Izraeli drejton aeroplanë nga Turqia

02 October 2011 , Posted by artparadox at 10:33 AM


Aeroplanë të sofistikuar luftarakë të Izraelit kanë fluturuar të premten përreth një anijeje kërkimore të Turqisë në Mesdheun Lindor, duke i acaruar edhe më shumë raportet tanimë të tensionuara ndërmjet dy ish-aleatëve, kanë raportuar mediet turke.
Sipas burimeve zyrtare të cituara nga e përditshmja “Today’s Zaman” dhe bazuar në një raport të gazetës tjetër turke “Vatan”, dy aeroplanët luftarakë izraelitë “F-15” kanë fluturuar të enjten vonë mbi anijen turke, e cila po kryen operacione kërkimi në ujërat e Qipros së kontestuar nga shteti turk. Turqia ka bërë të ditur se Izraeli me këtë veprim i ka shkelur ligjet e hapësirës ajrore. Raporti po ashtu bën të ditur se Turqia menjëherë ka aktivizuar aeroplanët luftarakë “F-16” për t’i përndjekur aeroplanët izraelitë. Incidenti ka ndodhur në kohën, kur janë rritur shkëmbimet verbale ndërmjet të dy shteteve, pasi Izraeli refuzoi ftesën turke për kërkimfalje, pas vrasjes së nëntë aktivistëve turq në flotën e Gazës në ujërat ndërkombëtare afër Gazës.
Dërgimi i anijes turke të kërkimeve ka nxitur reagimin e Qipros greke, e cila pretendon se territori ujor është pronë e saj dhe se Turqia po shkel të drejtat ndërkombëtare të ujërave.
“Ne kemi treguar se nuk do të lejojmë që Mesdheu Lindor të bëhet një qëllim i qipriotëve grekë dhe i izraelitëve”, ka thënë një zyrtar i lartë turk, raportojnë mediet e Turqisë, transmeton agjencia Reuters./koha

Latest News