Reuters: Kaos dhe dhunë në Greqi, pas falimentimit

28 January 2012 , Posted by artparadox at 8:16 AM

Agjencia e lajmeve Reuters paralajmëron kaos dhe trazira sociale në Greqi pas një falimentimi të mundshëm.
Agjencia prestigjoze në shkrimin e saj kushtuar Greqisë, flet për një shpërthim të pakontrolluar të dhunës në rast të falimentimit të shtetit.
Autori i shkrimit e krahason situatën në Greqinë e falimentuar, me Argjentinën, ku pati konflikte të rënda, dyqane të plaçkitura, madje edhe jetë të humbuara.
“Në rastin më të mirë, nëse kreditorët privatë tërhiqen nga ristrukturimi vullnetar i borxhit, një falimentim i çrregullt do të cojë në mbylljen e bankave greke për disa ditë, për t’i dhënë Athinës kohë të shmangë tërheqjen e menjëhershme të kapitalit, duke siguruar depozituesit që huadhënësit nuk do të zhduken”, shkruan Reuters.
"Në qoftë se negociatat dështojnë, fati i qytetarëve grekë dhe biznesmenëve varet shumë nga fakti nëse BE-ja, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN do të qëndrojnë pranë vendit. Nëse ata nuk e bëjnë këtë, grekët të cilët janë të shqetësuar për fatin e depozitave të tyre, do të nxitojnë për tërhequr para nga bankat duke krijuar radhë jashtëzakonisht të gjata. Kjo do të jetë pasoja e parë dhe më e dukshme e krizës që do të ndikojë edhe më shumë vendin, që sapo ka hyrë në një vit tjetër të recesionit të thellë dhe kërkon ndihmë nga partnerët e vet. Dhe sigurisht, pas falimentimit, është e pamundur që vendi të mbetet brenda zonës euro", tha për agjencinë një bankier, që nuk është identifikuar.
"Dalja nga eurozona do të ishte një fatkeqësi absolute. Sipas skenarit më të keq, qeveria greke nuk mund të paguajë pagat dhe pensionet. Një falimentim do të pasonte në ekonominë e Greqisë, e cila do detyrohej të kërkojë daljen e saj nga zona e euros, vetëm një dekadë pas hyrjes së saj”, thuhet në shkrim.
Në përfundim, gazeta raporton se me qëllim që të shmanget skenari më i keq, ka shumë gjasa që Evropa të vazhdojë të mbështesë Greqinë dhe BQE të mbështesë bankat greke.
"Me pjesën e pasme të mendjes, udhëheqësit evropianë mendojnë edhe për mundësinë e humbjes së stabilitetit në rajon", tha për Reuters ish ministri i financave të Argjentinës, që udhëhoqi negociatat me kreditorët, pas rënies së vendit të tij, Nielsen Günter. Sipas tij, "Greqia luan shumë fort kartën gjeopolitike ... Pjesa tjetër evropiane duhet vetëm të plotësojë faturën".
Ndërkaq pavarësisht parashikimeve të Reuters, mësohet se bisedimet për prerjen e borxhit grek janë në rrugë të mirë. Bankierët dhe qeveria greke janë shprehur optimistë për fundin e tyre.
Kreu i IIF, Charls Dalaras tha pas bisedimeve të djeshme, se kishte "përparim të madh" për programin e shkurtimit të borxhit grek. Një njoftim i ngjashëm është lëshuar edhe nga Instituti Ndërkombëtar i Financave (IIF), ndërsa ministri grek i Financave Evangelos Venizelos tha se "jemi një hap përpara përfundimit të procedurave për PSI".
Një zyrtar i qeverisë greke, tha gjithashtu për Reuters se qeveria duhet të përpiqet të bjerë dakord në parim për marrëveshjen, deri në pasditen e së dielës. /balkanweb/

Latest News