Kompania franceze e ka pajisur Gaddafin për spiunim të Internetit

20 September 2011 , Posted by artparadox at 6:52 AM


Gazeta amerikane The Wall Street Journal, duke hetuar selinë e teknologjisë së lartë për spiunim të ish-liderit libian Muammar Gaddafi në Tripoli, ka zbuluar që kjo ishte e pajisur kryesisht me ndihmën e Amesys, degë e kompanisë informatike franceze Bull SAS. Gazeta po ashtu thekson pohimet e burimeve të veta që Amesys në vitin 2009 i kishte siguruar Gaddafit teknologjinë për mbikëqyrje detajore të trafikut të Internetit.
Konkretisht bëhet fjalë për sistemin Eagle për spiunim të komunikacionit nëpërmjet Internetit, që është në gjendje që mes tjerash të “kapë” dhe të lexojë e-mailat nga Hotmaili, Gmaili dhe Yahoo Maili, si dhe qasjen real time në bazën komplete të trafikut të Internetit duke futur fjalët kyçe në sistem. Në mesin e dokumenteve të gjetura në këtë seli, për shembull, gjendet edhe transkripti i Yahoo chatit të një prej aktivistëve dhe të dashurës së tij.
Në web sajtin e vet, Amesys i ka përshkruar pajisjet me emrin GLINT, bazuar në teknologjinë Eagle, si mjet për “kapje” dhe mbikëqyrje të komunikimit në nivel kombëtar. Kjo kompani ndërkohë të dhënat për këtë i ka larguar nga sajti i vet.
Në murin e një prej hapësirave të selisë libiane për përgjim gjendet mbishkrimi me logon e Amesys: “Na ndihmoni që puna juaj e besueshme të mbetet e fshehtë. Mos bisedoni për informatat sekrete jashtë ndërtesës”.
Amesys e ka minimizuar rolin e vet në tërë këtë mesele, duke thënë që kjo kompani ish-regjimit në Libi i ka mundësuar mbikëqyrje vetëm të një pjese të vogël të komunikimit në Internet. Në fund të deklaratës për shtyp në mënyrë indirekte theksohet që mund të padisin këdo që ua rrënon imazhin pa bazë.
Teknologjinë për mbikëqyrje të Internetit ia kishin ofruar Gaddafit edhe kompania kineze për telekomunikim ZTE, si dhe VASTech nga Afrika e Jugut, e cila i kishte mundësuar regjimit përgjimin e bisedave telefonike ndërkombëtare në Libi. /koha/

Latest News