Kur flasin liderët

22 December 2011 , Posted by artparadox at 10:08 AM


“Ata të cilët na patën akuzuar si “Buri i sëmurë i Bosforit” sot janë vet të sëmurë. U urojmë shërim të shpejtë” kjo ishte një nga frazat e fjalës së presidentit turk, Abdulla Gyl, gjatë vizitës së tij në Angli.
Thua ta ketë thënë thjesht për sarkazëm këtë fjalë, apo thjesht për të shprehur një kënaqësi që buron nga pozita në ngritje e Turqisë në kundërshtim me pozitën e tronditur të Evropës. Apo është ndonjë ndjenjë tjetër me sfond historik. Apo ekziston ndonjë arsye tjetër shumë më e rëndësishme dhe shumë më strategjike se sa kaq?!
Liderët në përgjithësi dhe ata të llojit të presidentit Gyl në veçanti s’para bëjnë, të paktën parimisht, në situata të tilla, kësisoj deklaratash duke u nisur nga motive kaq të rëndomta.
Historia e liderëve me peshë nxjerr në pah se karakteri strategjik është piedestali i fjalëve dhe veprimeve. Pra, shprehur rëndom, mënyra se si luajnë dhe si rrotullohen gjërat është pjesë themeltare e dijes së tyre dhe motivit të qëndrimeve të tyre.
“Bota me rrota”
Ibnu Halduni dhe më pas Arnold Toenby, sipas studiuesve të tyre, konsiderohen teoricienët sintetizues të teorisë së “Botës me rrota”. Ata pohojnë se civilizimet lindin, ngrihen, konsolidohen, fillojnë rënien dhe në fund ndodh rrënimi që realizohet përmes zbërthimit apo çmontimit të komponentëve civilizues nga njëri-tjetri.
Traktati i Henry Kampbell
“Në fund të shekullit të 19-të dhe fillimin e të 20-it, pikërisht në vitin 1907 Henry Kampbell ishte kryeministri i Britanisë i cili ishte i apasionuar pas shkencës së filozofisë së historisë. Në atë kohë ndryshe Britania quhej: “Perandoria që s’i perëndon dielli”. I inspiruar nga filozofia e  historisë dhe i ndikuar nga teoria e ngritjes dhe rrënimit të civilizimeve të Toenbyt, Kampbelli del në konkluzionin se patjetër do të vijë një ditë kur dielli i perandorisë britanike do të perëndojë. Duke u nisur nga fakti se Britania është një nga faktorët e civilizimit perëndimor kristian, detyrohet të mendojë se ç’mund të bëjë për zgjatjen e jetës së civilizimit perëndimor  dhe vazhdimësinë e sundimit të botës, si rrjedhojë vazhdimin e rolit britanik, me një formë a me një tjetër, në sundimin e botës.
Ajo çka synonte ishte përgatitja e një strategjie evropiane që garantonte predominancën e vazhdueshme të civilizimit evropian dhe jetëgjatësinë e tij. Sakaq Kampbell ua dërgon shqetësimin e tij universiteteve më të shquara të Britanisë dhe Francës. Përgjigja që kthyen këto universitete, pasi e studiuan e i kushtuan vëmendjen e duhur shqetësimit të Kampbellit u quajt “Traktati i Kampbellit” i cili ekziston edhe në ditët e sotme në arkivin e Anglisë. Ky traktat u shfaq për publikun vetëm për dy javë, pas përfundimit të afatit ligjor të kufizimit të tij, e më pas u tërhoq.
Sipas këtij traktati Britania duhet ta shikojë botën përmes tre sipërfaqeve:
Sipërfaqja e parë: përbëhet nga shtetet e sistemit të vlerave perëndimore kristiane. Sipas traktatit, Britania detyrohet të punojë bashkë me shtetet e tjera për të mos lejuar që sundimi i botës të dalë jashtë kësaj sipërfaqeje. Pra, sipas traktatit, sistemi i kësaj sipërfaqe duhet të ketë në dorë përherë frerët e botës.
Duke qenë të bindur sipas filozofisë historike, se çdo civilizim e ka një fund, elementët përbërës të kësaj sipërfaqeje duhet të punojnë që trashëguesi i këtij civilizimi të jetë nga e njëjta sipërfaqe.
