Më 2 shtator sërish falen në rrugë

30 August 2011 , Posted by artparadox at 10:03 AM


Besimtarët myslimanë edhe këtë të premte do të falin namazin e xhumasë në udhëkryqin afër Xhamisë së Qarshisë në Prishtinë. Në emër të Lëvizjes “Bashkohu”, Fuad Ramiqi ka thënë se kjo situatë do të përsëritet si shenjë proteste për mosndarjen e hapësirës për ndërtimin e xhamisë dhe mos miratimin e ligjit për futjen e mësim-besimit nëpër shkolla publike.
Ramiqi ka thënë se përveç premtimeve nga kreu i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e xhamisë, diçka konkrete nuk ka pasur, prandaj edhe Lëvizja “Bashkohu” paralajmëron protestë.
“Ne kemi vendosur që më 2 shtator, ditën e premte, kur është namazi i xhumasë ta falim namazin e xhumasë te trekëndëshi, pastaj të vazhdojmë te komuna dhe nga komuna drejt edhe para Qeverisë”, ka thënë ai.
Duke folur në emër të xhematit, Fuad Ramiqi ka folur edhe lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht votimi kundër futjes së mësimit fetar nëpër shkolla.
Ai ka vlerësuar se ende në politikën kosovare po mbizotëron mentaliteti komunist i frymëzuar nga ideologjia sllavo-komuniste.
“Zhvillimet e djeshme në Parlamentin e Kosovës edhe njëherë e dëshmuan se ende në politikën kosovare mbizotëron ideologjia ose mentaliteti komunist i frymëzuar nga ideologjia sllavo-komuniste. Mbulesa për neve është çështje fundamentale edhe si shoqëri, por edhe si shtet demokratik do të duhet të jetë nesër i përfshirë në integrimet evropiane dhe më gjerë, duke i respektuar të drejtat fondamentale të drejtave të njeriut”, ka theksuar ai.
Ramiqi ka shtuar se ajo çka ka ndodh dje, ka qenë një abuzim dhe një manipulim nga koalicioni qeverisës. Madje, ai ka theksuar se Ipeshkvia e Kosovës ka bërë presion tek partitë politike që mos të votojnë këtë ligj, derisa në gjithë Evropën kjo e drejtë implementohet./express/

Latest News