U dëshmua prejardhja çifute e Leninit

26 May 2011 , Posted by artparadox at 12:20 PM


Me publikimin e dëshmive nga ana e Muzeut të Moskës, morën fund thashethemet për sa i përket prejardhjes çifute të Leninit. Muzeu nxorri në pah mjaft dokumente në lidhje me liderët bolshevikë.


Ndër dokumentet që u ekspozuan nga ana e Muzeut Shtetëror të Historisë në Moskë ishte edhe një letër e Anna Uljanovas, motrës së themeluesit të Bashkimit Sovjetik dhe Audhëheqësit të Revolucionit Bolshevik, Valdimir Iliç Lenin, dërguar më 1932 në adresë të Stalinit, e në të cilën ceket qartë prejardhja e Leninit. Në letër, ndër tjerash thuhet se gjyshi i tyre, për të shpëtuar nga politikat anti-çifute të Rusisë së shek. XVIII-XIX, dhe për të pasur mundësi më të mëdha arsimimi, nga të qenët çifutë të Ukrainës u konvertuan në të krishterë. Në vazhdim ceket se “babai i gjyshit tonë vinte nga një familje e vobektë çifute nga Zhitomiri (qytet në perëndim të Ukrainës) dhe sipas çertifikatës së pagëzimit quhej Moses Blank. Vladimir Iliçi çdoherë kishte mendime të mira për çifutët. Mua më vie keq se nuk i dinim saktësisht rrënjët e prejardhjes sonë deri sa ai (Lenini) ishte gjallë.”
Më tej ajo kërkonte nga Stalini që të ndalonte bindjet dhe qëndrimet anti-çifute të komunistëve duke iu treguar atyre për prejardhjen dhe mendimet e Leninit.
Punët që kishin filluar për mbrojtjen e kulturës hebraike në kohën e Leninit morën karakter tërësisht të kundërt në kohën e Stalinit, i cili kishte për qëllim ndarjen e komunistëve nga çifutët dhe fillimin e jetësimit të planit, sipas të cilit, të gjithë çifutët e Bashkimit Sovjetik, do të vendoseshin në kufi me Kinën.
Lenini, i lindur më 1870, veten e identifikonte si rus. Biografia e tij zyrtare është e shkruar nga ana e mbesës së tij, Olga Uljanova, e cila thekson se familja e tyre ka rrënjë ruse, gjermane dhe suedeze.

Stalini e kishte fshehur letrën
Zyrtarja e Muzeut Shtetëror të Historisë, Tatjana Koloskova, thekson se Stalini nuk i përfilli kërkesat që ishin në letër dhe kishte dhënë urdhër që letra të mbahej fshehtë.
Letra e Uljanovës kishte rënë në duart e historianëve rusë qysh në vitet 90’, mirëpo kishte pasur mospajtime ndërmjet tyre për sa i përket vërtetësisë së saj.
Në kohën e Rusisë Cariste,ishte i paraparë programi, sipas të cilit çifutët kishin të drejtë të jetonin kryesisht në Lituani, Bellorusi, Poloni, Moldavi dhe Ukrainë.

Edhe Troçki ishte çifut
Përpjekjet e bolshevikëve kundër regjimit të kohës në Rusi, janë mbështetur edhe nga çifutët. E kur bolshevikët erdhën në pushtet më 1917, në udhëheqesinë e Partisë Komuniste kishte mjaft çifutë. Njëri ndër udhëheqësit e njohur të Partisë Komuniste, Leon Troçki, (emri i vërtetë, i të cilit ishte Brontstein) kishte prejardhje çifute.

Lenini kërkoi helm nga Stalini
Motra e vogël e Leninit, Maria Uljanova, në ditarin e shkruar në vitin 1922, vitin kur u paralizua Lenini, tregon se ai (Lenini) kishte kërkuar që Stalini t’i sillte helm. “Ai, jo rastësisht kishte kërkuar një gjë të tillë pikërisht nga Stalini, sepse tek ai e shihte figurën e një bolsheviku të vërtetë, të çliruar nga çfarëdo lloj ndjenje dhe mjaft të vendosur në ideal. Përndryshe kush do të mund të kishte guximin të tentonte në mbytjen e Leninit?”- shkruante ajo.

Dolën në dritë 111 dokumente
Për herë të parë u publikuan 111 dokumente, të cilat sjellin mjaft dëshmi rreth ish-funksionarëve të lartë të Bashkimit Sovjetik.
Përveç dokumenteve, në muze, kishin zënë vend edhe disa karikatura të ish- udhëheqësve komunistë si Stalini e Valerij Meljauku.
Ekspozita në Muzeun Shtetëror të Moskës do të jetë e hapur deri më 3 korrik.

Shqipëroi: Ditar Kabashi

Latest News