Arkitektura Islame e zhvilluar gjatë kohës së periudhës osmane

09 December 2011 , Posted by artparadox at 2:58 PM


Arkitektura islame është ndër pasuritë kulturore më të çmuara të popullit shqiptar, për deri sa për arkitekturën islame të Shqipërisë të zhvilluar gjatë periudhës osmane mendon se në fazat e para të saj, kryesisht gjatë shek. XIV dhe XV është e prurë nga ushtritë osmane dhe prototipa arkitekturor të cilat janë realizuar në vendet prej ka kanë ardhur ushtritë osmane, të cilat me sukses nga mjeshtër ushtarak janë realizuar edhe në vendin tone.
Rreth stilit dhe autenticitetit të arkitekturës islame të zhvilluar në hapësirën e
Kosovës ekzistojnë disa mendime të cilat studiuesit i kanë artikuluar në mendimet
dhe studimet e tyre shkencore. Kështu disa studiues turk atë e fusin në mesin e veprave osmane dhe e shikojnë si pjesë të pandarë të kulturës materiale osmane dhe në disa raste tentojnë që kryesisht zhvillimet e shek. XV dhe XVI t’i karakterizojnë si trashëgimi turke.
Kështu profesoresha nga Universiteti Teknik i Stambollit, arkitekte restauratore, Zeynep Ahunbay, thekson se arkitektura e xhamive të Prishtinës (dhe të qyteteve tjera të Kosovës) i takon stilit të hershëm osman dhe atij Klasik Osman.(1)
Studiuesit shqiptarë mendojnë se arkitektura islame në Kosovë, gjatë periudhës osmane, ka më tepër element tradicional dhesi e tillë është e dallueshme nga shembujt tjerë të Perandorisë, dhe atë që nga fillimet e saj, si e tillë ajo është trashëgimi shqiptare e Kosovës.
Kështu profesori Fejaz Drançolli, historian i artit nga Universiteti i Prishtinës, në veprën e tij ‘Rrënimi i Kullës Shqiptare’ thekson se elementet autokton të arkitekturës islame në Kosovë janë dominues dhe se pavarësisht ndikimeve nga zhvillimet artistike të Perandorisë Osmane ata paraqesin element dominues për të përcaktuar stilin e kësaj arkitekture. Profesori Fejaz ndërton tezen për stilin dhe origjinalitetin e kësaj arkitekture, sipas të cilës arkitektura islame e Kosovës e zhvilluar gjatë periudhës osmane është e veçantë, dhe si e tillë formon stilin e arkitekturës islamo kosovare.(2)
Përkitazi me këtë çështje një mendim më të integruar paraqet profesori nga Shqipëria, me përvojë disa vjeçare në restaurim dhe teori të restaurimit, Aleksander Meksi në librin e tij ‘Arkitektura e xhamive të Shqipërisë’, fillimisht ai thekson se arkitektura islame është ndër pasuritë kulturore më të çmuara të popullit shqiptar, për deri sa për arkitekturën islame të Shqipërisë të zhvilluar gjatë periudhës osmane mendon se në fazat e para të saj, kryesisht gjatë shek. XIV dhe XV është e prurë nga ushtritë osmane dhe prototipa arkitekturor të cilat janë realizuar në vendet prej ka kanë ardhur ushtritë osmane, të cilat me sukses nga mjeshtër ushtarak janë realizuar edhe në vendin tonë, në Shqipëri. Kurse në shek. E XVI e këndej arkitektura e xhamive u zhvillua kryesisht nën ndikimin vendor dhe si e tillë është origjinale me tipare të theksuara lokale.(3)
Sido që të jetë arti islam i Kosovës i zhvilluar gjatë periudhës osmane është i përmasave të larta artistike, shembujt më përfaqësuese të saj, kryesisht xhamit, janë monumente sa me vlera historike dhe kulturore, po ashtu edhe me vlera artistike. Në arealin e përgjithshëm të zhvillimit të artit dhe arkitekturës në trevën e Kosovës, ky art ka dominuar që nga shek. XV dhe është më i prezantuar në kohën tonë, nga të gjitha artet tjera monumentale. Prandaj edhe trajtimi i tij duhet të jetë korrekt dhe të vlerësohet objektivisht dhe pa subjektivizëm qoftë fetar apo kombëtar.


