“Të Pafetë”, libri që sulmon Vatikanin

08 December 2011 , Posted by artparadox at 12:52 PM


Konsiderohet si zemra e besimit të fesë së krishterë, por zërat negativë dhe hijet e misterit e kanë mbuluar jo pak herë. 
Bëhet fjalë për shtetin e Vatikanit, që ndodhet në zemër të Romës, ku Papa i radhës bën mesha duke bërë thirrje për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Por nga ana tjetër, nuk mungojnë aferat e pista, intrigat dhe lojërat e pushtetit dhe pse jo të spiunazhit. Këtë përpiqet të tregojë në librin e tij “Të Pafetë” (I Senza Dio), shkrimtari italian Stefano Livadiotti.
“Pedofili, marrëdhënie me mafien, priftërinj-masonë dhe më pas privilegje, biznese misterioze, luftëra të brendshme dhe lidhje të pista me politikën”, shkruhet në parathënien e librit. 
“Të Pafetë”, që ka dalë këto ditë në libraritë italiane, vjen pas dy librave të tjerë të gazetarit-shkrimtar Livadiotti, ku goditen sindikatat dhe ajo pjesë e errët dhe e korruptuar e prokurorisë italiane.
Skandalet e pedofilisë në radhët e priftërinjve katolikë kanë qenë shumë të pranishme në vitet e fundit dhe në to janë përfshirë priftërinj dhe peshkopë, që kanë qenë njerëz të afërt të Papa Benedictit XVI.
Ndërsa për sa i përket aferave të pista, nuk mund të harrohet vrasja e Roberto Calvi, i njohur ndryshe si “bankieri i Zotit”, që pastronte paratë e mafies në bankën e selisë së shenjtë. /express/

Latest News