A lejohet urimi i festave të jo-muslimanëve?

Posted by artparadox on 23 December 2011 , under |




Nga: Dr. Sheref El-Kuda

Këto dite është aktualizuar pyetja në lidhje me vendimin për përshëndetjen e krishterëve për festat e tyre, dhe si përgjigje për këtë themi se:
Në esencë kjo gjë është e lejuar dhe se nuk ka ardhur diç që e ndalon këtë gjë.
E tërë ajo që e kemi dëgjuar apo edhe lexuar rreth ndalimit të urimeve dhe përshëndetjeve qëndron në të arsyetuarit se këtu kemi të bëjmë me pëlqimin dhe njohjen e fesë së tyre, për të cilën besojmë se është e devijuar.
Por, e vërteta është se në rast se i urojmë apo i përshëndesim me rastin e festave të tyre, nuk kemi aspak të bëjmë me atë se ne po ua pëlqejmë apo po ua miratojmë fenë e tyre në përgjithësi dhe festat e tyre në veçanti, e kjo për arsyet që vijojnë:
1. Sepse ne nuk e llogarisim përshëndetjen dhe urimin e tyre si njohje apo miratim nga ana e tyre se Islami është fe e drejtë, e edhe muslimani nuk e ka për qellim me përshëndetje preferencën ndaj fesë së tyre, e as ata nuk e kuptojnë në këtë mënyrë.
2. Allahu xh.sh. na ka urdhëruar t'i trajtojmë ata me mirësi, ku Allahu xh.sh. për këtë thotë: "Allahu xh.sh. nuk ju ndalon që ata të cilët nuk ju kanë luftuar në fe e as nuk ju kanë dëbuar nga shtëpitë tuaja që të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj tyre. Me të vërtet Allahu xh.sh. i donë të drejtit", e "mirësia" është, në përgjithësi, çdo vepër e mirë. Allahu xh.sh. na ka urdhëruar që në çdo aspekt të kemi mirësjellje ndaj tyre, pra mirësjellja ndaj tyre jo vetëm që është e lejuar por ajo është edhe e preferuar. E si pra do të mund të ishte e ndaluar përshëndetja dhe urimet si për shembull "Urime festa" e shprehje të tjera të kësaj natyre. S’ka dyshim se ne duhet të ua dëshirojmë atyre të mirat sepse kështu edhe na ka urdhëruar Allahu xh.sh.
3. Allahu xh.sh. na e ka lejuar të bërit marrëveshje, kompromise dhe të hyrit në aleancë me ta, siç kishte vepruar Pejgamberi s.a.v.s. kur erdhi në Medine.
4. Allahu xh.sh. e ka lejuar për ne që t’i vizitojmë ata në shtëpitë e tyre si dhe t’i mirëpresim ata për vizita në shtëpitë tona. Po ashtu e ka lejuar edhe ushqimin e tyre, madje na e ka lejuar edhe martesën me femrat e tyre duke e ditur se Allahu xh.sh. ka kërkuar që në martesë në mes të bashkëshorteve të mbizotërojë dashuria, mirësia, dhe mëshira.
Për këtë nuk mund të themi se në tërë këtë ka një lloj pëlqimi, njohje, apo pranimi se feja e tyre është e drejtë, e si pra do të mund të ishin të lejuara të gjitha këto e të ndalohen përgëzimet dhe urimet për festat e tyre?!