Sipërfaqja e dytë: është ajo e civilizimit të verdhë e cila nuk bie në kundërshtim dhe nuk e konkurron civilizimin e sipërfaqes së parë në aspektin e vlerave por mund të rivalizohet me të në aspektin e interesave pragmatike materiale.
Me civilizimin e kësaj sipërfaqeje mund të bashkëpunohet në aspektin e shkëmbimit të interesave materiale e tregtare. Po ashtu njëkohësisht të sulmohet e të ndikohet në aspektin kulturor, këtë gjë e mundëson dobësia e sistemit të vlerave të kësaj sipërfaqeje. Si rrjedhojë bashkëpunimi me të, ngrihet mbi bazën e interesave të sipërfaqes së parë.
Sipërfaqja e tretë: është jeshilja apo e civilizimit i gjelbwr. Traktati pohon se kjo sipërfaqe përmban një sistem vlerash konkurruese me atë të sipërfaqes së parë. Ky civilizim e ka rivalizuar në shumë rajone dhe e ka nxjerrë nga shumë vende. Sakaq i duhet sipërfaqes së parë të ndërmarrë të gjitha hapat dhe procedurat për të penguar çdo lloj përparimi të mundshëm jo vetëm të këtij sistemi vlerash por edhe të ndonjërit prej elementëve të tij përbërës, sepse ky sistem është një konkurrues i vërtetë i sipërfaqes së parë.
Termi “Value System” përsëritet vazhdimisht në trashëgiminë bashkëkohore evropiane. Siç përmendet vazhdimisht përgjatë historisë së presidentëve amerikanë.
Traktati propozon se ndaj sipërfaqes së tretë të ndërmerren tre procedura kryesore:
E para: Privimi i shteteve të sipërfaqes së tretë nga dija dhe teknologjia, apo thënë ndryshe, ngushtimi i kufijve të njohjes.
E dyta: Fabrikimi apo konsolidimi i problemeve që kanë të bëjnë me kufijtë e këtyre shteteve.
E treta: Krijimi i pakicave apo mbështetja e atyre që ekzistojnë, që të mos harmonizohet rrjeti shoqëror i këtyre shteteve dhe të mbetet peng i ndërhyrjeve të jashtme.” (Roli i të menduarit strategjik në kuptimin e historisë, “Filozofia e historisë”. Xhasim Sultan, fq 76 – 79)
Malik Ibën Nebij, një nga studiuesit dhe njohësit e filozofisë së historisë, pohon se: “Një nga ligjet shoqërore që të tërheq fuqishëm vëmendjen konsiston në faktin se historia ecën sipas një cikli dhe hierarkie. Kjo histori herë u regjistron popujve arritje dhe bëma madhore e herë i mbulon me kuvertën e saj për t’i lëshuar në një gjumë të thellë. Duke u nisur nga ky ligj social na del domosdoshmërish për detyrë, gjatë zgjidhjes së problemeve tona, të shikojmë mirë pozitën dhe vendin tonë në ciklin e historisë, të perceptojmë mirë konditat tona si dhe faktorët e rrënimit që na rrethojnë po ashtu edhe shkaqet e përparimit që kemi në dorë.” (Libri: Orientimi i botës islame, Malik Ibn Nebij)
Probleme civilizimi
Presidenti francez, Sarkozy, pohon, në kongresin e 20-të të Partive Popullore Evropiane, se Evropa po përballet me një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme. Asnjëherë rreziku i shpërbërjes nuk ka qenë kaq i madh. Ekonomitë e eurozonës kanë ende disa javë kohë për të vendosur, por se koha po punon kundër tyre”
Ndërsa Kancelarja gjermane, Merkel, ka deklaruar se do të duhen vite për të kapërcyer krizën. Të 27-të vendet anëtare të BE-së kanë detyrim ndaj Evropës dhe ky detyrim është që të punojmë së bashku për të kapërcyer krizën” (Ballkanweb)
Një mosmarrëveshje e qartë, e shprehur me tone të ashpra dhe zëra të ngritur, u duk mes presidentit francez dhe kryeministrit anglez në lidhje me reformat që duhet të bëjë Evropa për të kaluar krizën. Madje Sarkozy deklaroi haptazi se faji i mosmarrëveshjes është i kryeministrit anglez.
