Ilahitë islame

27 May 2011 , Posted by artparadox at 12:31 PM

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, përshëndetjet dhe nderimet ia dërgojmë të dërguarit të Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), familjes, shokëve të tij dhe gjithë atyre që pasojnë udhëzimin e tij deri në ditën e gjykimit.

Ajo që njihet sot me emrin “ilahi islame” ka ekzistuar edhe në kohët e mëparshme, por e quajtur ndryshe. Në atë kohë ilahitë njiheshin me emrat “Tagbir” dhe “Kasaid”.
Të parët tanë të ndershëm ua tërhoqën vërejtjen njerëzve nga ilahitë dhe gjërave të ngjashme me to. Kur është pyetur imam Ahmedi se çfarë mendimi kishte për personat të cilët merreshin me kasaid, është përgjigjur: Eshtë bidat dhe ulja me ata që e praktikojnë nuk lejohet.


Ndërsa, imam Shafiu ka thënë: Në Bagdad lashë pas diçka të cilën e kishin shpikur zindikët (prishësit e fesë), e quanin “tagbir” dhe e përdornin me qëllim që të largonin njerëzit sa më shumë nga Kurani.

Pas fjalës së imam Shafiut, Ibën Tejmija shprehet duke thënë: Kjo tregon njohjen dhe diturinë e plotë të imam Shafiut në këtë fe. Dihet se kur zemra mësohet duke dëgjuar vargje dhe ilahi, ndien kënaqësi e si rrjedhojë ndodh largimi nga dëgjimi i Kuranit. Pra, njeriu mjaftohet duke dëgjuar shejtanin në vend që të dëgjojë Rrahmanin.[1]

Gjithashtu ka thënë: Ata të cilët dëgjonin këtë gjë të shpikur të cilën imam Shafiu e konsideroi si shpikje dhe prishje të fesë, nuk merrnin pjesë në këto tubime me gra e djelmosha, në praninë e tingujve dhe fyejve. Përkundrazi, poezitë që këndonin ftonin në asketizëm dhe zbusnin zemrat.[2]


Dijetari i islamit Ibën Tejmije, u pyet për një person i cili e konsideron dëgjimin e këtyre fjalëve metodë për të thirrur njerëzit që të pendohen tek Allahu nëpërmjet tyre. Teksti origjinal i pyetjes është: Një grup njerëzish bënin gjynahe të mëdha, si; vrasja, vjedhja, pirja e alkolit etj. Një shejh i njohur si i mirë në mesin e tyre dhe për pasim të sunetit, deshi ti ndalonte këta njerëz nga gjynahet e mëdha, por nuk gjeti rrugë tjetër përpos këtij lloj grumbullimi në mënyrë që të dëgjojnë. Fjalët që do të këndoheshin do të shoqëroheshin me def, pa tinguj, ndërsa kënga do të ishte poezi e lejuar dhe e pashoqëruar me fyell. Kur u realizua ky takim, u penduan një grup prej tyre derisa ai që nuk falej, ai që vidhte dhe ai që nuk jepte zekat, filluan të ruheshin nga dyshimet, ti praktikojnë detyrimet dhe tu largohen të ndaluarave.


A i lejohet kjo vepër këtij dijetari përderisa në praktikimin e saj ka shumë përfitime, dhe duke mos harruar faktin se dijetari nuk mundet ti thërrasë në rrugë të drejtë, vetëm se në këtë mënyrë?


Dijetari i islamit Ibën Tejmije u përgjigj me një përgjigje të zgjeruar: Me të vërtetë që dijetari që përmendet ka patur për qëllim pendimin e tyre nga gjynahet e mëdha, dhe nuk gjeti rrugë tjetër vetëm se këtë që u përmend; rrugën e bidatit (shpikjes). Kjo tregon qartë injorancën e këtij dijetari rreth rrugëve të lejuara, nëpërmjet të cilave pendohen mëkatarët, ose ky dijetarë nuk ka mundur ti gjejë ato.