Burimi: www.albosala.com
Shqipëroj: Artan Musliu

Kur flasin liderët

Posted by artparadox on 22 December 2011 , under |




“Ata të cilët na patën akuzuar si “Buri i sëmurë i Bosforit” sot janë vet të sëmurë. U urojmë shërim të shpejtë” kjo ishte një nga frazat e fjalës së presidentit turk, Abdulla Gyl, gjatë vizitës së tij në Angli.
Thua ta ketë thënë thjesht për sarkazëm këtë fjalë, apo thjesht për të shprehur një kënaqësi që buron nga pozita në ngritje e Turqisë në kundërshtim me pozitën e tronditur të Evropës. Apo është ndonjë ndjenjë tjetër me sfond historik. Apo ekziston ndonjë arsye tjetër shumë më e rëndësishme dhe shumë më strategjike se sa kaq?!
Liderët në përgjithësi dhe ata të llojit të presidentit Gyl në veçanti s’para bëjnë, të paktën parimisht, në situata të tilla, kësisoj deklaratash duke u nisur nga motive kaq të rëndomta.
Historia e liderëve me peshë nxjerr në pah se karakteri strategjik është piedestali i fjalëve dhe veprimeve. Pra, shprehur rëndom, mënyra se si luajnë dhe si rrotullohen gjërat është pjesë themeltare e dijes së tyre dhe motivit të qëndrimeve të tyre.
“Bota me rrota”
Ibnu Halduni dhe më pas Arnold Toenby, sipas studiuesve të tyre, konsiderohen teoricienët sintetizues të teorisë së “Botës me rrota”. Ata pohojnë se civilizimet lindin, ngrihen, konsolidohen, fillojnë rënien dhe në fund ndodh rrënimi që realizohet përmes zbërthimit apo çmontimit të komponentëve civilizues nga njëri-tjetri.
Traktati i Henry Kampbell
“Në fund të shekullit të 19-të dhe fillimin e të 20-it, pikërisht në vitin 1907 Henry Kampbell ishte kryeministri i Britanisë i cili ishte i apasionuar pas shkencës së filozofisë së historisë. Në atë kohë ndryshe Britania quhej: “Perandoria që s’i perëndon dielli”. I inspiruar nga filozofia e  historisë dhe i ndikuar nga teoria e ngritjes dhe rrënimit të civilizimeve të Toenbyt, Kampbelli del në konkluzionin se patjetër do të vijë një ditë kur dielli i perandorisë britanike do të perëndojë. Duke u nisur nga fakti se Britania është një nga faktorët e civilizimit perëndimor kristian, detyrohet të mendojë se ç’mund të bëjë për zgjatjen e jetës së civilizimit perëndimor  dhe vazhdimësinë e sundimit të botës, si rrjedhojë vazhdimin e rolit britanik, me një formë a me një tjetër, në sundimin e botës.
Ajo çka synonte ishte përgatitja e një strategjie evropiane që garantonte predominancën e vazhdueshme të civilizimit evropian dhe jetëgjatësinë e tij. Sakaq Kampbell ua dërgon shqetësimin e tij universiteteve më të shquara të Britanisë dhe Francës. Përgjigja që kthyen këto universitete, pasi e studiuan e i kushtuan vëmendjen e duhur shqetësimit të Kampbellit u quajt “Traktati i Kampbellit” i cili ekziston edhe në ditët e sotme në arkivin e Anglisë. Ky traktat u shfaq për publikun vetëm për dy javë, pas përfundimit të afatit ligjor të kufizimit të tij, e më pas u tërhoq.
Sipas këtij traktati Britania duhet ta shikojë botën përmes tre sipërfaqeve:
Sipërfaqja e parë: përbëhet nga shtetet e sistemit të vlerave perëndimore kristiane. Sipas traktatit, Britania detyrohet të punojë bashkë me shtetet e tjera për të mos lejuar që sundimi i botës të dalë jashtë kësaj sipërfaqeje. Pra, sipas traktatit, sistemi i kësaj sipërfaqe duhet të ketë në dorë përherë frerët e botës.
Duke qenë të bindur sipas filozofisë historike, se çdo civilizim e ka një fund, elementët përbërës të kësaj sipërfaqeje duhet të punojnë që trashëguesi i këtij civilizimi të jetë nga e njëjta sipërfaqe.
Sipërfaqja e dytë: është ajo e civilizimit të verdhë e cila nuk bie në kundërshtim dhe nuk e konkurron civilizimin e sipërfaqes së parë në aspektin e vlerave por mund të rivalizohet me të në aspektin e interesave pragmatike materiale.
Me civilizimin e kësaj sipërfaqeje mund të bashkëpunohet në aspektin e shkëmbimit të interesave materiale e tregtare. Po ashtu njëkohësisht të sulmohet e të ndikohet në aspektin kulturor, këtë gjë e mundëson dobësia e sistemit të vlerave të kësaj sipërfaqeje. Si rrjedhojë bashkëpunimi me të, ngrihet mbi bazën e interesave të sipërfaqes së parë.
Sipërfaqja e tretë: është jeshilja apo e civilizimit i gjelbwr. Traktati pohon se kjo sipërfaqe përmban një sistem vlerash konkurruese me atë të sipërfaqes së parë. Ky civilizim e ka rivalizuar në shumë rajone dhe e ka nxjerrë nga shumë vende. Sakaq i duhet sipërfaqes së parë të ndërmarrë të gjitha hapat dhe procedurat për të penguar çdo lloj përparimi të mundshëm jo vetëm të këtij sistemi vlerash por edhe të ndonjërit prej elementëve të tij përbërës, sepse ky sistem është një konkurrues i vërtetë i sipërfaqes së parë.
Termi “Value System” përsëritet vazhdimisht në trashëgiminë bashkëkohore evropiane. Siç përmendet vazhdimisht përgjatë historisë së presidentëve amerikanë.
Traktati propozon se ndaj sipërfaqes së tretë të ndërmerren tre procedura kryesore:
E para: Privimi i shteteve të sipërfaqes së tretë nga dija dhe teknologjia, apo thënë ndryshe, ngushtimi i kufijve të njohjes.
E dyta: Fabrikimi apo konsolidimi i problemeve që kanë të bëjnë me kufijtë e këtyre shteteve.
E treta: Krijimi i pakicave apo mbështetja e atyre që ekzistojnë, që të mos harmonizohet rrjeti shoqëror i këtyre shteteve dhe të mbetet peng i ndërhyrjeve të jashtme.” (Roli i të menduarit strategjik në kuptimin e historisë, “Filozofia e historisë”. Xhasim Sultan, fq 76 – 79)
Malik Ibën Nebij, një nga studiuesit dhe njohësit e filozofisë së historisë, pohon se: “Një nga ligjet shoqërore që të tërheq fuqishëm vëmendjen konsiston në faktin se historia ecën sipas një cikli dhe hierarkie. Kjo histori herë u regjistron popujve arritje dhe bëma madhore e herë i mbulon me kuvertën e saj për t’i lëshuar në një gjumë të thellë. Duke u nisur nga ky ligj social na del domosdoshmërish për detyrë, gjatë zgjidhjes së problemeve tona, të shikojmë mirë pozitën dhe vendin tonë në ciklin e historisë, të perceptojmë mirë konditat tona si dhe faktorët e rrënimit që na rrethojnë po ashtu edhe shkaqet e përparimit që kemi në dorë.” (Libri: Orientimi i botës islame, Malik Ibn Nebij)
Probleme civilizimi
Presidenti francez, Sarkozy, pohon, në kongresin e 20-të të Partive Popullore Evropiane, se Evropa po përballet me një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme. Asnjëherë rreziku i shpërbërjes nuk ka qenë kaq i madh. Ekonomitë e eurozonës kanë ende disa javë kohë për të vendosur, por se koha po punon kundër tyre”
Ndërsa Kancelarja gjermane, Merkel, ka deklaruar se do të duhen vite për të kapërcyer krizën. Të 27-të vendet anëtare të BE-së kanë detyrim ndaj Evropës dhe ky detyrim është që të punojmë së bashku për të kapërcyer krizën” (Ballkanweb)
Një mosmarrëveshje e qartë, e shprehur me tone të ashpra dhe zëra të ngritur, u duk mes presidentit francez dhe kryeministrit anglez në lidhje me reformat që duhet të bëjë Evropa për të kaluar krizën. Madje Sarkozy deklaroi haptazi se faji i mosmarrëveshjes është i kryeministrit anglez.