Një nga gjërat më të rëndësishme që vërehet tek përpjekjet evropiane për kurimin e krizës aktuale është këmbëngulja e vazhdueshme e liderëve, të mëdhenj e të vegjël, evropian për ta mbajtur shqetësimin e zgjidhjes vazhdimisht në nivel unioni dhe jo të shteteve në veçanti gjë që vërehet qartë edhe nga qëndrimi ndaj krizës greke.
 Ky mund të ketë qenë shkaku i zemërimit të Sarkozys, Merkelit dhe shumë liderëve të tjerë evropian ndaj Kameronit i cili vazhdon ta trajtojë problemin si të Evropës e jo të Anglisë. Domethënë, siç nuhatet, liderët evropian e shohin krizën si kanosje ndaj një civilizimi dhe jo thjesht ndaj një ekonomie të një shteti.
Gjatë kohës që liderët evropian e perëndimor pranojnë praktikisht e deklarativisht problemin e krizës së civilizimit të tyre, që mendohet të jetë shumëdimensional pavarësisht se shprehet vetëm rreth atij ekonomik, në të njëjtën kohë deklarojnë dhe pranojnë se nuk kanë asnjë lloj rezerve ndaj ardhjes në pushtet të islamikëve në lindjen e mesme, gjë e cila nuk ka ndodhur para revolucioneve të pranverës arabe.
Këtu natyrshëm lind pyetja: këto pohime, deklarata dhe qëndrime konkrete të liderëve evropian dhe perëndimor vijnë si pasojë e ndryshimeve në Evropë dhe Perëndim apo si pasojë e ndryshimeve në lindjen e mesme, apo i të dyjave bashkë?!
“Bota me rrota” por asnjë herë pa lider
Bota, duke qenë shumë e vjetër, si e tillë e bën shumë të lehtë sjelljen e argumenteve nga historia e saj se gjithmonë dhe pandërprere ka pasur një civilizim lider që ka luajtur, ndër të tjera edhe rolin e drejtimit të popujve dhe civilizimeve të tjera. Pa dashur të shkojmë shumë larg mjafton të përmendim civilizimin faraonik, grek, romak, pers, bizantin, islam dhe perëndimori aktual.
Drejtësia, si parim hyjnor, natyror, shoqëror dhe logjik e mbështetur njëkohësisht edhe nga përvoja e pasur e historisë na bën me dije se pozita e civilizimit lider nuk është veti e një race, kulture apo sipërfaqe të caktuar por këtë të drejtë e kanë të gjitha racat, kulturat dhe sipërfaqet kulturore. Pra, këtë përgjegjësi dhe nder kanë të drejtë, duhet dhe mund ta përjetojnë të gjithë popujt, racat dhe sipërfaqet kulturore.
Misioni i mëkëmbjes së njeriut në tokë është një nga burimet bazë të këtij pohimi. Ky mision ndryshe mund të quhet edhe si sprova e mëkëmbjes. Nivelet apo sferat e kësaj sprove fillojnë nga më i ngushti, individual e mbarojnë tek ai më i gjëri, civilizimi shoqëror. Pra, kemi mëkëmbjen e individit, të shoqërive, të popujve, të shteteve dhe të civilizimeve.
Kurani na bën me dije se ashtu siç sprovohet njeriu me misionin apo sprovën e mëkëmbjes në nivelet apo sferat e ngushta: “E kur Zoti yt u tha engjëjve Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës[1] po ashtu sprovohet me këtë mision apo sprovë edhe në nivelin më të lartë, atë të civilizimit lider.
 Adi, Iremi që nuk ishin krijuar më parë si ata në tokë, Themudi që ngriti qytet në brendësi të malit, Faraoni me piramidat e larta i cili abuzoi me forcën e tij të madhe, të gjithë këto emra na paraqiten në Kuran, kaptina “Fexhër”, të shoqëruara me bëmat dhe arritjet e tyre, si disa prej modeleve më të larta të organizimit njerëzor dhe të arritjeve shkencore e teknologjike.
Këtu Kurani synon të nxjerr në pah rëndësinë madhore të parimit të drejtësisë në marrëdhëniet e njeriut me Zotin dhe me veten dhe për të treguar se cenimi i këtij parimi është gabimi më madhor dhe shkakton dëmet më madhore, këtë e realizon duke argumentuar me rrënimin e organizimeve dhe arritjeve me të larta njerëzore si ato të lartpërmendurat të cilat cenuan parimin e drejtësisë.