Arti islam dhe perandoria osmane

Objektet e ndërtuara të artit islam të Kosovës gjatë periudhës osmane janë të llojllojshme, dominues është xhamia, por janë ndërtuar edhe tyrbet, teqe, medresetë, bibliotekat, hamamet, komplekset e çarshive, karvan sarajet, mullinjtë, qeshmet, kullat e sahatit, arkitektura e banimit e fshatit dhe e qytetit etj. Duhet cekur se ndërtimet osmane qysh në fillim të tyre i kanë ndërtuar donatorët shqiptar, pushtetar të islamizuar shqiptar, të cilët nën vasalitetin e sulltanit kishin arritur pozita të larta shtetërore, ndërsa në rrafshin ekonomikë kishin vënë pasuri të mjaftueshme për të financuar kësi lloj ndërtimesh.
Objektet e para të ndërtuara në Kosovë nga donatorë shqiptar janë Hamami i Vushtrrisë dhe Xhamia e Gazi Ali Beut (1410).(4)
Pas kësaj periudhe, Sulltan Mehmeti II dhe Murati i II ndërtojnë disa objekte, të cilat edhe paraqesin monumentet e vetme islame të cilat i kanë ndërtuar donatorët e huaj në Kosovë.(5)
Sido qoftë fuqia më e madhe politike dhe ekonomike e vasalëve shqiptar kishte arritur atëherë kur ishte zhvilluar më tepër edhe vetë Perandoria dhe ndërtimet më madhështore të arkitekturës islam të Kosovës gjatë Periudhës osmane ndodhin në fundshekullin XV dhe gjatë shekullit të XVI, por edhe gjatë shek. XVII.
Objektet më reprezentative të kësaj periudhe, që në fakt paraqesin edhe objektet
më përfaqësuese të tërë arkitekturës islame të Kosovës janë:
Xhamia e Çarshisë,
Xhamia e Llapit në Prishtinë,
Xhamia e Mehmet Pashës,
Xhamia e Saraqhanës (Kuklibeut) në Prizren,
Xhamia e Koxha Sinan Pashës në Kaçanik,
Xhamia e Hadumit në Gjakovë,
Xhamia e Sinan Pashës në Prizren (1615) etj.
Xhamitë e kësaj periudhe i karakterizon skema kompozicionale e ndërtuar nga një sallë unike, në të cilën janë të prezantuara elementet për falje: mihrabi dhe mimberi, sallës zakonisht i paraprinë hajati,në këtë hajat zakonisht arrihet pas një oborri të gjelbëruar dhe me fontana për abdes. Sistemi konstruktiv i tyre është i karakterizuar nga masiviteti, ndërsa kupola është dominuese, përcjellja vertikale e forcave më tutje kryhet nga pandantifët dhe trompet, dy elemente mjaftë të prezantuara në arkitekturën e kësaj kohe.
Objektet tjera po ashtu mirë të prezantuara gjatë kësaj periudhe janë hamamet, të tillë si Hamami i Madh në Prishtinë, Hamami i Haxhi Beut në Pejë, Hamami i Isa beut në Vushtrri, i Gazi Ali Beut në Prizren etj. Edhe çarshitë si komplekse arkitektonike janë mjaftë të prezantuara në hapësirat e Kosovës, ato në fakt janë ndërtuar në vendet e tregjeve paraosmane, dhe me strukturën arkitektonike dhe shtrirjen e tyre urbane paraqesin ndërtime unike, kjo ishte karakteristikë e veçantë e qyteteve shqiptare.(6)
Edhe objektet tjera si tyrbet, teqetë, urat etj paraqesin monumente të cila si për nevoja fetare e po ashtu edhe nevoja tjera publike dhe private janë ndërtuar në numër të madhe të tyre në qytetet ekzistuese të asaj kohe dhe në qytezat të cila filluan të lulëzonin si rezultat i zhvillimit të madh ekonomikë të rajonit në fundshekullin e XV dhe shek. e XVI.



(1) Për këtë shih: ‘Restaurimi i Xhamisë së Hadumit’ CHWB
Kosovo Office, report series No. 10/2007, f. 15 – 25
(2) Për këtë shih ‘Rrenimi i kullës shqiptare’ F. Dranqolli, f. 44- 59
(3) Për këtë shih ‘Arkitektura e xhamive të Shqiprisë’, A. Meksi,
Uegen Tiranë 2007, f. 148 – 156
(4) ‘Monumentet e Kosovës’ IMMK, Prishtinë 2004, (shkrim i I. Regjës ) f. 78
(5) Po aty... f. 77 (6) ‘Rrenimi i kullës shqiptare’ F. Dranqolli, f. 53


Agim Ali

Latest News