Një nga gjërat më të rëndësishme që vërehet tek përpjekjet evropiane për kurimin e krizës aktuale është këmbëngulja e vazhdueshme e liderëve, të mëdhenj e të vegjël, evropian për ta mbajtur shqetësimin e zgjidhjes vazhdimisht në nivel unioni dhe jo të shteteve në veçanti gjë që vërehet qartë edhe nga qëndrimi ndaj krizës greke.
 Ky mund të ketë qenë shkaku i zemërimit të Sarkozys, Merkelit dhe shumë liderëve të tjerë evropian ndaj Kameronit i cili vazhdon ta trajtojë problemin si të Evropës e jo të Anglisë. Domethënë, siç nuhatet, liderët evropian e shohin krizën si kanosje ndaj një civilizimi dhe jo thjesht ndaj një ekonomie të një shteti.
Gjatë kohës që liderët evropian e perëndimor pranojnë praktikisht e deklarativisht problemin e krizës së civilizimit të tyre, që mendohet të jetë shumëdimensional pavarësisht se shprehet vetëm rreth atij ekonomik, në të njëjtën kohë deklarojnë dhe pranojnë se nuk kanë asnjë lloj rezerve ndaj ardhjes në pushtet të islamikëve në lindjen e mesme, gjë e cila nuk ka ndodhur para revolucioneve të pranverës arabe.
Këtu natyrshëm lind pyetja: këto pohime, deklarata dhe qëndrime konkrete të liderëve evropian dhe perëndimor vijnë si pasojë e ndryshimeve në Evropë dhe Perëndim apo si pasojë e ndryshimeve në lindjen e mesme, apo i të dyjave bashkë?!
“Bota me rrota” por asnjë herë pa lider
Bota, duke qenë shumë e vjetër, si e tillë e bën shumë të lehtë sjelljen e argumenteve nga historia e saj se gjithmonë dhe pandërprere ka pasur një civilizim lider që ka luajtur, ndër të tjera edhe rolin e drejtimit të popujve dhe civilizimeve të tjera. Pa dashur të shkojmë shumë larg mjafton të përmendim civilizimin faraonik, grek, romak, pers, bizantin, islam dhe perëndimori aktual.
Drejtësia, si parim hyjnor, natyror, shoqëror dhe logjik e mbështetur njëkohësisht edhe nga përvoja e pasur e historisë na bën me dije se pozita e civilizimit lider nuk është veti e një race, kulture apo sipërfaqe të caktuar por këtë të drejtë e kanë të gjitha racat, kulturat dhe sipërfaqet kulturore. Pra, këtë përgjegjësi dhe nder kanë të drejtë, duhet dhe mund ta përjetojnë të gjithë popujt, racat dhe sipërfaqet kulturore.
Misioni i mëkëmbjes së njeriut në tokë është një nga burimet bazë të këtij pohimi. Ky mision ndryshe mund të quhet edhe si sprova e mëkëmbjes. Nivelet apo sferat e kësaj sprove fillojnë nga më i ngushti, individual e mbarojnë tek ai më i gjëri, civilizimi shoqëror. Pra, kemi mëkëmbjen e individit, të shoqërive, të popujve, të shteteve dhe të civilizimeve.
Kurani na bën me dije se ashtu siç sprovohet njeriu me misionin apo sprovën e mëkëmbjes në nivelet apo sferat e ngushta: “E kur Zoti yt u tha engjëjve Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës[1] po ashtu sprovohet me këtë mision apo sprovë edhe në nivelin më të lartë, atë të civilizimit lider.
 Adi, Iremi që nuk ishin krijuar më parë si ata në tokë, Themudi që ngriti qytet në brendësi të malit, Faraoni me piramidat e larta i cili abuzoi me forcën e tij të madhe, të gjithë këto emra na paraqiten në Kuran, kaptina “Fexhër”, të shoqëruara me bëmat dhe arritjet e tyre, si disa prej modeleve më të larta të organizimit njerëzor dhe të arritjeve shkencore e teknologjike.
Këtu Kurani synon të nxjerr në pah rëndësinë madhore të parimit të drejtësisë në marrëdhëniet e njeriut me Zotin dhe me veten dhe për të treguar se cenimi i këtij parimi është gabimi më madhor dhe shkakton dëmet më madhore, këtë e realizon duke argumentuar me rrënimin e organizimeve dhe arritjeve me të larta njerëzore si ato të lartpërmendurat të cilat cenuan parimin e drejtësisë.
Rrotacioni ose “El-mudavele[2]” dhe vakumi i civilizimit lider
 Përgjegjësia, misioni, sprova dhe nderi i civilizimit kryesues apo lider u takon të gjithë popujve dhe sipërfaqeve kulturore. Sakaq për t’u bërë e mundur mbartja e kësaj përgjegjësie nga të gjitha civilizimet duhet të ndodh ndërrimi i pozicioneve të civilizimeve apo rrotacioni i civilizimeve që ndryshe Kurani e quan “EL-mudavele”.
Këtu ballafaqohemi me një çështje shumë të rrezikshme e me pasoja shumë të rënda, atë të vakumit të civilizimit lider.
Kurani është treguar shumë i saktë kur ka përmendur termin “Mudavele[3]” i cili përcjell kuptimin e alternimit e të rrotacionit. Folja “Davele” ngërthen në vetvete bashkëveprim, pra bashkëveprim gjatë procesit të alternimit apo të rrotacionit.
Konteksti në të cilin është përmendur ky term është ambient plotësisht i përshtatshëm për këtë term. Ai e gjen veten plotësisht aty. Konteksti prezanton kampin Islam dhe atë politeist të ballafaquar me njëri-tjetrin. Historia u tregoi brezave të mëvonshëm se ngjarja për të cilën zbriti verseti përmbajtës i këtij termi po ndodhte gjatë  etapës së procesit të rrotacionit që po zhvillohej mes dy kampeve atij Islam dhe atij politeist. Njëri po ngjitej në fronin e sprovës dhe të nderit të civilizimit lider dhe tjetri po zbriste nga ky fron. Në këtë kontekst vërehet qartë se procesi i ngjitjes së njërit dhe zbritjes së tjetrit nuk bëhej me radhë por njëkohësisht. D.m.th gjatë kohës që po bëhej gati të zbriste njëri po në të njëjtën kohë përgatitej të ngjitej tjetri. “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin tjetër e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë(fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë mes njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit[4]
Parimi i rotacionit të civilizimeve, logjikisht na bën të dalim në konkluzionin se ndërrimi nuk është një akt rrëzimi i njërit nga tjetri, pra civilizimi nuk rrënon civilizim, por ndodh gjatë kohës kur të zëvendësuarit i dobësohen cilësitë që e bëjnë të meritueshëm për pozitën e civilizimit lider apo kryesues dhe në të njëjtën kohë zëvendësuesi konsolidon cilësitë e meritueshmërisë. “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre[5]”. “Allahu nuk e largon një mirësi që ia ka dhënë një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre[6]”. Pra gjatë kohës që njëri ndryshon veten për keq, tjetri e ndryshon për mirë. Në fund, ky proces mbyllet me zëvendësimin e njërit me tjetrin.
Kur zbriti verseti i parë Kuranor, në tokë ekzistonin civilizime të tjera, kryesisht ai Bizantin dhe Pers të cilët kishin shtrirë ndikimin e tyre në sipërfaqe të mëdha territoriale.
Ajo që e ndihmoi Islamin, me qendër Medinën, të zgjeronte sferën e ndikimit të tij,veç sistemit të  vlerave të tij të konsoliduara, teorikisht e konkretisht, ishte tkurrja e vazhdueshme e sipërfaqes së dy civilizimeve në fjalë, e atij bizantin dhe persian.
Në kontaktin e parë, ballë për ballë, të  Islamit me civilizimin pers në Kadisije, si persët edhe myslimanët konstatuan lehtë se është afruar koha e ndërrimit. Thelbi i civilizimit, tashmë i konsoliduar tek Islami dhe myslimanët, ishte kalbur rëndë tek persët.