Rrotacioni ose “El-mudavele[2]” dhe vakumi i civilizimit lider
 Përgjegjësia, misioni, sprova dhe nderi i civilizimit kryesues apo lider u takon të gjithë popujve dhe sipërfaqeve kulturore. Sakaq për t’u bërë e mundur mbartja e kësaj përgjegjësie nga të gjitha civilizimet duhet të ndodh ndërrimi i pozicioneve të civilizimeve apo rrotacioni i civilizimeve që ndryshe Kurani e quan “EL-mudavele”.
Këtu ballafaqohemi me një çështje shumë të rrezikshme e me pasoja shumë të rënda, atë të vakumit të civilizimit lider.
Kurani është treguar shumë i saktë kur ka përmendur termin “Mudavele[3]” i cili përcjell kuptimin e alternimit e të rrotacionit. Folja “Davele” ngërthen në vetvete bashkëveprim, pra bashkëveprim gjatë procesit të alternimit apo të rrotacionit.
Konteksti në të cilin është përmendur ky term është ambient plotësisht i përshtatshëm për këtë term. Ai e gjen veten plotësisht aty. Konteksti prezanton kampin Islam dhe atë politeist të ballafaquar me njëri-tjetrin. Historia u tregoi brezave të mëvonshëm se ngjarja për të cilën zbriti verseti përmbajtës i këtij termi po ndodhte gjatë  etapës së procesit të rrotacionit që po zhvillohej mes dy kampeve atij Islam dhe atij politeist. Njëri po ngjitej në fronin e sprovës dhe të nderit të civilizimit lider dhe tjetri po zbriste nga ky fron. Në këtë kontekst vërehet qartë se procesi i ngjitjes së njërit dhe zbritjes së tjetrit nuk bëhej me radhë por njëkohësisht. D.m.th gjatë kohës që po bëhej gati të zbriste njëri po në të njëjtën kohë përgatitej të ngjitej tjetri. “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin tjetër e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë(fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë mes njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit[4]
Parimi i rotacionit të civilizimeve, logjikisht na bën të dalim në konkluzionin se ndërrimi nuk është një akt rrëzimi i njërit nga tjetri, pra civilizimi nuk rrënon civilizim, por ndodh gjatë kohës kur të zëvendësuarit i dobësohen cilësitë që e bëjnë të meritueshëm për pozitën e civilizimit lider apo kryesues dhe në të njëjtën kohë zëvendësuesi konsolidon cilësitë e meritueshmërisë. “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre[5]”. “Allahu nuk e largon një mirësi që ia ka dhënë një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre[6]”. Pra gjatë kohës që njëri ndryshon veten për keq, tjetri e ndryshon për mirë. Në fund, ky proces mbyllet me zëvendësimin e njërit me tjetrin.
Kur zbriti verseti i parë Kuranor, në tokë ekzistonin civilizime të tjera, kryesisht ai Bizantin dhe Pers të cilët kishin shtrirë ndikimin e tyre në sipërfaqe të mëdha territoriale.
Ajo që e ndihmoi Islamin, me qendër Medinën, të zgjeronte sferën e ndikimit të tij,veç sistemit të  vlerave të tij të konsoliduara, teorikisht e konkretisht, ishte tkurrja e vazhdueshme e sipërfaqes së dy civilizimeve në fjalë, e atij bizantin dhe persian.
Në kontaktin e parë, ballë për ballë, të  Islamit me civilizimin pers në Kadisije, si persët edhe myslimanët konstatuan lehtë se është afruar koha e ndërrimit. Thelbi i civilizimit, tashmë i konsoliduar tek Islami dhe myslimanët, ishte kalbur rëndë tek persët.
Civilizimi pers, në atë kohë, si shqetësim kryesor kishte formën dhe jo thelbin. Dëshira dhe vullneti për të qenë liderë të njerëzimit dhe kujdestarë të vlerave humane kishte degjeneruar në dëshirën për t’u dukur si më të fortë e më të bukur. Madhështia perse tashmë nuk shprehej tek shërbimi ndaj qenies humane por përmes insistimit të vazhdueshëm për ta paraqitur racën perse si të paprekshme dhe të pashoqe.
