Hiqet neni që ndalon simbolet fetare në shkolla

22 April 2011 , Posted by artparadox at 1:25 PM

E premte 22 Prill 2011 
Hiqet pika 4 e nenit 36 të projektligjit të arsimit parauniversitar, që ndalon përdorimin e simboleve fetare në mjediset shkollore. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës në Shqipëri, vendimi është marrë pas propozimeve dhe konsultave të shumta me komunitetet fetare në vend.
Kjo pikë shkaktoi debate dhe reagime të forta, pasi sipas palëve të interesit, duhej të përcaktohej qartë se çfarë kishte parasysh Ministria e Arsimit me "simbole fetare". Që do të thotë se tashmë përdorimi i kryqit apo i një simboli tjetër fetar nuk do të jetë i ndaluar për nxënësit. Të njëjtat burime shpjegojnë se projektligji, është në procesin e përmirësimit në të gjithë kapitujt e tij, mbështetur në sugjerimet e shkollave, mësuesve, prindërve, institucioneve qendrore, grupeve të interesit, partnerëve të huaj dhe sapo të përfundojë, do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.
Ndërkohë që projektligji i ri i arsimit të lartë, pritet të këtë marrë formën ligjore shumë shpejt dhe viti i ri shkollor do të rregullohet pikërisht në bazë të këtij ligji për arsimin parauniversitar. Për herë të parë në këtë projektligj është përfshirë edhe statusi i mësuesit, i cili do ta vendosë figurën e arsimtarëve në një vend të pozicionuar mirë. /BalkanWeb/

Latest News