Civilizimi pers, në atë kohë, si shqetësim kryesor kishte formën dhe jo thelbin. Dëshira dhe vullneti për të qenë liderë të njerëzimit dhe kujdestarë të vlerave humane kishte degjeneruar në dëshirën për t’u dukur si më të fortë e më të bukur. Madhështia perse tashmë nuk shprehej tek shërbimi ndaj qenies humane por përmes insistimit të vazhdueshëm për ta paraqitur racën perse si të paprekshme dhe të pashoqe.
Rustumi kryekomandanti i ushtrisë perse, çuditet kur shikon pamjen dhe paraqitjen e Ribij Bin Amirit, përfaqësuesi i delegacionit mysliman, dhe e pyet: Kush jeni ju?! Ribij Bin Amiri i përgjigjet: Ne jemi një popull që na ka dërguar Zoti i gjithësisë për t’i nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njerëzve tek adhurimi i Zotit të gjithësisë, nga ngushtësia e dynjasë tek gjerësia e dynjasë dhe ahiretit, nga padrejtësia e besëtytnive tek drejtësia e Islamit.
Rustumi pasi kuptoi mirë nivelin e shqetësimit të Islamit u drejtohet këshilltarëve dhe klerikëve të tij: Çmendoni? A keni dëgjuar ndonjëherë fjalë më të qartë dhe më të lartë se fjala e këtij burri?!
Këshilltarët i Përgjigjen: Kurrën e kurrës nuk mund të marrësh në konsideratë qoftë edhe një fjalë të vetme nga çka tha dhe të lësh fenë tënde për shkak të këtij qeni. A nuk e shikon se si është veshur?!
Rustumi, i cili ishte më i mençuri, përgjigjet: O të mjerë mos shikoni rrobat, por mendimin, fjalën dhe veprën. Arabët nuk i kushtojnë shumë rëndësi rrobës dhe ushqimit por nderit. Ata nuk veshin si rrobat tuaja por në të njëjtën kohë nuk mendojnë si ju.
Ribij Bin Amiri, përpjekjeve të këshilltarëve për ta kompromentuar u përgjigjet: O persë ju e keni zmadhuar vlerën e ushqimit, të pijes dhe të veshjes ndërsa ne e kemi zvogëluar.
I deleguari i dytë i myslimanëve, Mugire Bin Shube mendoi t’ju jepte një mesazh të caktuar kur tentoi të ulet në fronin e Rustumit. Pasi persët, të irrituar, e zbritën nga froni i Rustumit ai iu përgjigjet: Ne e ëndërronim pozitën tuaj por tani po e shoh se nuk ka njerëz më mendjelehtë se ju. Ne arabët jemi të gjithë të barabartë, nuk robërojmë njëri-tjetrin përveçse në luftë. Mendoja se edhe ju jeni të drejtë me njëri-tjetrin ashtu si ne. Para se të më zbrisnit nga froni që e trajtoni të shenjtë, do kishte qenë më mirë të më njoftoni se ju e robëroni njëri-tjetrin. Kjo gjendje e juaja nuk mund të vazhdojë për shumë kohë. Sot e kam kuptuar se era juaj është drejt fundit dhe ju jeni të mundur. Mbretëria nuk mund të qëndrojë mbi këtë stil jete dhe mbi këto mendje.
Edhe në kontaktin e parë të Islamit me civilizimin bizantin në Egjipt u vërejt e njëjta gjë me atë Persian.
Reforma e parë që bëri Amër Bin Asi pas hyrjes në Egjipt ishte kthimi i kryepeshkopit kopt Beniamin, në postin dhe pozitën e tij. Post nga i cili ishte privuar prej bizantëve që prej 18 vitesh dhe ishte detyruar të jetojë i arratisur në shkretëtirë.
Tek civilizimi bizantin ishte i njëjti problem si tek ai pers. Thelbi ishte kalbur. Në sipërfaqen e këtij civilizimi nuk mund të ekzistonte fe dhe kulturë tjetër. Jo vetëm çdo kulturë apo fe tjetër por edhe ndonjë element i ndryshëm nga ai bizantin nuk kishte vend mbi këtë sipërfaqe. Sakaq konsideruan apostazi që meriton ndëshkimin më të rreptë edhe disa ndryshime të fraksionit kopt të krishterë që dilte nga i njëjti burim me atë të krishterë bizantin.
Rotacioni i vlefshëm për të gjithë
Pranimi i të ndryshmit dhe krijimi i kushteve dhe mundësive të natyrshme që të tjerët të luajnë rolin e tyre në arenën e civilizimeve është një nga cilësitë thelbësore të meritueshmërisë së civilizimit lider.
Cenimi i kuadrit të së ndryshmit, apo tjetrit, bie ndesh drejt për së drejti me ligjin e dialektikës shoqërore humane. Ligji i dialektikës, apo siç e quan Kurani “Tedafu”, na paraqitet në Kuran si ruajtësi apo shpirti i ekuilibrit të jetës humane në faqe të dheut dhe si garantuesi thelbësor i  zhvillimit dhe rritjes të së mirës dhe i vazhdimësisë së përpjekjes për ta mbajtur të keqen në minorancë. Ndryshe mund të thuhet se ky ligj është i vetmi që e mban të paprekshëm standardin hyjnor dhe natyror të së mirës dhe të keqes. E në momentin kur shoqëria humane anon drejt homogjenizimit të shoqërisë dhe drejt stilit unik të jetës, përmes asimilimit të tjetrit apo kufizimit të kuadrit të lirisë së rolit dhe misionit të tij, mu në këtë moment standard i të mirës dhe të keqes bëhet ai i të fortit  dhe jo ai hyjnori, natyrori. Për pasojë, të fortët për të ruajtur standardin e saj, që i garanton predominancën, është i gatshëm të përdor edhe mjetet, metodat dhe mënyrat më ekstreme. Kjo e gjitha çon na prishjen e ekuilibrit të natyrshëm jetësor, human dhe e çon botën drejt kataklizmit. Por realisht afati kohor i botës është përcaktuar nga Krijuesi i saj dhe kjo botë nuk mund të shkojë apo të dërgohet drejt fundit të saj artificialisht. Është ligji hyjnor dhe natyror i dialektikës “Tedafu” ai i cili e ruan jetën humane nga kataklizmi i parakohshëm i cili funksionon, më tepër se kurrë, atëherë kur standardi i të mirës dhe të keqes është manipuluar apo kompromentuar nga despotizmi i të fortit.
Koncepti i shtetit të përjetësisë “Devlet mudet ebed”, (sipas Ahmed Davudoglu “Kriza globale”), ishte një nga shkaqet kryesore që çoi në rrënimin e perandorisë osmane. Trajtimi i vetes si arritja më e madhe e kohës e çoi perandorinë në vetëkënaqësi dhe vetëmjaftueshmëri të brendshme. Lavdia e perandorisë, dhe jo misioni i saj, u bë shqetësimi i shqetësimeve. Sakaq të tjerët, në një farë mase i shikonte si të paaftë për të kapur ato maja që kishte arritur perandoria osmane. Kjo i shkaktoi izolim dhe pavëmendje ndaj zhvillimeve të natyrshme të jashtme gjë që çoi në cenimin e rëndë të koherencës dhe shkaktoi prapambetje si në aspektin organizativ edhe atë teknologjik. Zhvillimet u bënë me ritme shumë të shpejta si brenda perandorisë osmane edhe jashtë saj, por me një ndryshim rrënjësor. Zhvillimet brenda perandorisë ishin shumë të shpejta por drejt rrënimit ndërsa zhvillimet jashtë perandorisë, edhe ato ishin shumë të shpejta por drejt ngritjes dhe lartësimit.
Jeta e civilizimeve është e gjatë dhe e ndërlikuar. Shpesh me civilizimet mund të ndodh ashtu siç ndodh edhe me shumë individë të cilët në momente të caktuara të duken sikur po vdesin e po mbarojnë e megjithatë përsëri kthehen në jetë. Sakaq është shumë e vështirë për brezin aktual të përcaktojnë se në ç’fazë ndodhet një civilizim i caktuar.
Por mendoj se një gjë është e sigurt. Zhvillimet që po ndodhin në perëndim e në lindje nuk mund të dalin jashtë ligjit të natyrshëm të dialektikës së civilizimeve.
E nëse në fund të shekullit të 17-të do t’i kishin thënë perandorisë osmane se sapo ka filluar epoka e rrënimit të saj nuk do ta kishin besuar. E nëse në fillim të shekullit të 16-të do t’i kishin thënë Evropës se sapo i keni dhënë fund mesjetës dhe keni filluar një civilizim të ri edhe ata nuk do ta kishin besuar. E pavarësisht se në atë kohë do të dukej e pabesueshme, sot rrënimin e njërit e ngritjen e tjetrit brezat aktual e trajtojnë si një cikël prej cikleve të shumtë të historisë.