Rustumi kryekomandanti i ushtrisë perse, çuditet kur shikon pamjen dhe paraqitjen e Ribij Bin Amirit, përfaqësuesi i delegacionit mysliman, dhe e pyet: Kush jeni ju?! Ribij Bin Amiri i përgjigjet: Ne jemi një popull që na ka dërguar Zoti i gjithësisë për t’i nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njerëzve tek adhurimi i Zotit të gjithësisë, nga ngushtësia e dynjasë tek gjerësia e dynjasë dhe ahiretit, nga padrejtësia e besëtytnive tek drejtësia e Islamit.
Rustumi pasi kuptoi mirë nivelin e shqetësimit të Islamit u drejtohet këshilltarëve dhe klerikëve të tij: Çmendoni? A keni dëgjuar ndonjëherë fjalë më të qartë dhe më të lartë se fjala e këtij burri?!
Këshilltarët i Përgjigjen: Kurrën e kurrës nuk mund të marrësh në konsideratë qoftë edhe një fjalë të vetme nga çka tha dhe të lësh fenë tënde për shkak të këtij qeni. A nuk e shikon se si është veshur?!
Rustumi, i cili ishte më i mençuri, përgjigjet: O të mjerë mos shikoni rrobat, por mendimin, fjalën dhe veprën. Arabët nuk i kushtojnë shumë rëndësi rrobës dhe ushqimit por nderit. Ata nuk veshin si rrobat tuaja por në të njëjtën kohë nuk mendojnë si ju.
Ribij Bin Amiri, përpjekjeve të këshilltarëve për ta kompromentuar u përgjigjet: O persë ju e keni zmadhuar vlerën e ushqimit, të pijes dhe të veshjes ndërsa ne e kemi zvogëluar.
I deleguari i dytë i myslimanëve, Mugire Bin Shube mendoi t’ju jepte një mesazh të caktuar kur tentoi të ulet në fronin e Rustumit. Pasi persët, të irrituar, e zbritën nga froni i Rustumit ai iu përgjigjet: Ne e ëndërronim pozitën tuaj por tani po e shoh se nuk ka njerëz më mendjelehtë se ju. Ne arabët jemi të gjithë të barabartë, nuk robërojmë njëri-tjetrin përveçse në luftë. Mendoja se edhe ju jeni të drejtë me njëri-tjetrin ashtu si ne. Para se të më zbrisnit nga froni që e trajtoni të shenjtë, do kishte qenë më mirë të më njoftoni se ju e robëroni njëri-tjetrin. Kjo gjendje e juaja nuk mund të vazhdojë për shumë kohë. Sot e kam kuptuar se era juaj është drejt fundit dhe ju jeni të mundur. Mbretëria nuk mund të qëndrojë mbi këtë stil jete dhe mbi këto mendje.
Edhe në kontaktin e parë të Islamit me civilizimin bizantin në Egjipt u vërejt e njëjta gjë me atë Persian.
Reforma e parë që bëri Amër Bin Asi pas hyrjes në Egjipt ishte kthimi i kryepeshkopit kopt Beniamin, në postin dhe pozitën e tij. Post nga i cili ishte privuar prej bizantëve që prej 18 vitesh dhe ishte detyruar të jetojë i arratisur në shkretëtirë.
Tek civilizimi bizantin ishte i njëjti problem si tek ai pers. Thelbi ishte kalbur. Në sipërfaqen e këtij civilizimi nuk mund të ekzistonte fe dhe kulturë tjetër. Jo vetëm çdo kulturë apo fe tjetër por edhe ndonjë element i ndryshëm nga ai bizantin nuk kishte vend mbi këtë sipërfaqe. Sakaq konsideruan apostazi që meriton ndëshkimin më të rreptë edhe disa ndryshime të fraksionit kopt të krishterë që dilte nga i njëjti burim me atë të krishterë bizantin.
Rotacioni i vlefshëm për të gjithë
Pranimi i të ndryshmit dhe krijimi i kushteve dhe mundësive të natyrshme që të tjerët të luajnë rolin e tyre në arenën e civilizimeve është një nga cilësitë thelbësore të meritueshmërisë së civilizimit lider.