Dijeni se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), shokët e tij dhe tabiinët (ata që erdhën pas shokëve të tij) thërrisnin njerëz më të këqinj se këta që u përmendën, siç ishin; ithtarët e mosbesimit dhe mëkateve. Ata thërrisnin me rrugë të lejuara nëpërmjet të cilave Allahu i bëri të mos kenë nevojë për rrugët e shpikura.[3]


Nga dëmet e të ashtuquajturave “ilahi islame”, janë:

1) Janë shpikje në fe dhe ngjasojnë me shpikjen e Sufijve,

2) Eshtë përngjasim me ithtarët e librit,

3) Quhen islame por islami qëndron shumë larg tyre,

4) Eshtë përngjasim me mëkatarët dhe meloditë që ata përdorin në këngët e tyre,

5) Ndodhë ajo që quhet “fitne (mahnitje)” ndaj zërave të bukur e të hollë,

6) Hutojnë të rinjtë nga Kurani dhe dija e dobishme,

7) I mëson dëgjuesit të dëgjojnë edhe muzikën e paturpshme,

8) Përdoret për ti ftuar të tjerët në parti dhe grupacione të ndryshme,

9) Shoqërohet edhe me vegla muzikore, si; defi etj.


Më poshtë do të paraqesim disa fetua (thënie) të dijetarëve të sunetit, në lidhje me “ilahitë islame”


Dijetari i madh, Muhamed Nasirudin el Albani: "Ilahitë islame janë prej veçorive të Sufijve"


Pyetje: Cfarë gjykimi kanë të ashtuquajturat “ilahi islame”?

Përgjigje: Ajo që mendoj unë për këto ilahi fetare, të cilat kanë qenë veçori e tarikateve sufije ku shumë djelmosha besimtarë i kritikonin ato, është se ata arrinin në ekstrem duke lavdëruar Profetin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Ato përmbanin kërkim ndihme nga të tjerë përveç Allahut të Madhëruar.

Pas ilahive që përmendëm erdhën disa ilahi të reja, të cilat sipas meje ndryshojnë nga ato që kanë qenë më parë. Në to ka ndryshime të shumta përsa i përket largimit nga shirqet dhe idhujtarizmat që gjendeshin në ilahitë e mëparshme. Ajo që duhet të dimë të gjithë, është fakti se çdo muslimani i del si detyrë të zbulojë rrugën në të cilën ka qenë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Kushdo që kërkon në librin e Allahut dhe në hadithet e të Dërguarit të Tij, madje edhe në udhëzimin e të parëve tanë të mirë, kurrsesi nuk mund të gjejë nga ato që sot i quajnë; ilahi fetare.

Edhe pse në ilahitë e sotme kanë ndryshuar shumë nga gjërat që gjendeshin në ilahitë e vjetra, siç ishte; teprimi në lavdërimin e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), neve na mjaftojnë si argument për mospranimin e këtyre ilahive, të cilat po përhapen në mesin e të rinjve me pretendimin se nuk përmbajnë ndonjë thyerje rregulli në sheriat, pra na mjaftojnë si argument dy gjëra. E para: Këto ilahi nuk ekzistonin në udhëzimin e të parëve tanë të mirë, dhe e dyta; Me sa kam vënë re, në realitet ato janë të rrezikshme. Po vërejmë të rinjtë musliman se po hutohen mbas këtyre ilahive fetare, madje i këndojnë ato siç thuhej më para “Huxhejra” në çdo kohë.

Kjo i largoi ata nga kujdesi për të lexuar Kuranin, apo për të përmendur Allahun e për të bërë salauate mbi të dërguarin e Tij (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ashtu siç ka ardhur në hadithe të sakta. Për këtë shkak apo për ndonjë tjetër i cili largon nga e vërteta, Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Lexojeni bukur Kuranin dhe mbajeni fortë atë. Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se ky Kuran largohet nga krahërorët e burrave më shpejt se deveja e zgjidhur.[4]



Dijetari i madh, Muhamed bin Salih el Uthejmin: "Ilahitë islame, ilahi të shpikura"


Pyetje: A lejohet që një grup burrash të këndojnë së bashku ilahi? A lejohet që të shoqërohet këndimi i tyre me përdorimin e defit? A janë të lëjuara ilahitë përveç në bajrame dhe në dasma?

