Gjermania me xhami ekologjike

15 June 2011 , Posted by artparadox at 11:13 AM


Një komunitet i vogël mysliman në veri të Gjermanisë, ka vendosur të përdorë burime të ripërtërishme energjetike, me një plan interesant për të ndërtuar një xhami me turbina ere në minaret e saj. Projekti me vlerë prej 2.5 milionë euro do ta bëjë xhaminë në Norderstedt, pranë qytetit të madh të Hamburgut, njërën prej të parave që do t’i shndërrojë minaret në një burim të energjisë me erë.
Konstruksioni ekologjik është ide e arkitektit Selcuk Ünyilmaz nga Hamburgu, i cili prej kohësh ka inkorporuar efikasitet energjetik në projektet e tij.
“Mendova se si të mund t’i jepnim arkitekturës fetare një fokus ekologjik”, është shprehur ai. “Dizajni im kombinon modernen me tradicionalen, kështu që desha t’u jap minareve një funksion bashkëkohor”.
Turbinat e erës do të vendosen në dy minare 22 metra të larta, dhe Ünyilmaz planifikon të instalojë helika të qelqta prej 1.5 metra në secilën prej tyre. Në kohë të caktuara të ditës, drita do të rrezatojë në helikat e xhamisë së re për të krijuar një lloj të shfaqjes me drita.
Deri tash, shoqata prej 200 pjesëtarësh, pjesë e Unionit Turko-Islamik për Çështje Fetare, është dashur të strehojë komunitetin fetar në një ndërtesë të vjetër 100-vjeçare.
Por, muajin e kaluar autoritetet lokale aprovuan planet për projektin novator, i cili do të ketë 1.300 metra katrorë hapësirë dhe do të përbëhet nga dy pjesë, nga xhamia dhe nga një ndërtesë më e madhe, që do të përmbajë dyqane, një kafene, një berberhane dhe zyra.
“Ne dëshirojmë të krijojmë një vendtakim për njerëzit e të gjitha feve dhe kombësive”, ka thënë Ugur Sütcü, kryetar i shoqatës fetare të qytetit Norderstedt. “Do të ketë shërbime këshilluese në ofertë, si dhe aktivitete sociale, kulturore dhe sportive”, ka bërë të ditur ai.
Skema e Ünyilmazit ka ardhur në një kohë të përshtatshme. Gjermania posa ka aprovuar një plan për të hequr dorë nga energjia bërthamore më 2022, dhe tash po bëhet presion për të kompensuar mungesat përmes përforcimit të sektorit të energjisë së ripërtërishme.
Komuniteti në Norderstedt mund të pajtohet me idenë novatore për xhaminë e re, por ai nuk ka ende fonde për projektin.
Megjithatë, kjo është diçka që nuk e shqetëson shumë Sütcün. “Kemi besim se mund të grumbullojmë paratë e nevojshme”, është shprehur ai.
Qyteti bregdetar ndodhet në një vend të përkryer për prodhim të energjisë me erë, ndërkaq minaret do të ndihmojnë për sigurimin e një të tretës së energjisë së saj. (The Guardian)

Konkurrenca nga Londra
Për të bindur disa prej anëtarëve më skeptikë të komunitetit për veçoritë e dizajnit të tij, arkitekti është munduar të gjejë xhami të tjera me turbina të ngjashme ere. Por, ai nuk ka mundur të gjejë asnjë shembull tjetër të ndërtuar.
Xhamia gjermane nuk do të jetë e para e llojit të saj, megjithatë, pasi që grupi misionar islamik “Tablighi Jamaat” gjithashtu po planifikon të ndërtojë një xhami ekologjike me turbina ere në minaret e saj, në kohën e Lojërave Olimpike Verore, që do të zhvillohen më 2012 në Londër të Britanisë së Madhe. /zeri/

Latest News