Tariq Ramadan në Kosovë

01 June 2011 , Posted by artparadox at 11:34 AM

Me ftesë të: "Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim" (AKEA), Kosovën e vizitoi Dijetari dhe Filozofi Zviceran: Tariq Ramadan. Në ambientet e mrekullueshme të Qendrës Kulturore AKEA ai mbajti një ligjëratë në temën: "Çka i ofron Islami Evropës në shek XXI" me çka i mahniti më se 750 kosovarë të cilet kishin mbushur amfiteatrin dhe katin e dytë të AKEA-s e të cilët kishin ardhur ta takojnë dhe dëgjojnë: "Buldozerin e promovimit të lirisë së mendimit dhe vlerave të Shura-demokracise" siç u shpreh në fjalën hyrëse Husamedin Abazi - Kryetar i AKEA-s.

Respektimi i rrënjëve
Profesori i Oxfordit Tariq Ramadan, në fillim të ligjëratës foli për esencën e njeriut në jetën e tij, pra kujtimi dhe rikthimi tek rrënjët dhe njohja e të kaluarës së lavdishme Islame, “Respektoni rrënjët tuaja, të kaluarën, vetëveten dhe principet tuaja” u shpreh T.R dhe shtoi: “Muslimani nëse dëshiron të jetojë sipas këtyre normave duhet t’i njohë dhe studiojë rrënjësisht dy gjëra: historinë (të kaluarën) dhe fenë. nëse muslimani nuk i njeh rrenjesisht këto dy fusha jetike, ai patjetër do të bëhet pjesë e ndonjë ideologjie dhe rryme të gabuar. E themi këtë, sepse muslimani duhet të lexojë shumë rreth historisë dhe fesë, ky është parim Hyjnor i kodit Kuranor, ku Zoti na urdhëron: Lexo, mëso, studio. Ky varg kuranor kodifikon teorinë se: Islami është i tëri sistem i diturisë universale në plotni. Forma është urdhërore në atë që porosite Zoti dhe Profeti, e ne na mbetet ta aplikojmë atë që na është urdhëruar dhe ketu nuk ka laternativë".

Reformimi i vetevetes
Por si t’i rikthehemi dashurisë së leximit, mësimit e formimit të personalitetit tonë? Kjo kërkon një rikthim në zemrat tona, sepse zemra është e lidhur me Zotin, është në kërkim të rikthimit te esenca, por mëkatet dhe punët ndoshta i bëjnë zemrës padrejtësi në rrugëtimin e saj drejtë Zotit, theksoi profesori Tarik. Kërkimi në rikthimin e kontrollimit të zemrës sonë është kërkesë Hyjnore. Kontrollimi i zemrës, gjuhës, punës, është kërkesë edhe e Profetit Muhamed drejtuar njerëzimit. Për këtë model sjelljeje profesori solli një shembull nga tradita profetike, një thënie të Ajshes për Profetin, e cila kishte theksuar: "Morali i tij ishte Kur’ani, ishte Kuran i gjallë që ecte mbi tokë". Është ky një mesazh se duhet të jetohet me Kuranin dhe traditën profetike.

Edukimi si sjellje specifike
Edukimi është sjellje e veçantë dhe specifike e njeriut. Por lind pyetja: a mund të edukohemi si muslimanë evropianë? Përgjigjja është: po. Kur Muslimanët erdhën nga Azia, Afrika dhe vendet e tjera në Everopë, ata u pranuan si qytetarë të klasës A, sepse në Evropë ata sollën shkencën, artin, filozofinë, etikën, sociologjinë, e shumë shkenca të tjera. Profesori ju drejtua masës me emërtimin se ju jeni muslimanë kosovarë (Shqiptare), kjo është normale. Sepse Islami ka shumë kultura, pra është heterogjen, ne mund të jetojmë si musliman, por me kultura dhe identitete të ndryshme në: veshje, gjuhë, jetesë, komunikim. Veshja si specifikë këtu ka kuptimin e zgjedhjes së sharmit dhe ngjyrës së teshës, por brenda normave Islame. Kultura dhe Islami janë çështje të ndryshme theksoi profesori, duke skicuar idenë se: Gjuha arabe është gjuhë e Kur’anit, por kultura arabe nuk është kulturë e Islamit. Kjo nënkupton se secili popull mund të jetojë me gjuhën, kulturën e identitetin e vet brenda strukturës Islame. Islami është multikulturor, e si i tillë kërkon angazhim në secilën fushë për ta kompletuar sistemin e përkryer të Islamit. Islami kërkon nga ne ngazhim në arte, shkenca, imagjinatë, dhe gjithë këtë për ta komponuar karakterin e tij universal. Edukimi si sjellje specifike, është aftësia, mundësia dhe domosdoshmëria për ta ndryshuar botën. Edukimi i mirë sjell njohje të saktë dhe drejtësi. Drejtësia Islame është kërkesë shoqërore e botërore, Islami është kundër racizmit, racizmi dhe urrejtja nuk i përkasin Islamit. Ne duhet të jemi të hapur ndaj të gjitha kulturave, sepse të parët tanë ishin të hapur ndaj të gjithëve, nënvizoi profesori. Islami është një lajm i mirë, kjo nënkupton pranim të mesazhit të rëndë dhe shpërdarje të tij si porosi për gjithë njerëzimin. Islami është dashuri dhe falje, e jo mallkim e ndëshkim. Duhet të falni, mësoni e dashuroni, sepse dashuria dhe falja janë lajmi i mirë i islamit. Porosi e profesorit për edukimin e të rinjve tanë ishte: ”Mund të jeni i mirë sot, por nesër nuk e dini”. Mos i gjykoni njerëzit, por punën e tyre, gjykimi i takon Zotit, Supremit, Apsolutit e jo njeriut. Edukimi sjell drejtësi apsolute, kjo nënkupton kërkesën e Zotit për të qëndruar në rrugën e tij si drejtësi e dëshmi, një binom i pandashëm për një qëllim të përbashkët. Drejtësia është kërkesë Hyjnore që njeriu të bëhet i drejtë me vetveten e tij, njerëzit e tjerë, gratë, njerëzit e varfër dhe qeniet tjera. Edukimi arrihet me lexim, e leximi është alternativa e vetme për ta njohur Zotin, këto janë shenjat themelore të njohjes së Zotit, Apsolutit, të Përjetshmit, të Pavdekshmit. Ky është postulati i Islamit i lidhur për një qendre, pra i përqendruar aty. E kundërta e gjithë kësaj është formaliteti ose iluzioni me vetveten dhe Supremin. Tariq Ramadani po ashtu porositi që femra të edukohet dhe të marrë rolin e saj në procese vendim marrëse. Ajo duhet të ndihmohet e te respektohet në secilën fushë të punës e të dijes.
Porosia e fundit e profesorit në aspektin edukativ ishte leximi i librit (Librave) e jo vetëm hyrja në internet dhe mësimi i sa më shumë gjuhëve botërore.

Fitim Veliu, Prishtinë

Latest News