Përgjigje: Ilahitë islame janë ilahi të shpikura dhe përngjasojnë me atë që shpikën Sufijtë. Duhet të distancohemi nga ato dhe të shkojmë tek këshillat e Kuranit dhe sunetit, me përjashtim të momenteve të luftës kur ato nxisin për të përparuar në luftë në rrugë të Allahut, kjo është diçka e mirë. Nëse në këtë rast i bashkohet ndonjë vegël muzikore si defi, atëherë kjo është më larg të vërtetës.[5]


Dijetari i madh, Salih el Feuzan: "Na del si detyrë që të ruhemi nga këto ilahi, ta ndalojmë shitblerjen dhe qarkullimin e tyre"


Dijetari i nderuar Salih el Feuzan ka thënë: Ajo që duhet të kemi parasysh është se; ajo që qarkullon me shumicë në mesin e të rinjve musliman, kasetat e inçizuara me ilahi me zë të përbashkët të cilat i quajnë “ilahi islame”, në realitet janë një lloj muzike. Ka raste që këto ilahi këndohen me zëra provokues, madje shiten nëpër panairet e kasetave bashkë me kasetat e Kuranit dhe ligjëratave fetare. Pra, emërtimi i tyre si “ilahi islame” është i gabuar, sepse islami nuk na ka lejuar ilahitë por na ka lejuar; përmendjen e Allahut të Madhëruar, leximin e Kuranit dhe kërkimin e dijes së dobishme.

Ilahitë i përkasin fesë së shpikur të Sufijve, të cilët e konsiderojnë fenë dëfrim dhe lojë. Gjithashtu, nëse do ti konsiderojmë ilahitë si pjesë të fesë, kjo do të thotë tu shëmbëllejmë të krishterëve të cilët e kanë shndërruar fenë e tyre në tinguj dhe këngë në grup.

Eshtë detyrë për ne që të kemi kujdes nga këto ilahi, ta ndalojmë shitblerjen dhe qarkullimin e tyre. Kësaj që thamë i shtoni edhe faktin që këto ilahi përmbajnë dhe nxisin fitnet (përçarjet) si pasojë e entuziazmit të tepruar, duke krijuar kështu rrëmujë në mesin e muslimanëve.

Ai që merret me qarkullimin e këtyre ilahive, mund të argumentohet duke thënë se; para Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) recitoheshin poezi dhe ai i dëgjonte duke i miratuar ato.

Këtij personi i përgjigjemi duke thënë; poezitë që recitoheshin në prezencë të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) nuk recitoheshin në kor dhe me zë si këngët, gjithashtu nuk quheshin “ilahi islame” por “poezi arabe” të cilat përmbanin fjalë të urta, shembuj, cilësi të trimërisë dhe bujarisë. Sahabët nuk i recitonin ato në kor, dhe pse përmbanin kujtime të rëndësishme. Ata recitonin poezi në kohën kur kishin punë të lodhshme, siç është; ndërtimi apo udhëtimi natën.

Kjo që thamë tregon për lejimin e këtij lloji recitimi në raste të veçanta, dhe jo të shndërrohet në një prej arteve të edukimit dhe thirrjes për në rrugë të Allahut, siç po ndodh sot.

Këto ilahi u mësohen nxënësve duke i quajtur ilahi islame ose fetare, por kjo padyshim që është shpikje në fe dhe bën pjesë në fenë e shpikur të Sufijve, sepse vetëm ata njihen që ti kenë konsideruar ilahitë si pjesë të fesë.

Na del si detyrë që të jemi të kujdesshëm ndaj këtyre kurtheve dhe të ndalojmë shitblerjen e tyre. E keqja fillon me pak, por me kalimin e kohës rritet e shumohet nëse ne nuk e shkatërrojmë që në fillimet e saj.[6]

"Nuk ekziston termi “ilahi islame” në librat e të parëve tanë të mirë"

Pyetje: Dijetari ynë i nderuar! Janë shtuar fjalët rreth ilahive islame, madje disa i kanë lejuar ato, e disa thonë se këto ilahi i përdorin në vendë të kasetave muzikore. Cili është mendimi juaj?

