Sot protestë kundër Karnevalit të Vevçanit (video)

27 January 2012 , Posted by artparadox at 10:46 AM

Struganët do të protestojnë kundër keqpërdorimit të vlerave islame në Karnevalin e Vevçanit që u mbajt javë më parë. Indinjata e banorëve ka inkurajuar Myftininë e BFIM-së në Strugës që ditën e premte me fillim në ora 13 e 30 të caktojë protestë në mbrojtje të vlerave islame. Karnevali i Vevçanit si manifestim organizohet me sponsorisim e Komunës së Vevçanit. Myftiu i Strugës, Ferat Polisi, konfirmon se protesta do të zhvillohet para godinës së selisë së Myftinisë, ndërkohë si itinerar do të ketë edhe parakalimin në disa rrugë kryesore të qytetit. Në këtë protestë në mbrojtje të vlerave islame, sipas Myftiut të Strugës, do të marr pjesë edhe kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko dhe shumë qytetarë nga Struga dhe qytetet e tjera të vendit. Edhe vetë Merko e konfirmon pjesëmarrjen si dhe mbajtjen e një fjalimi para protestuesve. Para disa ditëve Myftinia e Strugës nëpërmjet një komunikimi me gazetarët kërkoi nga autoritetet më të larta të vendit që Komuna e Vevçanit, si organizatore zyrtare e Karnevalit, të mbajë përgjegjësi, ndërsa kryetari i komunës të japë dorëheqje të parevokueshme, sepse tallja me vlerat e fesë islame është e papranueshme dhe e rrezikshme për raportet ndërfetare në vend.
Myftinia e Strugës dhe vetë BFIM-ja e gjykon shumë ashpër këtë gjest tallës kundër myslimanëve në një aktivitet të sponsorizuar nga Komuna e Vevçanit, njëkohësisht kërkon nga Qeveria të marr masa ndaj kësaj komune dhe titullarit të saj. Kryetari i Komunës së Vevçanit, sipas kreut të myslimanëve të Strugës, pasi të dorëhiqet nga posti në krye të komunës, detyrimisht duhet të kërkoj falje publike para opinionit. “Si fillim kërkojmë nga Qeveria e RM-së dhe dikasteret përkatëse që Komuna e Vevçanit të shlyhet nga regjistri i Komunave të RM-së dhe me ngulm kërkojmë që kryetari i saj të jap dorëheqje të parevokueshme nga ky post dhe të kërkojë falje publike para opinionit”, u tha në reagimin publik të Myftinisë së Strugës dhe BFIM-së. Kryetarja e Komisionit për marrëdhënie ndërfetare, Valentina Bozhinoska, thotë se komisioni nuk ka ingernaca për të marr masa ndaj Komunës së Vevçanit, por thotë se ky organ ndërhynë dhe tejkalon mosmarrëveshjet vetëm atëherë kur shfaqen ndërmjet vetë komuniteteve fetare. Ndërkohë, deri tani sipas Bozhinoskës te ky organ akoma nuk ka ardhur një reagim nga BFIM-ja për këtë rast. ''Por nga ajo që kam parë në media mund të them se në këtë rast janë tejkaluar caqet, sepse nuk mund të përqeshen në atë mënyrë librat e shenjtë dhe simbolet e një besimi. Pavarësisht se në Komisionin tonë akoma nuk ka ardhur një ankesë zyrtare nga BFIM-ja, ne si Komision që kujdesemi për ndërtimin e raporteve të mira ndërfetare shumë shpejt do të reagojmë publikisht për këtë akt dhe do të kërkojmë që mos të luhet me ndjenjat dhe simbolet fetare në këtë mënyrë'', thekson Bozhinoska. Ndërkaq, Ministria e Kulturës është financuese e manifestimit. Zëdhënësja e këtij dikasteri, Anita Jovanovska, për këtë rast orienton në Komunën e Vevçanit, si organizatori kryesor i këtij manifestimi. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Vevçanit Pero Ilievski, nuk pranon përgjegjësi për atin e shëmtuar. Thotë se Karnevali është një manifestim që zhvillohet prej shekujsh dhe karakter të tillë ka pasur gjithmonë. Vitin e kaluar tregon i pari i Komunës së Vevçanit janë përqeshur priftërinjtë dhe dukuri të tjera. Ndërkohë Ilieski nuk pranoi të komentoj reagimet e Myftinisë së Strugës dhe BFIM-së të cilat kërkojnë dorëheqjen e tij. Ai për më shumë informacion na rekomandoi të komunikojmë me shoqatat që organizojnë Karnevalin. Komuna e Vevçanit është ndarë para disa vitesh nga territori i ish komunës së Strugës dhe banohet prej afërsisht 2500 banorë, në pjesën dërmuese të etnisë maqedonase.


Reagon edhe FRI

Forumi Rinor Islam, nëpërmjet një komunikate drejtuar mediave, ashpër ka dënuar fyerjet të cilat iu bënë fesë islame dhe muslimanëve nga disa persona, apo grupe të pandërgjegjshëm që duan të prishin marrëdhëniet e mira ndërfetare në mesin e popullatës së Maqedonisë, e që kanë qenë shembull për rajonin dhe duhet të vazhdojnë të mbeten si të tilla. “Për ne është e papranueshme çdo lloj fyerje dhe urrejtje ndaj fesë islame dhe ndaj çdo feje tjetër, duke u tallur me parimet dhe normat themelore të feve, sepse aktet e tilla të papërgjegjshme mund të shpiejnë deri në probleme dhe incidente të paparashikueshme, që do ta dëmtonin në masë të madhe harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyeshme disa shekullore në këto troje. Gjithashtu, njoftojmë të gjithë ata qëllimkëqinjë se feja islame është shumë larg nga etiketimet e tilla banale dhe keqëdashëse. Pamjet dhe skenat që u shfaqën në Festivalin e Vevçanit ishin tronditëse, shokuese dhe joetike, e më e keqja është se ky festival financohet nga Ministria e Kulturës, para këto që mblidhen edhe nga tatimpaguesit muslimanë të këtij shteti dhe ky institucion nuk e pa të arsyeshme të dalë me reagim apo ndonjë formë tjetër të mospajtimit me veprimet e paraqitura në këtë eveniment të turpshëm”, thuhet në komunikatën e FRI-së. /koha/

Latest News