Gjermanët: Intolerantë ndaj fesë islame

06 January 2011 , Posted by artparadox at 10:13 AM


Rreth 40% e banorëve të Gjermanisë apo të Francës e konsiderojnë fenë islame si rrezik për identitetin e tyre kombëtar.
Dy të tretat e francezëve dhe tre të katërtat e gjermanëve mendojnë se myslimanët nuk janë të integruar mirë. Këto janë përfundimet e një anketimi të zhvilluar në Francë dhe në Gjermani nga gazeta franceze "Le Monde" si dhe të një studimi të Universitetit të Mynsterit.
Gjatë vitit 2010 Universiteti i Mynsterit dhe Instituti për Demoskopi TNS Emid zhvilluan një anketim në Gjermani, Francë, Danimarkë, Holandë dhe Portugali. Sociologu Niels Friedrichs sqaron: "Përzgjedhja e këtyre pesë vendeve u bë në bazë të nivelit të ndryshëm të larmisë fetare të secilit vend. Në Gjermani p.sh. jeton një numër i madh myslimanësh dhe ne vërejmë një shtim të konflikteve kulturore dhe ndërfetare, kur është fjala p.sh. për ndërtimin e xhamive apo të mbajtjes së shamisë së kokës. Diskutime të tilla ka edhe në Francë, p.sh. në rastin e ferexheve, në Holandë kemi rastin e vrasjes së kritikuesit të fesë islame Theo van Gogh, kurse Portugalia u përzgjodh për kontrast, sepse aty nuk kemi atë larmi fesh që ndeshim në vende të tjera."

Vetëm 34% e gjermanëve kanë mendim pozitiv për myslimanët
Drejtuesi i studimit sociologu Detlef Pollack sqaron se: "Prej anketimit doli në pah se në krahasim me disa vendet e tjera evropianoperendimore të marra në analizë gjermanët janë shumë më intolerantë ndaj fesë islame dhe feve të tjera jo të krishtera. Po ashtu konstatuam se në krahasim me të anketuarit në vende të tjera, gjermanët janë më pak të gatshëm të lejojnë ndërtimin e xhamive të reja dhe të minareve."
Vetëm 34% e gjermanëve kanë mendim pozitiv për myslimanët. Në vendet e tjera evropiane kjo shifër është mbi 50% e madje deri në 60%. Nga ana tjetër përfundimet e analizave të anketave treguan sipas Pollack se gjermanët përpiqen të tregojnë edhe respekt ndaj bashkësive të tjera fetare dhe t'u lejojnë atyre në vende të caktuara lirinë e ushtrimit të besimit:
"Pra mund të thuhet se përfundimi është ambivalent - nga njëra ana shumë rezerva ndaj fesë islame, nga ana tjetër bëhen përpjekje për drejtësi dhe qëndrim fer."

Shkak për dallimet: denduria e kontakteve
Ekspertët mendojnë se shkaku për dallimet mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera lidhet me dendurinë e kontakteve të gjermanëve me të huajt. Sipas anketimit vetëm 40% e gjermanëve në perëndim dhe 16% e atyre në lindje thanë se kanë kontakt me myslimanë. Në Francë kjo shifër ishte 66%.
Në lidhje me frikën prej kërcënimit prej kulturave të huaja mes vendeve në të cilat u krye studimi, ka pak ndryshime. Rreth 70% e të anketuarve mendojnë se larmia fetare është shkak për konflikte në bashkëjetesën mes njerëzve dhe në këtë mes nuk është fjala vetëm për fenë islame.
Pollack thotë se është sociolog dhe nuk është e detyra e tij që të shtrojë kërkesa ndaj politikës, megjithatë, "është e rëndësishme që duhet bërë shumë për integrimin më të mirë të emigrantëve." /DW/

Latest News