Përgjigje: Ky lloj emërtimi nuk është i saktë, madje është emërtim i shpikur sepse nuk ekziston në librat e të parëve tanë të mirë dhe të atyre që u merret fjala për bazë (dijetarëve). Ajo që dihet, është se; Sufijtë i konsiderojnë ilahitë si pjesë të fesë dhe e quajnë ndryshe “sema-dëgjim”. Në kohën tonë në të cilën janë shtuar grupet dhe partitë, ka ndodhur që çdo parti të ketë ilahi entuziazmuese nën emrin “ilahi islame”. Ky lloj emërtimi nuk është i saktë, dhe si rrjedhojë nuk lejohet posedimi i këtyre ilahive dhe as shpërndarja e tyre tek njerëzit.[7]


Hirësia e tij, myftiu i Arabisë Saudite: AbdulAziz ali Shejh: "Ilahitë islame nuk lejohen"

Pyetje: Cfarë gjykimi ka përplasja e duarve në dasma nga gratë, kur ato i shoqëron këndimi i ilahive islame?

Përgjigje: Së pari mund të themi se emërtimi i këtyre ilahive si “islame” dhe përdorimi në dasma nuk lejohet, sepse feja islame është feja e preokupimit dhe punës. Emërtimi “ilahi islame”, nuk është emërtim në vendin e duhur dhe njerëzit nuk duhet ti përdorin këto ilahi, sepse në to mund të ketë fjalë të Allahut duke u shoqëruar me duartrokitje. Përplasja e duarve e të tjera gjëra që mund ti shoqërojnë ilahitë, të gjitha këto bëjnë pjesë në moralet e Sufijve.

Në lidhje me idhujtarët, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Lutja e tyre pranë shtëpisë (Qabes) nuk ishte tjetër vetëm se britmë dhe duartrokitje.” Pra, duartrokitja e shoqëruar me ilahitë islame nuk lejohet, sepse në të vërtetë këto ilahi janë këngë dhe kjo gjë i mvishet islamit.[8]


Dijetari i madh, Hamud et Tuejxhiri: "Ilahitë islame nuk janë gjëra islame"


Në një nga librat e tij, ky dijetarë shprehet duke thënë: Vërtet, disa ilahi të cilat i praktikojnë shumica e nxënësve në ceremonitë dhe kampet verore duke i emërtuar si islame, duhet ta dimë se nuk janë gjëra islame. Ato janë përzier me këndime, dridhje të tepruara zëri dhe tinguj, të cilat të gjitha së bashku provokojnë ata që këndojnë dhe ata që dëgjojnë. Ato ftojnë në kërcim e largojnë nga përmendja e Allahut, leximi dhe meditimi në ajetet e Kuranit Fisnik, e shumë dije të tjera të dobishme.[9]

Ata që zgjedhin si paraardhës dhe shëmbëlltyrë Sufijtë e hershëm, sa gjë të keqe kanë zgjedhur për vetet e tyre.

Gjithashtu ka thënë: Ai që krahason këto ilahi me përdredhje zëri, me recitimet e sahabëve kur ndërtonin xhaminë e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) apo kur hapnin gropën e hendekut, apo e krahason me fjalët që sahabët u thonin deveve për të shpejtuar ecjen, le ta dinë se krahasimi i tyre është i gabuar. Sahabët nuk i recitonin poezitë duke përdredhur zërat, gjë e cila provokon këngëtarin dhe dëgjuesin, siç ndodh me nxënësit nëpër ceremoni dhe kampe verore.

Por përkundrazi, sahabët e kufizonin poezinë dhe e recitonin atë me zë të lartë. Nuk është transmetuar që ata të jenë bashkuar për të kënduar së bashku, siç veprojnë nxënësit në kohën tonë.

E mira më e madhe gjendet në pasimin e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe të shokëve të tij, ndërsa e keqja më e madhe qëndron në kundërshtimin e tyre dhe marrjes së shpikjeve që nuk i përkasin udhëzimit të tyre, madje as që janë njohur në periudhën e tyre.

