Partitë e djathta të Evropës Perëndimore - kundërshtare të imigracionit

04 November 2010 , Posted by artparadox at 10:24 AM


Që nga Suedia në veri, e deri tek Italia në jug, politikanët e ekstremit të djathtë, me platforma kundër imigracionit, kanë dalë mirë në zgjedhjet e fundit në mbarë Evropën. Shumë prej tyre bënë fushatë kundër asaj që e quajnë “Islamizimi i Evropës”. Ndërsa tensionet shtohen në mbarë kontinentin, shumë analistë e vënë theksin tek kriza ekonomike si shkaktare të kësaj prirje të animit nga e djathta. Duke filluar nga sot e në ditët në vazhdim ne do të transmetojmë një seri materialesh mbi temën e imigracionit në Evropë. Do të flasim mbi gjendjen në Greqi, Itali, Gjermani, Angli e Francë.
Në shtator, kur partia demokrate e krahut të djathtë në Suedi fitoi për herë të parë vende në parlament, lëkundjet u ndjen përtej kufijve të Suedisë.
Ky vend, që shpesh është parë si modeli social evropian, duket se u kthye kundër imigrantëve të tij jo skandinavë që përbëjnë më pak se 5 përqind të popullsisë. Udhëheqësi demokrat ishte triumfator.
"Jemi të përgatitur të marrim përgjegjësitë dhe ma merr mendja se edhe partitë e tjera janë gjithashtu të përgatitura të marrin përgjegjësitë për vendin, pasi ky është qëllimi i zgjedhjeve."- thotë një demokrat.
Pasi dolën rezultatet, mijëra protestues marshuan kundër racizmit.
"Është një situatë e vështirë pasi unë jam rritur në një vend ku të gjithë përreth meje kanë qënë shumë tolerantë. Kjo është hera e parë që po përjetoj një gjë të tillë."
Por megjithë këtë ndjesi, partitë e ekstremit të djathtë, që janë kundër imigrantëve, vazhdojnë të fitojnë mbështetje në mbarë Evropën. Shumë, si Partia e Lirisë në Holandë, kanë fituar vota bazuar në platformën anti-islamit.
Geert Wilders, kreu i partisë, ka tani pushtet të konsiderueshëm në koalicionin qeverisës. Zëri i Amerikës foli me të para zgjedhjeve të qershorit.
"Nuk kam asgjë kundër myslimanëve, por besoj se Islami është një ideologji totalitare që është kundër lirisë sonë. Ne po luftojmë për lirinë në Holandë dhe Evropë dhe kjo është arsyeja që kemi këtë propozim."
Në Francë dhe në Itali, partitë e ekstremit të djathtë kanë fituar më shumë mbështetje në zgjedhjet e fundit. Në korrik Franca u bë një nga vendet e para evropiane të ndalonte perçet. Politikanët thanë se perçja bie ndesh me vlerat franceze.
Shumë analistë i gjejnë gjurmët e kësaj vale kundër emigracionit tek kriza ekonomike. Emigrantët fajësohen shpesh se çojnë në uljen pagash, u marin vendet e punës vendasve, apo për pagesat e asistencës nga shteti.
Historiania gjermane Juliane Schutterle beson se imigracioni do të jetë konflikti përcaktues i shekullit të 21-të.
"Mendoj se konflikti i ardhshëm nuk do të jetë ndoshta mes Lindjes dhe Perëndimit por debati mbi imigracionin dhe integrimin, veçanërisht me pakicën myslimane. Kjo është ajo që po diskutojmë në Evropë dhe Gjermani,"-thotë ajo.
Megjithë klimën politike, qindra mijëra imigrantë ende mbërrijnë çdo vit në brigjet e Evropës. Shumë zbulojnë se nuk janë aq të mirëpritur sa ç’do të shpresonin./voa/

Latest News