Vatikani: Islami është feja me përhapje më të madhe në botë

Posted by artparadox on 20 December 2011 , under |



Shteti i Vatikanit, ka deklaruar zyrtarisht se Islami është feja me përhapjen më të madhe në botë dhe se numri i myslimanëve, që prej një viti,  i ka kaluar të krishterët me tre milionë më shumë. Sipas Vatikanit, kjo ka ardhur si rezultat i përqafimit të islamit nga një numër i madh perëndimorësh me gjithë fushatën dezinformuese ndaj kësaj feje dhe ithtarëve të saj.
Në një deklaratë për publikun, Vatikani thotë:”Numri i myslimanëve në botë i kalon tre miliardë, e tre milionë e njëzet e dy mijë myslimanë, duke e kaluar numrin e të krishterëve me tre milionë më shumë.”
Sipas deklaratës, Vatikani e pranon se islami është feja me përhapjen më të shpejtë në mbarë botën, ku 19.5 % e banorëve të planetit janë myslimanë, kundrejt 17.5 të krishterë.
Vatikani vë theksin tek një numër i madh perëndimorësh të krishterë, hebrenj dhe besimeve të tjera, të cilët kanë pranuar islamin gjatë viteve të fundit, me gjithë fushatën dezinformative e udhëhequr nga forca armiqësore me myslimanët, si dhe pasurive që shpenzohen për fushatat kristianizuese.
Ndërkohë, me mijëra njerëz kanë dalë në demonstrata në disa qytete italiane, për të protestuar kundër racizmit ndaj myslimanëve, pas sulmit me pasojë vdekjen e dy shitësve ambulant. /ardhmeriaonline/

Brengosje e thellë për dhunën në Egjipt (Video)

Posted by artparadox on 19 December 2011 , under , |




Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun akuzoi për përdorim të tepërt të fuqisë nga forcat egjiptiane të sigurisë gjatë kohës së përleshjeve me demonstruesit, të cilët tashmë tre ditë me radhë kërkojnë për t’i dhënë fund menaxhimit të autoriteteve ushtarake.
Ai i bëri thirrje autoriteteve kalimtare që të tregojnë përmbajtje dhe t’i respektojnë të drejtat e njeriut, midis të cilëve edhe të drejtën e protestës së qetë, theksohet në kumtesën e zyrës së Ban Ki-Munit.
Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton, gjithashtu shprehu brengosje të thellë për shkak të dhunës në Egjipt dhe u bëri thirrje forcave egjiptiane të sigurisë që t’i respektojnë të drejtat universale të të gjithë egjiptianëve, duke përfshirë edhe të drejtën e shprehjes dhe tubimit të qetë dhe të lirë.
Klinton u bëri thirrje autoriteteve egjiptiane që të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë, midis të cilëve edhe nga pjesëtarët e forcave të sigurisë, të cilët i prishin të drejtat e demonstruesve.
Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën gjatë trazirave në Egjipt në tre ditët e fundit.
“Poshtë Tantavi” brohoritën mbrëmë rreth një mijë demonstrues në sheshin Tahrir në Kajro, duke patur parasysh Mohamed Tantavin, i cili është në krye të Këshillit të lartë ushtarak dhe ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e presidentit të rrëzuar Hosni Mubarak.

Muslimanët me mjekrra janë Terroristë ?!

Posted by artparadox on 18 December 2011 , under |



Një video interesante mbi stereotipet dhe paragjykimet e njerëzve, të shkaktuara nga ndikimi i mediave.

Çudi, apo jo?!

Posted by artparadox on , under |




Çudi se si një kartëmonedhë 20€ duket aq e madhe kur e jep për xhaminë, por shumë e vogël kur e shpenzon në dyqan. Çudi se sa gjatë na duket kur bëjmë dhikër një orë, por sa shpejt kur një ekip luan 60 minuta basketboll.
Çudi se sa të gjata janë disa orë të kaluara në xhami, por sa të shkurta kur shikojmë ndonjë film.
Çudi se si nuk mund të mendojmë asgjë për të thënë kur falemi, por nuk kemi vështirësi për të menduar rreth gjërave për të cilat do të bisedojmë me ndonjë shok.
Çudi se sa tronditemi kur një ndeshje futbolli shkon në kohë shtesë, por ankohemi kur teravia gjatë Ramazanit është më e gjatë se zakonisht.
Çudi se sa vështirë është të lexosh një xhuz të Kuranit, por sa lehtë është të lexosh 100 faqe të romanit më të shitur.
Çudi se si njerëzit dëshirojnë të arrijnë një ulëse në radhët e para në ndonjë lojë apo koncert, por përpiqen të zënë rreshtin e fundit në xhami, që të mund të dalin jashtë shumë shpejt.
Çudi se si na nevojiten 2 apo 3 javë lajmërim përpara për t’i gjetur kohë një aktiviteti të xhamisë brenda programit tonë, mirëpo mund ta ndryshojmë axhendën tonë për ngjarje të tjera edhe në momentin e fundit.
Çudi se sa vështirë është për njerëzit të mësojnë mirë një fjalim të thjeshtë për t’ua thënë të tjerëve, por sa e thjeshtë është për të njëjtët njerëz për t’ i kuptuar dhe përsëritur thashethemet.
Çudi se si besojmë çfarë thonë gazetat, por dyshojmë në atë që thotë Kurani.
Çudi se si çdonjëri dëshiron të shkojë në xhenet, por nuk kujdeset të besojë, të mendojë, të flasë apo të veprojë ndonjë gjë për të.
Çudi se si mund t’i dërgosh mijëra barsoleta përmes e-mailit, të cilat shpërndahen si lënda e djegshme, por kur fillon të dërgosh mesazhe në lidhje me Allahun, njerëzit mendojnë dy herë për ta shpërndarë.

Bagdad: Sot mbyllet baza ushtarake amerikane

Posted by artparadox on 15 December 2011 , under |




Forcat amerikane sot do ta ulin flamurin në Irak, në një ceremoni zyrtare, para tërheqjes së tyre nga vendi, pas pothuajse nëntë vjetësh.
Ceremonia e cila shënon mbylljen e bazës ushtarake në Irak vjen një ditë pasi presidenti amerikan, Barak Obama priti në shtëpi disa prej trupave të fundit të kthyera nga Iraku.
Duke folur para ushtarëve amerikanë në Karolinën Veriore, Obama tha se Shtetet e Bashkuara lanë prapa një Irak sovran dhe stabil.
Gjatë luftës në Irak kanë vdekur më shumë se 4,500 trupa amerikane dhe rreth 100 mijë irakianë.
Obama tha se lufta në total ka kushtuar më shumë se 1000 miliardë dollarë.
Përfundimi i luftës në Irak përmbushë një premtim që e ndihmoi Obamën t’i fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2008.