Ato nuk janë gjë tjetër vetëm se shpikje e Sufijve, të cilët e konsiderojnë fenë si lojë e dëfrim. Eshtë përmendur se Sufijtë mblidheshin për të kënduar poezi me stërgjatje zëri dhe melodi muzikore për ta tepruar në lavdërimin ndaj Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Mblidheshin për atë që e quanin “dhikër-përmendje” edhe pse në realitet ishte tallje me Allahun dhe përmendjen e Tij. Ata që zgjodhën si paraardhës dhe shëmbëlltyrë Sufijtë e hershëm, sa gjë të keqe zgjodhën për vetet e tyre.[10]


Dijetari i madh, AbdulMuhsin el Abad: "Nuk duhet të merremi me ilahitë e as tu kushtojmë rëndësi atyre"


Në përgjigjen e një pyetjeje rreth ilahive, dijetari u shpreh duke thënë: Njeriu duhet ta mbushë kohën e tij me gjëra që i sjellin dobi në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai duhet të merret me përmendjen e Allahut, leximin e Kuranit dhe leximin e librave të dobishëm. Gjithashtu, duhet të lexojë poezi të cilat nxisin për morale të larta dhe sjellje të mira.

Përsa u përket ilahive që janë shfaqur kohët e fundit, të cilat realizohen duke u mbledhur grup e duke kënduar me zë melodioz, inçizohen e shpërndahen duke u marrë kohën shumë njerëzve, nuk duhet të merremi me to e as tu kushtojmë rëndësi. Qëllimi është që të përfitojmë njohuritë dobiprurëse, tu kushtojmë rëndësi pikërisht këtyre njohurive dhe të dëgjojmë gjëra të mira. Ndërsa mallëngjimi i zërave dhe kujdesi për ti dëgjuar këta zëra, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë e as nuk është e udhës.[11]


Dijetari i nderuar, Salih ali Shejh: "Ilahitë islame erdhën nga Ihuan el muslimin"


Pyetje: Në këtë kohë janë shtuar mjetet që ndihmojnë për thirrjen e njerëzve në fenë e Allahut të Madhëruar. Në disa prej këtyre metodave unë kam dyshim, e ato janë; teatri dhe ilahitë. A janë ato të lejuara?

Përgjigje: Ilahitë, ajo që di nga fjalët e dijetarëve tanë të cilëve u merret fjala në përgjigje, janë të mendimit se ato nuk lejohen. Ilahitë kanë ardhur nga Ihuan el musliminët, dhe dihet se në llojet e edukimit që ata përdorin janë edhe ilahitë.

Ilahitë përdoreshin në tarikatet e Sufijve, si metodë ndikuese tek ndjekësit e tyre. Ndërsa në kohët e sotme si mjet dhe metodë e re, ilahitë u futën edhe në këtë shtet (Arabinë Saudite) dhe u praktikuan në shumë gjëra. Në momentet e para kur u shfaqën këto ilahi, dijetarët thanë se nuk lejohen.

Në lidhje me “Tagbirin” të cilin e shpikën Sufijtë dhe që ngjason me ilahitë e sotme, imam Ahmedi ka thënë: Ato janë shpikje dhe përdoren për të larguar njerëzit nga Kurani. Sufijtë e quanin atë “dëgjim i lavdëruar”, i cili në të vërtetë nuk është i lavdëruar por i nënçmuar.[12]



[1] Mexhmuul Fetaua, vëll. 11, fq. 532.

[2]
 Mexhmuul Fetaua, vëll. 11, fq. 534.

[3]
 Mexhmuul Fetaua, vëll. 11, fq. 620.

[4]
 Marrë nga libri “Sqarime të dobishme rreth gjykimit të ilahive”, të autorit Abdullah Sulejmani,
libër të cilit dijetari Salih el Feuzan i ka kushtuar një parathënie.

[5]
 “Fetuatë e shejh Uthejminit” të përmbledhura nga Abdul Meksud, fq. 134.

[6]
 “Hytbet në minbere” të shejh Feuzanit, vëll. 3, fq. 184-185.

[7]
 Mexheletu ed Daueh, nr. 1632, e datës 7/11/1418 h.

[8]
 Mexheletu ed Daueh, nr. 1706, e datës 15/5/1420 h.

[9]
 “Ngritja e argumenteve për ndalimin e ilahive”, fq. 6.

[10]
 “Ngritja e argumenteve për ndalimin e ilahive”, fq. 7-8.

[11]
 “Fjalë të vlefshme rreth gjykimit të ilahive”, i autorit isam El Merij, fq. 70.

[12]
 Marrë nga kaseta me titull “Fetuatë e dijetarëve rreth të ashtuquajturave ilahi islame”, prodhim i studios “Minhaxhu Suneh” në Rijad.

Latest News