Gjermani: Kërkohet mësim i fesë Islame në shkolla

15 February 2011 , Posted by artparadox at 10:31 AM

E marte 15 Shkurt 2011 12:45

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière (CDU) u ka kërkuar landeve që të fusin sa më shpejt të jetë e mundur mësimin e fesë myslimane si lëndë të rregullt në shkolla. Ky do të jetë një kontribut i rëndësishëm për integrimin dhe "imunizimin e efektshëm" kundër ekstremizmit, tha de Maizière në një takim të Konferencës Islame gjermane. Kushti kryesor për futjen e mësimit të fesë është partneriteti me një komunitet fetar mysliman, i cili mungon në Gjermani. Aktualisht rreth 700 mijë fëmijë myslimanë shkojnë në shkollat gjermane.
Gjermania fillon këtë vit me vendosjen e bazave për shkollimin e lartë të teologëve islamë. Duke filluar nga semestri dimëror në Tübingen, Münster dhe Osnabrück do të ngrihen qendrat për studime islame për shkollimin e mësuesve të fesë islame për shkollat si dhe për imamë. Ministrja federale gjermane e Arsimit, Annette Schavan prezantoi në Berlin rezultatet e procesit të përzgjedhjes për ngritjen e qendrave të tilla në Universitetet gjermane.
Deri tash në disa vende të Gjermanisë janë krijuar qendra, të cilat ofronin mësime për fenë islame. Ato shërbejnë për përgatitjen e mësuesve për lëndën e fesë islame dhe përcjelljen e zhvillimeve të planeve arsimore për këtë lëndë. Ngritja e themeleve për studime islame përbën një shtesë të rëndësishme dhe po ashtu bazë të mirë për zhvillimin e këtyre ofertave. Prandaj që në krye është provuar që të gjenden koncepte dhe vende të përshtatshme, që ato të lidhen me njëra-tjetrën, shkollimi i teologëve për lëndën e fesë islame në shkolla dhe studimet teologjike. /DW/

Latest News