Davutoglu: Civilizimi perëndimor do të rrënohet

02 November 2010 , Posted by artparadox at 10:17 AM


Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë Ahmet Davutoglu, thotë se paradigma perëndimore i është afruar kufinjve të produktivitetit, njëjtë si në shek.XVI kur osmanët patën filluar të besonin në ‘përhershmërinë e shtetit’.
Davutoglu mendon se anëtarësimi i Turqisë në BE, do të ndikojë që Evropa duke u njohur me civilizimet e hershme, t’i vë në pyetje paradigmat e saj, e kjo do të krijonte plleshmëri të atmosferës intelektuale.
“Sot kemi arritur në një pikë që paradigma perëndimore dhe filozofia Iluministe, që qëndron prapa saj, e kanë thënë tashmë fjalën e tyre të fundit”- shprehet Davutoglu.
Ahmet Davutoglu, në një intervistë dhënë revistës “Turkish Review”, potencon se tezat që pretendojnë se civilizimi perëndimor ka krijuar një epërsi absolute, janë vetëm se iluzione.
“Të njëjtat iluzione i kishim vetë ne në kohën e Perandorisë Osmane kur besonim në ‘përhershmërinë e shtetit’”- thotë Davutoglu, i cili shton se ”Osmanët duke menduar se kishin arritur në sitemin shtetëror ideal, krijuan besim se do të sundonin deri në pafundësi. E kjo pati si rrjedhojë fundin e dinamizmit. Kjo i ngjason thënies së Fukujamës: ‘Ideologjitë kanë mbaruar. Njerëzimi arriti në sistemin më të avancuar-liberalizmin’”.
Davutoglu është i bindur se ky botëkuptim jo vetëm se është i gabuar, por përkundrazi pretendon se edhe vetë filozofia iluministe është duke kaluar nëpër një krizë të thellë.
Duke menduar se në një mjedis krize dhe kaosi do të nevojitet një etikë e re, e kjo do të krijonte hapësirë për paradigma të reja, prijësi i diplomacisë turke thotë: ”Turqia me kapacitetet e saja, ofron potencial të pashoq që të përmbushë nevojat intelektuale. Në dekadat e ardhshme nga Turqia duhet pritur një shpërthim konceptesh filozofike”.
E për ta arritur këtë, Davutoglu beson se Turqia duhet t’i rizbulojë rënjët e veta.
“Nuk flas për shfaqjen e identitetit Islam. Mendoj për vazhdimësinë e civilizimeve të hershme”- cek Davutoglu.
Davutoglu pretendon se 200 vjet pas përforcimit të sovranitetit të një civilizimi, faktorët e jashtëm mësynë qendrën e tij, dhe kjo përcaktoi një sistem të ri politik.
“Sistemi, në momentin që mbyllet në vetvete, është i destinuar të shkatërrohet. Kjo vlen edhe për Evropën. Ajo, ose do të shndërrohet në një sistem më të ngritur duke pranuar pjesëmarrjen e civilizimit Islam, Hindus dhe civilizimeve tjera të vjetra, ose do të fillojë të shembet. Kjo nuk nënkupton fundin e historisë por fundin e sundimit të Evropës”, theksoi Davutoglu.
Ai parasheh se në rast të anëtarësimit në BE, Turqia ka mundësitë e jetësimit të ringjalljes intelektuale. Ai parasheh se gjatë këtij procesi, në Evropë do të paraqiten sekte të reja me karakter më të fortë të krishterë.
Kryediplomati turk mendon se Turqia për të arritur suksese në procesin e globalizimit dhe zënien e vendit meritor në histori, duhet të bëhet letër lakmusi.
“Suksesi ynë në zgjidhjen e krizave sociale, kulturore e ekonomike dhe në marrëdhëniet lindje-perëndim e veri-jug, do të sjellë rezultate në procesin e globalizimit. Dështimi ynë eventual, do ta zhvendosë globalizimin në një rrafsh krejtësisht të gabuar dhe kjo do të mund t’i paraprijë një konflikti të thellë”- vazhdon ai.
“Koston e botimit të librit ‘Thellësia strategjike’ e pagova duke më bërë Ministër”
Në intervistën e bazuar në pikëpamjet filozofike të tij, ministri Ahmet Davutoglu, marrëdhënien e autorit të veprës ‘Thellësia strategjike’, që ribotohet për të 41-tën herë në Turqi, dhe ministrit të jashtëm aktual ja se si e shpjegon: “Duhet të paguaja një kosto pasi e shkrova “Thellësinë strategjike’. Në fillim e pagova si kryekëshilltar i kryeministrit, e tani si Ministër i Punëve të Jashtme”- përfundoi ai si me shaka.
Gazetari që e zhvilloi këtë intervistë vlerësoi se “para se Davutoglu t’a jetësonte librin e tij, vetë libri e bëri Ministër atë”.

Burimi i artikullit: Turkish ReviewYeni SafakTimeturk

Latest News