HISTORIANËT ; E kemi fabrikuar Greqinë e lashtë

15 October 2010 , Posted by artparadox at 10:22 AM


Një grup historianësh të njohur mbajtën një konferencë shtypi në fillim të kësaj jave tek National Geographic Society, për të deklaruar se e kanë "fabrikuar krejtësisht" Greqinë e lashtë, një kulturë që prej një kohe të gjatë mendohej se ishte baza intelektuale e qytetërimit perëndimor.
Grupi pranoi se ideja e një shoqërie të sofistikuar dhe në lulëzim që ekzistonte në Greqi më shumë se dy mijëvjeçarë më parë ishte e gjitha një sajesë e krijuar nga një ekip prej dhjetëra historianësh, antropologësh dhe klasicistësh që punuan pa ndërprerje në periudhën mes viteve 1971 dhe 1974 për të "krijuar" dokumente dhe sende "greke".
"Sinqerisht, asnjëherë nuk e mendonim që gjërat do të shkonin kaq larg", deklaroi Profesor Gene Haddlebury, i cili është ofruar që të japë dorëheqjen nga pozicioni i tij si kryetar i Studimeve Helenistike në Universitetin e Georgetown. "Ishim të rinj dhe përpiqeshim të çonim përpara karrierat tona, kështu që nisëm të sajojmë: Homeri, Aristoteli, Sokrati, Hipokrati, leva dhe boshti, retorika, etika, të gjithë llojet e kolonave - gjithçka. Sigurisht shumë më tepër gjëra nga sa do të kishte qenë në gjendje të krijonte një qytetërim i vetëm".
Sipas Haddlebury, ideja e sajimit të një kulture të lashtë erdhi kur ai dhe akademikë të tjerë kuptuan se nuk e kishin fare idenë se çfarë kishte ndodhur në fakt në Europë në periudhën 800 vjeçare përpara epokës së krishterë. Të frustruar nga hendeku që ekzistonte në të dhënat dhe duke parë që arkeologët nuk po ndihmonin aspak, ata ua paraqitën problemin kolegëve që në atë kohë ishin duke u përpjekur për të gjetur një mënyrë për të shpjeguar gjëra të tilla si astronomia, kartrografia dhe demokracia.
Brenda pak orësh u lind qytetërimi më i madh dhe më me ndikim i të gjithë kohëve. "Një natë, dikush bëri shaka dhe tha sikur të marrim të gjithë këto ide, t'i bëjmë bashkë dhe të themi që grekët kishin bërë gjithë këto 2000 vjet mëparë", tha Haddlebury. "Kështu rodhën gjërat njëra pas tjetrës dhe pa e kuptuar as vetë ne mbërritëm tek gjithçka, që nga përpjestimi i drejtë e deri tek Iliada".
"Dhe meqë ra fjala, ishte një tmerr i vërtetë ta shkruaje atë", vazhdoi ai, duke iu referuar poemës epike që besohet se ka hedhur themelet e traditës letrare të Perëndimit. "Por gjithësesi, na eci".
Përreth të njëjtës kohë, një kurator në institutin Smithsonian kërkoi ndihmën e Haddleuryt: Muzeu kishte marrë një donacion të majmë për të krijuar një ekspozitë mbi botën e lashtë "por faktikisht nuk kishte shumë gjëra për të vendosur aty". Historianët iu futën menjëherë punës, duke falsifikuar me shpejtësi prova të një qytetërimi që - i plotësuar me poetët dhe filozofët e tij, perënditë dhe heronjtë - do të bëhej më vonë pika qendrore e librave shkollorë, arsimit në kolegje dhe fushave të tëra të shkencave njerëzore.
Emily Nguyen-Whiteman, një prej akademikeve të reja, shpjegoi se e gjithë arkitektura e lashtë greke bazohej në ndërtesa në Uashignton, duke përfshirë edhe një bankë që ndodhej matanë rrugës përballë kafenesë ku "ata ishin mbledhur për të rrahur idetë mbi mitologjinë e të tjera si këto".
"Zgjodhëm Greqinë, sepse kuptuam se askush nuk do të shkonte atje dhe të kontrollonte", tha ajo. "E keni parë ndonjëherë atë vend? Është si një varr i braktisur i mbushur me mace". Ajo shtoi: "Por, ishte e pashmangshme që njerëzit të fillonin të kërkonin nga këto gjëra 'të lashta' dhe pa kaluar shumë kohë u gjenda në Athinë gjatë gjithë verës duke ndërtuar Partenonin për të fshehur gjurmët".
Nguyen-Whiteman pranoi se asaj iu ngarkua edhe detyra që të ndryshonte dokumentet që varionin nga Biblat e hershme deri tek shkrimet e Tomas Xhefersonit, për të pasqyruar një ndikim të Greqisë së lashtë - një detyrë që përfshinte gjithashtu krijimin, nga hiçi, të një gjuhe të bazuar në greqishten moderne dhe që mund të kapërdihej me lehtësi si paraardhësja e saj e lashtë.
Historianët u thanë gazetarëve se dise prej ideve të ashtuquajtura greke ishin në fakt të huazuara nga romakët. Por për të tjerat ata thanë se ishin ide që i kishin sajuar vetë. "Gjeometria? Ishte gjithçka ide e Kevin", tha Haddlebury, duke iu referuar ish-studentit të sapodiplomuar në atë kohë, Kevin Davenport. "Ai djalë ishte i papërmbajtshëm në ato kohë. Në fakt, po ta mendosh sot mësojnë gjeometrinë Davenportiane në shkollat e mesme, që sigurisht e quajnë gjeometria Euklidiane".
Në një deklaratë ku shprehen se kërkojnë falje për këtë gënjeshtër të madhe me temë lashtësinë, historianët shprehën shpresën se vepra e tyre do të mbijetojë për meritë të vet. "Do të ishte turp të shihnim njerëzimin të braktiste arritje të tilla si heliocentrizmi dhe veprat e Eskilit, vetëm për shkak të origjinës së tyre", thuhej në deklaratë. "Veç kësaj, kemi disa gjëra zhgënjyese për t'iu thënë në lidhje me piramidat, veprat e Leonardo Da Vincit, penicilinën, internetin, metodat shkencore, filmat dhe qentë"./Bota sot/

Latest News