Gazetari anglez "Jam lodhur nga shpifjet për muslimanët"

Posted by artparadox on 14 December 2011 , under |




Vazhdon drama e skandaleve të medias perëndimore kundër fesë islame dhe muslimanëve. kohë më parë, gazetari i gazetës më tirazh më të madh në Angli 'Daily Star', në një letër që publikoi në gazetën The Guardian njoftonte dorëheqjen e tij nga gazeta për shkak se ishte lodhur nga shpifja dhe sajimi i lajmeve kundër fesë islame dhe muslimanëve. Richard Peppiatt në letrën e tij thoshte se më nuk do që të sajojë lajme kundër muslimanëve dhe kritikonte ashpër drejtuesit e gazetës 'Daily Star'.


Richard Peppiatt tha se në gazetë, lajmet që i kemi publikuar në lidhje me muslimanët, nuk kanë patur të bënin me realitetin dhe kanë qenë krijim i fantazisë, së njerëzve si unë dhe gazetarëve tjerë.



Gazetari anglez, Richard Peppiatt, është marrë në pyetje nga Komisioni anglez për hulumtim të medias dhe ka pranuar se lajmet që publikohen për islamin dhe muslimanët, janë sajim dhe shpifje dhe qëndrojnë larg realitetit.



Kjo është goditja e dytë më e madhe ndaj medias angleze, pas skandaleve të përgjimit nga kompania Murdoch.



Duke iu përgjigjur pyetjes se 'pse nuk je ankuar për këtë?, ai ka thënë se ata që ankoheshin menjëherë largoheshin nga puna dhe mbeteshin papunë dhe në këtë mënyrë jetonin një jetë tragjike.



"Ishte një gazetare që ishte ankuar për lajmet kundër muslimanëve dhe më pas 'ia nxinë jetën asaj', kështu që për dy javë rresht atë e detyruan të sajonte lajmet kundër muslimanëve dhe më në fund u detyrua të japë dorëheqje nga gazeta', i tha komisionit Richard Peppiatt.



Ai tha se për fat të keq kjo gjendje e ka vrarë ndërgjegjen e tij dhe është dorëhequr nga gazeta, me qëllim të qetësimit të ndërgjegjes.

Konferencë rreth Islamit në Evropë

Posted by artparadox on , under |




Në praninë e specialistëve akademikë të universitetit holandez Leiden, filloi punimet konferenca shkencore me titull:”Islami në Evropë mes dy luftërave botërore”, e cila synon të hedhë dritë mbi një epokë e cila ka qenë e errët ose e injoruar gjer tani.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë shkencore janë specialistë akademikë nga vende të ndryshme të botës. Ajo organizohet nga qendra e studimeve rreth Islamit pranë universitetit Leiden, e cila funksionon që nga viti 2009, si dhe nga qendra për studime bashkëkohore të Lindjes së Mesme pranë universitetit jugor të Danimarkës, e cila funksionon që nga viti 1983.
Konferenca, e cila do të vazhdojë gjer me 14 të këtij muaji, do të trajtojë pesë boshte kryesore, të cilat do të fokusohen tek shkaqet që sollën lindjen ne komunitetit mysliman në Evropë mes dy luftërave, si dhe mënyrën e ndërtimit të rrjetës së komunikimit me shoqëritë evropiane.
Qëllimi i konferencës
Lidhur me shkakun e organizimit të kësaj konference, e cila trajton një periudhë historike të prezencës së islamit në Evropë, dr. Umer Rijad, një nga organizatorët e konferencës, deklaroi për Alxhazira se:”Historia e prezencës së myslimanëve në Evropë, zakonisht na serviret se fillon me mbërritjen e valëve të para të krahut të punës pas luftës së dytë botërore. Nëpërmjet kësaj konference, synojmë të hedhim dritë mbi një periudhë të panjohur, për të mos thënë të injoruar. Ne synojmë që kësaj çështjeje ti qasemi nga një mënyrë shkencore. Duke iu qasur akademisht kësaj teme, ne i humbasim shansin atyre që duan ta keqpërdorin për përfitime politike.”
Zanafilla
Ditën e parë të konferencës, profesori i historisë pranë universitetit britanik Cambridge, David Mant, gjatë fjalës së tij tha:”Lufta e parë botërore konsiderohet si pikënisja dhe zanafilla e emigrimit të parë të myslimanëve drejt Evropës, e  cila është pasuar nga valë të tjerë emigrimi.”
Ai tha se valën e parë të emigrimit të myslimanëve drejt Evropës, pas Luftës së Parë Botërore, e motivoi dhe konflikti në Evropë dhe nevoja për luftëtarë.
Nga ana e tij, dr. Mehdi Saxhid i universitetit të Bonit, o fokusua në rolin e mendimtarëve myslimanë dhe ndikimin e tyre në idetë perëndimore. Ai cekur rastin e dy figurave islame, si Reshid Rida dhe Shekib Arselan.
Gjatë punimeve të konferencës, në një sallë të rezervuar për studentët dhe mediat, janë ekspozuar foto personalitetesh myslimane të periudhës në fjalë, si dhe dokumente të ndryshme. Ndër këto personalitete, pikaset fotoja e Zekij Hishmet Bek Kiram, komandant i forcave tokësore të ushtrisë osmane në Arish, gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai jetoi dhe vdiq në Berlin.
Gjithashtu, për të interesuarit shfaqet dhe një dokumentar me titull:”Çallma dhe kryqi i thyer”, i cili flet mbi një pjesë të jetës të myftiut të Kudsit, Muhamed Emin Husejn. /ardhmeriaonline/

Të pushtojmë Londrën, protestuesit sfidojnë temperaturat nën zero

Posted by artparadox on , under |




Bashkia do të hapë çështje gjyqsore javën e ardhshme

Duket se temperaturat nën zero në Londër nuk kanë mundur të ndalojnë protestuesit e lëvizjes “Të pushtojmë Londrën”. Tendat e të indinjuarve kanë sfiduar motin e ftohtë duke qendruar për të çuar deri në fund protestën e tyre. Kur mbështetja për protestën filloi të rritej në muajt tetor dhe nëntor, u krijua nevoja për të gjetur vendqëndrime të tjera në zonën financiare. Njëra prej tyre është një shesh përballë zyrës për Britaninë e Madhe të kompanisë mediatike financiare Bloomberg. Një tjetër vendqëndrim i protestuesve është një ndërtesë e zbrazët që i përkiste bankës zvicerane UBS. Protestuesit ndajne një objektiv të përbashkët: dobësimin e ndikimit të industrisë financiare mbi shoqërinë.
Javën e ardhshme, Bashkia e Londrës do të hapë një çështje gjyqësore, në përpjekje për të hequr tendat e protestuesve përfundimisht një lëvizje e ngjashme kjo më atë të kryebashkiakut të Nju Jorkut , Majkëll Bloomberg. Protestat e të indinjuarve të nisura para disa muajsht në Wall Street, përfshinë mbarë shtetet e Bashkuara, ndërsa duket se janë përhapur edhe jashtë kufijve. Protest ate ngjashme ka patur dhe në Itali , Spanjë e së fundmi në Londër./abc/

500 muslimanët më me influencë në botë gjatë vitit 2011

Posted by artparadox on 13 December 2011 , under |




Sipas listës "500 muslimanët më me influencë në botë në vitin 2011", në vend të parë radhitet mbreti Abdullah bin Ali Saud (pozitë e mbajtur nga viti i kaluar)
Ndërsa vendin e dytë në këtë listë e zë mbreti maroken Mohammedi VI (ka përparuar për tre vende në krahasim me vitin e kaluar kur ishte i pesti), derisa kryeministri turk Rexhep Tayyib Erdogan u rendit i treti (një vend më poshtë nga viti i kaluar, kur ishte i dyti në listë).