Cenimi i kuadrit të së ndryshmit, apo tjetrit, bie ndesh drejt për së drejti me ligjin e dialektikës shoqërore humane. Ligji i dialektikës, apo siç e quan Kurani “Tedafu”, na paraqitet në Kuran si ruajtësi apo shpirti i ekuilibrit të jetës humane në faqe të dheut dhe si garantuesi thelbësor i  zhvillimit dhe rritjes të së mirës dhe i vazhdimësisë së përpjekjes për ta mbajtur të keqen në minorancë. Ndryshe mund të thuhet se ky ligj është i vetmi që e mban të paprekshëm standardin hyjnor dhe natyror të së mirës dhe të keqes. E në momentin kur shoqëria humane anon drejt homogjenizimit të shoqërisë dhe drejt stilit unik të jetës, përmes asimilimit të tjetrit apo kufizimit të kuadrit të lirisë së rolit dhe misionit të tij, mu në këtë moment standard i të mirës dhe të keqes bëhet ai i të fortit  dhe jo ai hyjnori, natyrori. Për pasojë, të fortët për të ruajtur standardin e saj, që i garanton predominancën, është i gatshëm të përdor edhe mjetet, metodat dhe mënyrat më ekstreme. Kjo e gjitha çon na prishjen e ekuilibrit të natyrshëm jetësor, human dhe e çon botën drejt kataklizmit. Por realisht afati kohor i botës është përcaktuar nga Krijuesi i saj dhe kjo botë nuk mund të shkojë apo të dërgohet drejt fundit të saj artificialisht. Është ligji hyjnor dhe natyror i dialektikës “Tedafu” ai i cili e ruan jetën humane nga kataklizmi i parakohshëm i cili funksionon, më tepër se kurrë, atëherë kur standardi i të mirës dhe të keqes është manipuluar apo kompromentuar nga despotizmi i të fortit.
Koncepti i shtetit të përjetësisë “Devlet mudet ebed”, (sipas Ahmed Davudoglu “Kriza globale”), ishte një nga shkaqet kryesore që çoi në rrënimin e perandorisë osmane. Trajtimi i vetes si arritja më e madhe e kohës e çoi perandorinë në vetëkënaqësi dhe vetëmjaftueshmëri të brendshme. Lavdia e perandorisë, dhe jo misioni i saj, u bë shqetësimi i shqetësimeve. Sakaq të tjerët, në një farë mase i shikonte si të paaftë për të kapur ato maja që kishte arritur perandoria osmane. Kjo i shkaktoi izolim dhe pavëmendje ndaj zhvillimeve të natyrshme të jashtme gjë që çoi në cenimin e rëndë të koherencës dhe shkaktoi prapambetje si në aspektin organizativ edhe atë teknologjik. Zhvillimet u bënë me ritme shumë të shpejta si brenda perandorisë osmane edhe jashtë saj, por me një ndryshim rrënjësor. Zhvillimet brenda perandorisë ishin shumë të shpejta por drejt rrënimit ndërsa zhvillimet jashtë perandorisë, edhe ato ishin shumë të shpejta por drejt ngritjes dhe lartësimit.
Jeta e civilizimeve është e gjatë dhe e ndërlikuar. Shpesh me civilizimet mund të ndodh ashtu siç ndodh edhe me shumë individë të cilët në momente të caktuara të duken sikur po vdesin e po mbarojnë e megjithatë përsëri kthehen në jetë. Sakaq është shumë e vështirë për brezin aktual të përcaktojnë se në ç’fazë ndodhet një civilizim i caktuar.
Por mendoj se një gjë është e sigurt. Zhvillimet që po ndodhin në perëndim e në lindje nuk mund të dalin jashtë ligjit të natyrshëm të dialektikës së civilizimeve.
E nëse në fund të shekullit të 17-të do t’i kishin thënë perandorisë osmane se sapo ka filluar epoka e rrënimit të saj nuk do ta kishin besuar. E nëse në fillim të shekullit të 16-të do t’i kishin thënë Evropës se sapo i keni dhënë fund mesjetës dhe keni filluar një civilizim të ri edhe ata nuk do ta kishin besuar. E pavarësisht se në atë kohë do të dukej e pabesueshme, sot rrënimin e njërit e ngritjen e tjetrit brezat aktual e trajtojnë si një cikël prej cikleve të shumtë të historisë.

Latest News