Tajip Erdogan kundër intervenimit të NATO-s në Libi

01 March 2011 , Posted by artparadox at 5:42 AM

Kryeministri i Turqisë Tajip Erdogan të hënën në mënyrë të vendosur kundërshtoi çfarëdo ndërhyrje të NATO-s në krizën Libisë, derisa po kritikonte fuqishëm vendet evropiane për “standardet e dyfishta” ndaj zhvillimeve në Afrikën e Veriut.

“Çfarë do të bëj NATO në Libi? Ndërhyrja e NATO-s në Libi as që duhet të diskutohet. Ne jemi kundër një gjëje të tillë”, tha Erdogan në një fjalim të mbajtur në një takim të organizuar nga Oda Turko-Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DT-IHK) në Hanover.
Të premten e kaluar, organi i lartë i vendim-marrjes të NATO-s tha se organizata nuk do të ndërhyjë në krizën libiane, por do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër. Këshilli i Atlantikut Verior, tha në një deklaratë se do të vazhdojë të monitorojë situatën “në koordinim me organizatat tjera ndërkombëtare” dhe “vazhdon të konsultohet në mënyrë që të jenë të përgatitur për çdo eventualitet.”
Të dielën, para më shumë se 15000 turqve të mbledhur në ISS Dome në Dyseldorf, Erdogan kritikoi edhe më ashpër bashkësinë ndërkombëtare për të njëjtën çështje, pa përmendur ndonjë vend të veçantë apo udhëheqës. “Ne nuk jemi nga ata që shohin vetëm naftë kur shikojnë Lindjen e Mesme,” tha Erdogan. “Ne nuk jemi nga ata që shohin të ardhurat e pafituara kur shikojnë Ballkanin. Ne nuk jemi një nga ata që shohim në Kaukaz, Azi dhe Afrikë vetëm interesin. Kjo është e gjitha ajo që ne themi: Ne themi demokraci, ne themi të drejta të njeriut, ne themi drejtësi, ne themi ligj dhe ne themi vlera ndërkombëtare,” tha Erdogan.
 “Çdo gjë që e themi për Bagdadin, ne e themi edhe për Darfurin. Çdo gjë që ne themi për Kajron, ne e themi të njëjtën gjë edhe për Tripolin,” tha ai, duke nënvizuar se kur ka të bëjë me çështjet e popujve të Lindjes së Mesme, qasja është me standarde të dyfishta.
“A është demokracia e drejtë vetëm për segmente të caktuara? Një person në Perëndim ka të drejtë për demokraci por është herët për personin në Lindje? Pse për ata që duan demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vendet që nuk kanë naftë heshtet, kurse për ato vende që kanë naftë rritet zëri? A nuk janë këto standarde të dyfishta? A nuk është kjo mungesë e sinqeritetit?” tha ai.
Në një fjalim televiziv kombëtar të hënën vonë, kryeministri Erdogan preku të njëjtën çështje dhe argumentoi se protestat gjithëpërfshirës në gjithë botën arabe janë të nxitura kryesisht nga “dëshira e popullit për më shumë liri dhe drejtësi.” Revolta popullore e janarit që përmbysi presidentin që sundonte kohë të gjatë në Tunizi frymëzoi kryengritjen në Egjipt dhe u pasua nga demonstrata masive kudo në botën arabe, duke përfshirë në Libinë, Bahrejnin, Jemenin, Omanin, Marokun, Kuvajtin, Algjerinë dhe Jordaninë.
Duke theksuar se këto protesta masive janë të shtyrë nga dëshira e njerëzve për më shumë liri, drejtësi dhe madje edhe shpërndarjen e drejtë të të ardhurave, Erdogan tha se Turqia miraton drejtimin që njerëzit e këtyre vendeve kanë nisur si i vetmi drejtim i drejtë dhe korrekt. /today's zaman/

Latest News