Sheshi i Shkupit, 'uzurpohet vendi i Burmalisë'

25 November 2010 , Posted by artparadox at 12:20 PM


Rrethimi i vendit dhe para përgatitjet për punimet ndërtimore në sheshin e qytetit, në afërsi të Xhamisë Burmali, ka shqetësuar sërish besimtarët se mos vallë në vendin e xhamisë do të ndërtohet diçka tjetër. Komuna Qendër sqaron se aty do të ndërtohet një vendpushim për qytetarët, në qiell të hapur.
“Vendi në fjalë është rrethuar për punët përgatitore për ndërtimin e një objekti të hapur për pushim, që gjendet në afërsi të vendit të parashikuar për ndërtimin e Shtëpisë të Oficerëve, përkatësisht në pjesën e sheshit ‘Maqedonia’ dhe hapësirës gjelbëruese para parkingut të MEPSO-s. Shikoni projektin vizual “Shkupi 2014” dhe do t’ju bëhet e qartë se për cilin vend dhe objekt bëhet fjalë. Ky lloj objekti i hapur është parashikuar në planin detaj urbanistik dhe për momentin po bëhen përgatitjet për fillimin e punimeve ndërtimore.”
Ndërkohë Këshilli Koordinator i shoqatave joqeveritare për rindërtimin e xhamisë Burmali, përmes një reagimi edhe një herë fton partitë politike të shqyrtojnë iniciativën për kthimin e Xhamisë Burmali.
“Këshilli koordinator përshëndet mbështetjen e kësaj iniciative për rindërtimin e xhamisë Burmali, edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e sivjetmë për liritë fetare. Me këtë rast theksohet se Qeveria e Maqedonisë ende nuk i është përgjigjur kërkesave dhe apelit që vendi i Xhamisë Burmali t’i jepet poseduesit të saj legal historik, Bashkësisë Fetare Islame. Ne apelojmë sërish që kthimi i tokës të ndodhë në afat sa më të shkurtër kohor, sipas shembullit dhe kushteve nën të cilat iu dha KOM-it për ndërtim, tempulli i paralajmëruar.”
Xhamia Burmali u ngrit në sheshin e qytetit në vitin 1495. Në vitin 1925 ajo u rrënua nga pushtuesit serbë dhe në vend të saj u ndërtua shtëpia e oficerëve e cila u shkatërrua gjithashtu nga tërmeti i vitit 1963. /Alsat-m/

Latest News