t’i respektojnë rregullat demokratike. E tyre është fuqia mbi ekonominë, mbi financat e larta, mbi paratë dhe mediet: këtu demokracia nuk ka vend. Numri i protestuesve arriti në disa mijëra qytetarë nevojtarë që e shprehën vetëm një ankesë: Ç’farë rruge po ndjekin demokracitë perëndimore?
Gjithashtu edhe në Evropë ndjenja është e njëjtë. Në Evropë nuk kemi kontroll religjioz mbi shtetin, mirëpo korporatat transnacionale, institutet ekonomike, bankat, mediet dhe lobet e organizuara mirë po e minojnë esencën thelbësore të sistemit demokratik (i cili duhet të bazohet në transparencë dhe në mendimin e shumicës). Ne flasim për ndarjen e autoriteteve fetare nga autoritetet shtetërore – por kush do ta mbrojë shtetin nga fuqitë ekonomike, financiare dhe mediale që po i imponojnë vendimet dhe politikat e tyre antidemokratike.
Është bukur dhe mirë ta lëvdojmë një model të idealizuar demokratik, por e vërteta është se demokracitë perëndimore po përjetojnë erozion: popujt po i humbin të drejtat dhe privilegjet e tyre. Është koha për qytetarët që të ngritën dhe të kërkojnë transparencë, respekt dhe qëndrueshmëri. Botës arabe i duhet kreativitet politik; kurse në anën tjetër perëndimi i zhytur në krizë nuk mund të jetë shembull. Është koha për të gjetur mënyra të tjera, horizonte të reja. Jeta në botën e globalizuar po i pengon zhvillimet nacionale demokratike. Tunisi, Egjipti, Libia ose edhe Shtetet e Bashkuara, Greqia, Italia, Franca apo Gjermania nuk mund ta arrijnë “demokracinë” secila në vete.
Ndërsa nacionalizmi do të ishte një kurth tjetër, pasi që forcat jo-demokratike po përgjojnë fshehtas nga prapa në vendet ku qytetarët kanë humbur të drejtat dhe statusin e tyre. Demokratët dhe qytetarët e lirë duhet të mësojnë të shikojnë përtej kufijve: çështje e vështirë që kërkon lëvizje qytetare tej-nacionale. Nuk ka zgjedhje tjetër. Së bashku me lirinë vijnë edhe disa obligime: një paradoks, por një e vërtetë historike.    

Tarik Ramadan
www.tariqramadan.com 

Latest News