A duhet të ketë minare në Austri?

31 August 2010 , Posted by artparadox at 8:53 AM

Krishterë, myslimanë apo hebrej - të gjithë duan ta shprehin hapur besimin e tyre dhe ta jetojnë atë. Në shtetet demokratike kjo është e garantuar. Por kur është fjala për ndërtimin e xhamive - herë pas here ndizen debate.
Rreth 500 mijë myslimanë jetojnë në Austri. Ata përbëjnë bashkësinë e dytë fetare për nga madhësia, pas katolikëve. Për ta ekzistojnë ndërkohë 200 objekte për falje dhe katër xhami me minare. Këto ndodhen në Vjenë, në Tirol, në Salcburg dhe në Austrinë e Poshtme. E megjithatë bashkësia islame në Austri dëshiron më shumë.
"Ajo që dëshirojmë është që në çdo land federal te ketë një xhami që të dallohet nga jashtë. Këtë nuk e kërkojmë ta kemi nesër, apo pasnesër, por në perspektivë afatgjatë", thotë presidenti i kësaj bashkësie Anas Shakfeh.

Kundërshtimet e popullisëtve të djathtë

Kjo dëshirë ka bërë që ta ngrenë zërin populistë t e djathtë në Austri. Aleanca për të ardhmen e Austrisë, – BZÖ - dhe partia e lirisë - FPÖ - kanë reaguar menjëherë. E në radhë të parë është partia FPÖ ajo që po del nëpër barrikada. Kryetari i saj Heinz-Christian Strache, në intervistë për televizionin austriak ORF thekson, se për të besimi është i shenjtë dhe se ai e respekton fenë islame. Por: "Jam dakord që të ndërtohen shtëpi për të ushtruar besimin, por jo godina me shumë destinacione. Gjithashtu në Austri nuk kemi nevojë për minare dhe as për muxhahedin. Duhet të ketë qendra për t'u falur, por për këtë s' janë të nevojshme minaret, që paraqesin simbolin e fitores dhe ato nuk janë domosdoshmërisht simbol i besimit."
Kryetari i FPÖ-së është një ndër kritikët më të ashpër të fesë islame në Austri. Duket se atij i vjen për mbarë fakti që pikërisht tani bashkësia islame del me temën e minareve. Strache ndodhet në kulmin e luftës elektorale, në tetor ai dëshiron të bëhet kryebashkiaku i Vjenës. Në të gjithë qytetin ndërkohë ai buzëqesh nëpër pllakate, përmes të cilave bën thirrje për "më shumë guxim për gjakun tonë vjenez. "Askujt nuk i bën mirë e huaja me shumicë". Anas Shakfeh mbrohet ndaj akuzave, që ai padashur ka ndihmuar në luftën e tij elektorale.

"Ksenofobia dhe islamofobia"

"FPÖ-së nuk i duhen deklaratat e mia për të nxjerrë pllakate me parulla ksenofobie. Ata tashmë e kanë bërë këtë. Me sa duket në këtë luftë elektorale ata kanë vetëm programin "ksenofobia dhe islamofobia". Ata e kanë keqpërdorur vizionin tim të së ardhmes, një deklaratë mase normale ata e kanë keqpërdorur", pohon ajo.
Për FPÖ-në xhamitë janë "fole të islamizmit radikal". Por kritikën e bashkësisë islame, sipas së cilës partia e lirisë është ajo që predikon urrejtjen në Austri, e hedh poshtë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Harald Vilimsky.
"Duhet edhe ta themi, se nëse bëhen të tilla deklarata, si kjo, që tërheqin vëmendjen e opinionit, atëherë bashkësia s' ka përse të habitet, kur politika përgjigjet. Unë e dua ta ruaj Austrinë, ashtu siç është formuar ajo në kulturën e saj. Unë nuk dua të kemi as ekstremizëm dhe as arabizim", thotë Vilimsky.
Bashkësia islame po përpiqet të qetësojë gjakrat. Një xhami me minare në kryeqytetin e secilit land të Austrisë është vetëm një qëllim i largët, sqaron Omar Al Raëi, i ngarkuari i bashkësisë për çështjet e integrimit dhe deputet socialdemokrat në Vjenë.
"Nëse diku ka nevojë dhe atje ka myslimanë, të cilët duan një xhami, këtë ne duam ta shqyrtojmë. Ne nuk duam që të përpilojmë lista për landet dhe xhamitë, por vetëm duam të pyesim, nëse ka myslimanë, të cilët kanë nevojë për një ambient faljeje dhe këtë duam t' ua plotësojmë. Vetëm në një rast të tillë duhet të ndërtohet xhamia", thekson ai.

Imigracioni dhe kritikat ndaj fesë islame

Tema e migracionit dhe kritika ndaj fesë islame herë pas here shkaktojnë diskutime të nxehta në Austri. Opinioni është disi i përçarë: "Është çështje e tolerancës, se deri në ç'masë dëshiron të shohësh përtej kufijve personalë. Ndonëse unë nuk dua që pamja e rrugës të humbasë karakterin austriak, mendoj se ne mund të bashkëjetojmë me myslimanët. Më vjen keq që këtu nxiten frika të tilla. "
Nga këndvështrimi i teologjisë mineratë nuk janë një domosdoshmëri për një xhami. Për studiuesen e fesë islame Amena Shakir, minaret janë një shenjë për atë, që myslimanët kanë ardhur. "Myslimanët thonë, ne nuk duam të kthehemi në atdheun nga kemi ardhur, sepse ne jemi austriakë. Ne duam që edhe këtu të ketë një xhami të bukur, të cilën mund ta konceptojmë vet. Një xhami, e cila të jetë me dinjitet dhe në të cilën të kesh kënaqësi të ftosh dikë, ne nuk duam një xhami të fshehur apo në qilar, prej së cilës të na vijë turp, kur atje falen miqtë apo edhe ne vet", thotë Shakir.

Simbol i pushtetit politik apo një fanar i besimit? 

Partia e lirisë dhe aleanca për të ardhmen e Austrisë janë duke u angazhuar për referendum popullor. Në të sipas modelit zviceran duhet të votohet për ndalimin e ndërtimit të xhamive me minare. Grindja për minaret do ta preokupojë edhe për disa kohë Austrinë, të paktën deri në tetor kur të zhvillohen zgjedhjet lokale në Vjenë. /Deutche Welle/

Latest News