Këshilli koordinativ kundërshton shitjen e tokës së Xhamisë Burmali

20 March 2011 , Posted by artparadox at 1:43 PM


Këshilli koordinativ i organizatave joqeveritare për rindërtimin e Xhamisë Burmali, përmes një reagimi me shkrim ka kundërshtuar shpalljen e fituesit të tenderit për shitjen e tokës së këtij objekti fetar islam në sheshin e Shkupit
Sipas këshillit, kjo tokë është vakëf i Xhamisë Burmali, ndaj edhe nuk guxon t’i jepet askujt. ‘Këshilli koordinativ përkujton se Qeveria e Maqedonisë nuk i është përgjigjur apeleve dhe kërkesës që vendi i Xhamisë Burmali t’i ndahet poseduesit legal historik, Bashkësisë Fetare Islame”, thuhet në reagim. Më tej, Këshilli përkujton Qeverinë se kthimin e tokës në pronësi të BFI-së, duhet ta bëjë në procedurë të njëjtë siç ka vepruar me rastin e Kishës Ortodokse Maqedonase, e cila tanimë posedon tokën e vet në shesh. Këshilli koordinativ, gjithashtu në reagim i përkujton të gjithë faktorët politikë, se iniciativa për kthimin dhe rindërtimin e Xhamisë Burmali ka një rëndësi rajonale, ndëretnike dhe ndër-konfesionale.
Të premten e kaluar, Ministria e Transportit shpalli fituesin e tenderit që do të ndërtojë hotelin e stilit barok dhe Shtëpinë e Oficerëve në vendin ku dikur ka ekzistuar Xhamia Burmali. Tenderin e ka fituar miliarderi grek Dimitris Kondominas./alsat-m/

BFIM nuk do të lejojë që të ndërtohet asgjë mbi themelet e Burmalisë
Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM) nuk do të lejojë që mbi themelet e Burmali Xhamisë, ose vakëfit të saj të ndërtohet çfarëdo lloj objekti
Jakup Selimovski nga BFI thotë për “Lajm” se çdokush që do të tentojë të ndërtojë diçka mbi themelet e Burmali Xhamisë do të pengohet. “Kemi qenë kundër shpalljes së këtij tenderi dhe nuk e pranojmë zgjedhjen e investitorit. BFIM nuk do të lejojë që të ndërtohet asgjë mbi themelet e Burmalisë ose vakëfit të saj. Kushdo që nis të ndërtojë diçka, do të jetë i penguar nga besimtarët myslimanë”, thotë Selimovski.
Ai sqaron se askush, as nuk i ka pyetur apo informuar as për shpalljen e tenderit dhe as për shpalljen e fituesit të tij. “Rindërtimi i pallatit të oficerëve do të bëhet aty ku ka qenë, domethënë mbi Burmali xhaminë ose mbi hapësirën e Burmalisë. Ai vend është vakëf i BFIM-së dhe aty askush nuk mund të ndërtojë asgjë”, thotë Selimovski, duke shtuar se BFIM ka reaguar ashpër tek Ministria e Transportit që në momentin kur u shpall ai tender, ku ka qenë kusht se kush e ndërton hotelin, ndërton edhe shtëpinë e oficerëve.
BFIM do të informojë edhe investitorin grek, nëpërmjet Ambasadës së Greqisë në Shkup. “Do të reagojmë tek Ambasada e Greqisë, pasi investitori është grek, edhe tek ministria e Transportit edhe tek Qeveria e Maqedonisë. Më pas edhe tek partitë myslimane”, thotë Selimovski.
Ndërkaq, Ramadan Ramadani nga këshilli organizativ për rindërtimin e Burmali Xhamisë thotë se kush prek vakëfet i ndjek mallkimi. “Kushdo që ka bërë shitje ose keqpërdorim të truallit që është vakëf ka qenë gjithmonë vetë i dëmtuar. Kështu mund t’i ndodhë edhe Qeverisë së Maqedonisë, ku mund ti rrokë ndonjë cunam i Vardarit. Kush prek tokën e vakëfit e zë mallkimi”, thotë Ramadani. Ai thotë se çdo lloj ndërtimi ose shitjeje pa pronarin e vendit, në rastin konkret BFIM-së quhet “hesap pa hanxhi”.
Të premten, u shpall edhe fituesi i tenderit që do të ndërtojë hotelin e stilit barok dhe shtëpinë e Oficerëve. Tenderin e ka fituar miliarderi grek Dimitris Kondominas, si ofertuesi i vetëm./Lajmpress/

Latest News