Lista "500 muslimanët më me influencë në botë në vitin 2011", është lista e tretë me radhë e këtij lloji, e cila lëshohet çdo vit. Filloi në vitin 2009., ndërsa botohet nga Qendra mbretërore islame për studime strategjike, e cila është një qendër e pavarur kërkimore lidhur me Institutin mbretëror të mendimit islam „Alu al-Bayt", Institut i pavarur ndërkombëtarë joqeveritarë islam me seli në Amman.

Në këtë listë janë përfshirë muslimanët më me influencë në bazë të ndikimit që kanë në komunitetin musliman dhe mënyrën me të cilin ndikimi i tyre u ka sjellë dobi komunitetit musliman, si në botën islame ashtu edhe në aspektin e paraqitjes së Islamit tek jo-muslimanët.
Libri i titulluar "500 muslimanët më me influencë në botë në vitin 2011", në rend të parë promovon 'top listën e 50' muslimanëve, influenca e të cilëve mund të ndihet në kontekstin ndërkombëtar. Pa marrë parasysh se influenca e tyre buron nga fushat e ndryshme, e përbashkëta e tyre është se kanë ndikim të rëndësishëm tek një numër i madh i njerëzve. Në këtë lista janë theksuar lloje të ndryshme të personaliteteve nga jeta publike: mbretërit, mësuesit shpirtëror, edukatorët medial, studiuesit, politikanët, administratorët, tradicionalistët, predikuesit, filantropët, personat përgjegjës për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, artit e kulturës, organizatave ndërkombëtare islame... etj.
Ja edhe lista e Top 10-shit


1.         King Abdullah bin Abdul Aziz al-Saud, King of Saudi Arabia, Custodian of the Two Holy Mosques

2.         Grand Ayatollah Hajj Sayyid Ali Khamenei, Supreme Leader of the Islamic Republicof Iran

3.         King Mohammed VI, King of Morocco

4.         King Abdullah II bin al-Hussein, King of the Hashemite Kingdom of Jordan

5.         Recep Tayyip Erdogan, Prime Minister of the Republic of Turkey

6.         Sultan Qaboos bin Sa’id al-Sa’id, Sultan of Oman

7.         Grand Ayatollah Sayyid Ali Hussein Sistani, Marja of the Hawza, Najaf

8.         Sheikh al-Azhar Dr Muhammad Sayyid Tantawi, Grand Sheikh of the al-Azhar University, Grand Imam of al-Azhar Mosque

9.         Sheikh Dr. Yusuf Qaradawi, Head of the International Union of Muslim Scholars

10.       Sheikh Dr. Ali Goma’a, Grand Mufti of the Arab Republic of Egypt

As në Turqi nuk e lejojnë me shami në universitet

Posted by artparadox on , under |




Një studente shqiptare në Institutin e Teknologjisë në Izmir të Turqisë (IYTE),nuk është lejuar të marrë pjesë në mësimin e zhvilluar në një nga klasat e këtij institucioni arsimor turk për shkak të shamisë që mbante në kokë.
Ngjarja e pazakontë është denoncuar nga vajza shqiptare Ornela Bega tek gazeta turke “Today Zaman”. Ajo tregoi se ka ardhur në Turqi për të studiuar fizikë në institucionin arsimor İYTE.

Si u tha gazetarëve, ajo nuk është lejuar të marrë pjesë në leksionin e saj të Kimisë për më shumë se një muaj për faktin e vetëm se mbante shami koke.

Bego ka denoncuar për “Today Zaman” se ajo nuk ka qenë në gjendje për të gjetur ndonjë zgjidhje për këtë problem, i cili sipas saj, mund ta bëjë madje që të humbasë edhe vitin shkollor. Kjo edhe pse ajo ka biseduar me rektorin e İYTE-së, Mustafa Güden për këtë çështje.

Ndërkaq, Presidenti i Bordit të Arsimit të Lartë (YOK) Jusuf Zija Ozcan lëshoi një deklaratë në mars të vitit të kaluar, me të cilin paralajmëronte ata që ndalonin mbajtjen e shamisë së kokës në universitete dhe nëse do të kishte mosrespektim të këtij vendimi, ndaj atyre personave YOK do të niste hetimin.

Bega pohon se i ishte thënë nga një profesor: “Ju nuk mund të hyni në klasa duke mbajtur shami koke, edhe në qoftë se ndalimi i tyre në universitete është hequr”.

Ajo tha gjithashtu se ajo nuk ishte në gjendje për të kuptuar pse një ndalim i tillë ka qenë i zbatuar në Turqi, popullsia e së cilës është kryesisht myslimane. 

Nje mjeke myslimane ne SHBA ofron sherbime falas

Posted by artparadox on , under |




Një mjeke muslimane në shtetin amerikan të Karolinës, ka hapur klinikë për persona të paaftë dhe të varfër për t'i treguar botës imazhin e vërtetë të Islamit.
“Ndihem shumë e lumtur, kjo është një ëndërr për mua. Ideja është që t’i shërbej dhe t’i ndihmoj personat e nevojshëm”, tha dr. Reshma Khan, gjinekologe nga ‘Ralph Johnson Medical Center’ e cila në bashkëpunim me organizatën humanitare islamike të Amerikës së Veriut ‘USA Relief’ ka hapur klinikën në Mount Pleasant. 

Klinika, e quajtur Shifa do të ofroj shërbime falas një herë në javë, të shtunave, duke filluar nga data 7 janar.

Klinika do të ofrojë kujdes shëndetësor për gratë e pasiguruara prej moshës 17 deri në 65 vjeç. 

Dr. Khan shpreson në zgjerimin e shërbimeve medicinale, por kjo varet nga vullneti i mirë i mjekëve dhe infermiereve tjera.
Klinika Shifa, e para e këtij lloji në Karolina, tregon parimet e vërtetë të Islamit i cili udhëzon në ndihmë për të varfrit. 

Vitin e kaluar, një grup i mjekëve në Ohajo ka hapur klinikën Noor, duke ofruar kontrolle dhe këshillime falas për personat e varfër dhe pa sigurim shëndetësor. /islamgjakova/ 

Demokracia në krizë

Posted by artparadox on 11 December 2011 , under |




Fuqia e vërtetë nuk qëndron në Shtëpinë e Bardhë por përgjatë asaj rruge, aty ku gjenden aktorët ekonomik dominues, agjentët dhe institucionet të cilat nuk janë të detyruara t’i respektojnë rregullat demokratike.

