Erdogani: Muhamedi a.s. politikan, korri sukses me besueshmërinë e tij

10 June 2011 , Posted by artparadox at 3:06 AM


Gjatë vizitës që një grup të rinjsh, përfaqësues të revolucionit egjiptian, kanë zhvilluar këto ditë në Turqi, janë takuar edhe me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan. Gjatë vizitës së kryeministrit, ky i fundit, ndër të tjera u kërkoi të ndjekin modelin e profetit Muhamed a.s në marrjen me politikë, zgjedhjen e kandidatëve dhe komunikimin me rrymat e ndryshme dhe jomyslimanët. Ai theksoi rëndësinë e fokusimit të përpjekjeve në zgjedhjet lokale, gjë e cila lehtëson funksionimin e demokracisë në çdo fushë më vonë.
Pasi kishte qëndruar tre orë rresht para simpatizantëve të tij gjatë një takimi elektoral, Erdogani bashkë me të shoqen dhe dy vajzat iu drejtua delegacionit egjiptian, të cilët i përshëndeti në arabisht:”Esselamu alejkum! Kejfe halukum (si jeni)?”
Gjatë fjalës me të rinjtë e revolucionit egjiptian, Erdogani u tha:”Ne besojmë se regjimet diktatoriale nuk përkojnë me natyrën e njeriut. Në këto regjime, njerëzit adhurojnë njerëzit, sakaq ne nuk jemi robër të njerëzve, por të Zotit të njerëzve. Ne kemi qëndruar pranë jush dhe pranë të gjithë revoltave që përfshinë botën arabe, të cilat filluan në Tunizi, u shtrinë në Egjipt dhe që andej në vendet e tjera.”
Lidhur me vizionin e tij për demokracinë, Erdogan tha: ”Demokraci e vërtetë është ajo që i siguron të drejtat themeltare qytetarëve, u jep të drejtat që u takojnë gruas dhe fëmijëve dhe garanton lirinë e fesë të gjithë besimeve të tjera.”
Lidhur me marrëdhëniet me besimet e tjera, Erdogan shtoi: ”Duhet ti respektojmë të gjithë besimet. Profeti Muhamed a.s mori edhe votat e jomyslimanëve në Medine, jo sepse ishte i dërguari i Zotit, por sepse njihej si “Muhamedi besnik”. Lidhur me respektin e mendimeve të ndryshme të Profetit a.s, Erdogani u kujtoi hadithin: ”Mos ua shani zotrat e tyre, që mos shajnë Zotin tonë.”
Përsa i përket politikanit të suksesshëm, Erdogani tha: ”Ai duhet të mishërohet me moralet më të larta, amanet dhe pastërti. Ai duhet të gëzojë besimin e njerëzve.”

Zgjedhjet vendore janë më të rëndësishme
Kryeministri Erdogan u bëri thirrje të rinjve egjiptianë që ti kushtojnë rëndësi zgjedhjeve vendore, pasi ato janë rruga e vetme për zbatimin e demokracisë në vend dhe për kandidatë, të zgjedhin më të mirët dhe të besueshmit.
Lidhur me këtë pikë, ai tha: ”Demokracia duhet të vijë nga poshtë, pra të fokusohemi kryesisht tek nevojat e njerëzve dhe tek infrastruktura e cila i shërben komunitetit. Duhet filluar me zgjedhjet lokale, me qëllim që demokracia të ngrihet në baza të shëndosha.”
Edhe pse qëllimi i vizitës ishte njohja me përvojën politike turke, Erdogani u tha të rinjve egjiptianë:”Duhet të prodhoni një përvojë tuajën, pasi çdo shtet ka specifikat e tij të cilat e dallojnë nga shtetet dhe vendet e tjera. Kjo, edhe pse përvojat e të tjerëve duhen studiuar dhe duhet përfituar prej tyre.”
Lidhur me eksperiencën e tij me krerët e regjimit të mëparshëm në Egjipt, Erdogan tha:”Një herë kam marrë pjesë në një konferencë në Sharm Sheikh me krerët e disa shteteve. Një përfaqësues egjiptian më pyeti:”Sa kohë u duhet të shpallni rezultatet e zgjedhjeve në Turqi?” Unë i thashë se shpallen në të njëjtën ditë të votimit. Kurse ai shtoi: ”Tek ne na nevojiten disa javë derisa të shpallim rezultatin.” Kjo do të thoshte se ata i manipulonin rezultatet.”
Mandej, Erdogan u tha të rinjve egjiptianë se po punonte për një revolucion të ri në Turqi, revolucionin e ndryshimit të koncepteve dhe zhvillimit shkencor e teknologjik.
Aktivistët egjiptianë u bënë thirrje autoriteteve turke që të hapin një degë të universitetit të Ez’herit në Turqi, si dhe një universitet turk në Kairo, me qëllim që të rriten shkëmbimet kulturore mes dy vendeve.
Delegacioni i të rinjve të revolucionit është takuar edhe me presidentin Gyl, si dhe me ministrin e jashtëm turk, Ahmed Dautoglu. /ardhmeriaonline.com/

Latest News