“Miqtë e Librit”, libraria Islame, e para në kryeqytet

19 January 2012 , Posted by artparadox at 6:41 AM


Tiranë: “Miqtë e Librit” është libraria më e re në kryeqytet, përurimi i së cilës u bë këtë javë, si e para librari e cila mbledh të gjitha botimet e shtëpive botuese islame në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë.
Përveç librave islamë ajo përmban edhe libra të tjerë nga fusha e letërsisë, historisë, kulturës, artit, etj.
Për të gjithë të dashuruarit pas librit dhe leximit “Miqtë e Librit” vjen me mbi 1.000 tituj të ndryshëm për të gjitha grupmoshat, për fëmijë, të rritur, etj. Të gjithë autorët klasikë botërorë për fëmijë janë të pozicionuara në këndin për lexuesit e vegjël.
Përveç librave është hapur edhe këndi i suvenireve, ku janë të renditura suvenirë të shumëllojshëm islamë, si dhe tradicionalë shqiptarë në kuadër edhe të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjithashtu aty gjenden panorama të të gjitha llojeve, me djegie në dru, gdhendje si dhe 3D.
Por nuk mbarojnë këtu të veçantat e kësaj librarie. “E veçanta e librarisë “Miqtë e Librit” është edhe këndi i leximit, i ndërtuar i tëri në dru, për të gjithë ata që duan të lexojnë, ku mund t’u ofrohet edhe çaj dhe pije të ndryshme freskuese”, tregon librari Ardit Haxhija.
Libraria “Miqtë e Librit” është hapur nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, më një projekt të hartuar nga Drejtoria e Kulturës dhe Drejtoria e Medias në KMSH.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Haxhi Selim Muça, preu  edhe shiritin e përurimit në praninë e dhjetëra intelektualëve, letrarëve, artistëve dhe lexuesve të thjeshtë.
Në ceremoninë e përurimit, kryetari Haxhi Selim Muça, falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata të cilët organizuan hapjen e kësaj librarie dhe veçanërisht ideatorët, drejtorin e kulturës z. Genti Kruja si dhe drejtorin e medias z. Agron Hoxha.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet z. Rasim Hasanaj, përfaqësues nga Kultet z. Nexhat Gjuzi, profesori dhe muzikanti i njohur z. Pëllumb Vorbsi, zyrtarë të tjerë të KMSH-së, myftinj, si dhe qytetarë dhe dashamirës të librit.
Në kuadër të hapjes së kësaj librarie u shpërndanë edhe gazeta dhe revista “Drita Islame” falas.
Drejtori i Kulturës Genti Kruja në një intervistë ekskluzive për gazetën “Drita Islame” tregon edhe për synimet në të ardhmen, “Kjo është libraria e parë e Komunitetit Mysliman, e cila vjen si rezultat e punës disa mujore të kolegëve, në bashkëpunim me shtëpi botuese nga të gjitha trevat shqipfolëse. Kjo librari dhe qendër e librit islam në shqip, do të shërbejë si pikë referimi zyrtare e KMSH-së për të gjitha botimet islame në shqip dhe më vonë do të pasurohet edhe me libra në gjuhë të huaj për Islamin, të cilët do të shërbejnë, jo vetëm për studiuesit dhe lexuesit vendas, por edhe për të huaj.
KMSH me këtë librari-qendër libri synon që të nxisë hapjen edhe të degëve të veta në myftinitë e mëdha të vendit, një nevojë kjo tepër e madhe për besimtarët e shumtë në rrethet e ndryshme të Shqipërisë.”
Në përfundim drejtori i Kulturës i bëri thirrje për bashkëpunim me librarinë, të gjithë botuesve shqiptarë. /dritaislame/

Latest News