Debate intensive teorike janë zhvilluar kohëve të fundit për virtytet e demokracisë, përderisa po mundohemi t’i analizojmë zhvillimet e fundit në disa vende arabe. Demokracia, shumica pohojnë, duhet të jetë qëllimi përfundimtar: është sistemi më i mirë politik, sistem në të cilin respektohet vullneti politik i qytetarëve dhe mbrohen të drejtat dhe liritë e tyre. Një sistem i tillë do të ishte arritja më e madhe e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme; së fundi arabët do të përjetonin pluralizëm, hapje dhe – pse jo - modernizëm.
Në të njëjtën kohë, në perëndim, sistemi demokratik po kalon në një nga krizat më të thella të historisë së tij. Larg nga idealizmi dhe përshkrimet teorike të sistemit demokratik, qytetarët e vendeve perëndimore e kanë përshtypjen se janë lënë anash, që opinioni i tyre nuk vlen asgjë. Për deri sa Ben Ali, Mubaraku dhe Gadafi u rrëzuan për shkak se popujt e tyre po thërrasin për liri, tetë liderë evropianë (Lista nuk është ende përfundimtare), të cilët duhet të kishin dhënë dorëheqje për shkak të përgjegjësisë së tyre për krizën ekonomike, janë duke ia imponuar sundimin e tyre organeve politike. Sistemi politik i njohur si demokraci, po vërtetohet se nuk është transparent dhe i lirë atëherë kur që të dy, shteti dhe qytetarët janë futur thellë në borxh. Kush po i merr vendimet sot? Kush e ka fuqinë?
Kur kryeministri i Greqisë George Papandreou, filloi të bëjë politikë me thirrjen e tij për referendum. Ai u kritikua dhe u detyrua të jap dorëheqje: nuk është koha tash që të konsultohesh me popullin tënd, iu tha atij, pasi që liria e vetëvendosjes mund të na çoj në shkatërrim kolektiv... Fuqitë dominuese ekonomike dhe institucionet, dhe gjithashtu edhe “Rating Agencies” (agjencitë vlerësuese), ua kanë imponuar politikanëve logjikën e tyre: Tash nuk është momenti i duhur të konsultoheni me popullin. Mediet i ndjekin pas pa kundërshtuar; për ato është tërësisht natyrale dhe e qëndrueshme që presidentët dhe ministrat të detyrohen të japin dorëheqje pa e thënë populli fjalën e vet. Të lë përshtypjen, që në kohën e krizave, rregullat e procedurave demokratike nuk duhet të përfillen: qytetarët nuk janë tjetër veçse spektatorë.
Nga vendet me shumicë myslimane po kërkohet që ta rivlerësojnë relacionin në mes shtetit dhe autoriteteve fetare. Islami nuk duhet t’ia imponojë të vërtetën dhe besimin e vet një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ky i fundit duhet të jetë i lirë dhe duhet ta shprehë dëshirën e shumicës. Regjimet teokratike janë të rrezikshme, pasi që ato nuk e mbrojnë barazinë e qytetarëve para ligjit dhe të drejtën e vetëvendosjes për ardhmërinë e tyre. Çështje në të vërtetë kritike!
Vendet me shumicë myslimane me ç’do kusht duhet ta lirojnë veten e tyre nga diktatura sekulare ose religjioze. Thirrja për demokratizim është legjitime dhe duket se është e vetmja mënyrë për të ecur përpara: kjo është esenca e zgjimit arab, shpresa e tyre po aq sa qëllimi i tyre.
Kurse ne duhet të bëjmë pyetje të mprehta në lidhje me modelin dhe përfundimin. A duhet që vendet arabe t’i përcjellin hapat e perëndimit? A ia vlen që të imitohet modeli perëndimor. Ku janë liria dhe transparenca për të cilat po flasin demokratët? Nga ç’do anë që kthehemi, dëgjojmë të ngrihen zëra: Njerëzit po e vërejnë qartë që në masë të madhe po i humbin të drejtat e tyre, po përjetojnë më pak liri, po margjinalizohen gjithnjë e më shumë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kriza më e fundit dhe gjithnjë e më shumë e thelluar po e vë në pah paaftësinë e qytetarëve. Miliona janë të papunë dhe thellë të zhytur në borxh; ata nuk kanë sigurim shëndetësor t’i mbulojnë nevojat e tyre, nuk kanë shërbime sociale t’i mbrojnë familjet e tyre. Nga ata po kërkohet që të votojnë për kandidatë që shpenzojnë miliarda dollarë gjatë kampanjave elektorale, dhe pastaj përfundojnë të harruar. Disa qytetarë tentuan që t’u dëgjohet zëri në Wall Street: Fuqia e vërtetë nuk qëndron në Shtëpinë e Bardhë por përgjatë asaj rruge, aty ku gjenden aktorët ekonomik dominues, agjentët dhe institucionet të cilat nuk janë të detyruara t’i respektojnë rregullat demokratike. E tyre është fuqia mbi ekonominë, mbi financat e larta, mbi paratë dhe mediet: këtu demokracia nuk ka vend. Numri i protestuesve arriti në disa mijëra qytetarë nevojtarë që e shprehën vetëm një ankesë: Ç’farë rruge po ndjekin demokracitë perëndimore?
Gjithashtu edhe në Evropë ndjenja është e njëjtë. Në Evropë nuk kemi kontroll religjioz mbi shtetin, mirëpo korporatat transnacionale, institutet ekonomike, bankat, mediet dhe lobet e organizuara mirë po e minojnë esencën thelbësore të sistemit demokratik (i cili duhet të bazohet në transparencë dhe në mendimin e shumicës). Ne flasim për ndarjen e autoriteteve fetare nga autoritetet shtetërore – por kush do ta mbrojë shtetin nga fuqitë ekonomike, financiare dhe mediale që po i imponojnë vendimet dhe politikat e tyre antidemokratike.
Është bukur dhe mirë ta lëvdojmë një model të idealizuar demokratik, por e vërteta është se demokracitë perëndimore po përjetojnë erozion: popujt po i humbin të drejtat dhe privilegjet e tyre. Është koha për qytetarët që të ngritën dhe të kërkojnë transparencë, respekt dhe qëndrueshmëri. Botës arabe i duhet kreativitet politik; kurse në anën tjetër perëndimi i zhytur në krizë nuk mund të jetë shembull. Është koha për të gjetur mënyra të tjera, horizonte të reja. Jeta në botën e globalizuar po i pengon zhvillimet nacionale demokratike. Tunisi, Egjipti, Libia ose edhe Shtetet e Bashkuara, Greqia, Italia, Franca apo Gjermania nuk mund ta arrijnë “demokracinë” secila në vete.
Ndërsa nacionalizmi do të ishte një kurth tjetër, pasi që forcat jo-demokratike po përgjojnë fshehtas nga prapa në vendet ku qytetarët kanë humbur të drejtat dhe statusin e tyre. Demokratët dhe qytetarët e lirë duhet të mësojnë të shikojnë përtej kufijve: çështje e vështirë që kërkon lëvizje qytetare tej-nacionale. Nuk ka zgjedhje tjetër. Së bashku me lirinë vijnë edhe disa obligime: një paradoks, por një e vërtetë historike.    

Tarik Ramadan
www.tariqramadan.com 

Latest News