Përse Turqia po i kthen shpinën Evropës?

08 December 2011 , Posted by artparadox at 1:25 PM


Gazeta International Herald Tribune, ka publikuar një raport lidhur me ndikimin në rritje të shtetit turk, në rajonin e Lindjes së Mesme. Kjo, në sinkronizim me zvarritjet e evropianëve për pranimin e kërkesës turke për anëtarësim në Union. Raporti pohon se ndërkohë që 50 % e eksporteve turke shkon drejt Unionit Evropian, eksportet me vendet e Lindjes së Mesme, janë rritur nga 12 % në 20 %. E ndërkohë që Unioni Evropian është nën ndikimin e epidemisë ekonomike, Turqia aspiron shtrirjen në rajonin e Lindjes së Mesme, duke lënë pas shpine Perëndimin. Pyetja shpotitëse që shtrohet aktualisht është:”Mos vallë Turqia po e refuzon Evropën, para se kjo e fundit ta refuzojë atë?”
Një ndër objektivat më madhorë të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim pasi fitoi zgjedhjet e 2002, ishte anëtarësimi i vendit në BE. Në këtë drejtim, u ndërmorën një sërë masash dhe ndryshimesh historike. Por iniciativa turke u prit me ftohtësi dhe skepticizëm, madje dhe me ironi nga ana e shumë vendeve anëtare të Unionit. Bisedimet për këtë qëllim zvarriteshin pafund, duke mos caktuar asnjë linjë të qartë anëtarësimi.
Por, sipas analistëve, tani është Turqia ajo që manifeston skepticizëm me idenë e anëtarësimit të saj në BE. Me krizën e rëndë të borxheve në rritje dhe ndryshimet e reja që solli Pranvera Arabe, Turqia po mendon seriozisht për tu shfaqur si fuqi rajonale, duke u shkëputur nga BE, gjë e cila para disa vitesh as që mendohej. Erol Jarar, themeluesi i një grupi biznesmenësh fetarë, njeri i afërt me Erdoganin, është shprehur:”Kryeministri Erdogan, deshi të jetë lideri i parë mysliman që do e afrojë Turqinë me Perëndimin, por ky i fundit e zhgënjeu. Prandaj, Erdogani hoqi dorë nga kjo aspiratë. Sot, BE nuk ka asnjë ndikim në Turqi dhe shumica e turqve pyesin veten:”E ç’na duhet të bëhemi pjesë e një kaosi të tillë?!”
Politika turke ndaj Sirisë, ka qenë fokusi i javëve të kaluara, pasi ajo i ka vënë sanksione të forta Sirisë dhe ka deklaruar gatishmëri të plotë për një ndërhyrje ushtarake të mundshme. Turqia ka tashmë dhe zërin e saj rajonal të fuqishëm, lidhur me trajtimin brutal që Izraeli u bën palestinezvë, sidomos që nga ngrirja e marrëdhënieve me vendin hebre.
Zyrtarët turq janë shprehur se marrëdhëniet e Ankarasë me BE kanë arritur në një pikë të pashpresë, sidomos pas mundësisë së kryesimit të këtij unioni nga ana e Qipros greke vitin e ardhshëm.
Gjatë vizitës së tij në Angli, presidenti turk Abdullah Gyl e ironizoi Qipron duke e quajtur “Një gjysëm shtet që do të udhëheqë një Union të pashpresë”.
Ndërkohë, Franca ndërmori një hap të pazkontë, duke e ftuar Turqinë të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm evropianë për të diskutuar mbi çështjen siriane.
Një shekull më parë, në prag të shembjes së perandorisë Osmane, Turqia qe etiketuar si “E sëmura e Evropës”. Ndërkohë që sot, askush nuk mund ti ndalojë turqit të mburren me rritjen ekonomike e cila për këtë vit pritet të jetë 7.5 %. Ministri turk i ekonomisë, është deklaruar se:”Ata që na etiketuan si të sëmurin e Evropës në të kaluarën, tashmë kanë zënë shtratin të sëmurë rëndë. U urojmë shërim të shpejtë.” /ardhmeriaonline/

Latest News