Evropa jotolerante

14 October 2010 , Posted by artparadox at 8:53 AM


“Nata e errët e fashizmit gjithmonë ka qëndruar mbi Shtetet e Bashkuara, por zbriti vetëm në Evropë”, tha Tom Volf në vitin 1965 dhe kështu është edhe sot.
Komentatorë të ndryshëm kanë pohuar së fundmi se kundërshtimi i shumë amerikanëve ndaj propozimit për ndërtimin e qendrës islamike, dy blloqe nga vendi ku ndodhej Qendra Botërore e Tregtisë, paraqet fanatizëm fetar dhe paranojë.
Por, nëse ndonjë vend është i pllakosur nga fanatizmi në rritje, ai nuk është Amerika, por Evropa, kontinenti ku mirëqenia e shteteve dhe pacifizmi admirohen aq shumë nga liberalët amerikanë.
Vitin e kaluar, rreth 60 për qind të zviceranëve votuan për të ndaluar ndërtimin e minareve, të gjitha minareve, gjithkund, jo vetëm afër vendit ku u kryen sulmet terroriste.
Në Belgjikë, Dhoma e Ulët e Parlamentit e miratoi Ligjin për ndalimin e ferexhesë në publik, i cili tash pret miratimin në Senat.
Në Francë, ndalesa e tillë u bë ligj javën e kaluar, pas ngecjes në Gjykatën Supreme. Megjithëse ka arsye legjitime për ndalesat e tilla, një pjesë e mbështetjes së tyre vjen nga fanatizmi anti-mysliman.
Në vitet e fundit, e djathta ekstreme dhe partitë kundër imigrantëve kanë bërë shumë punë në mbarë Evropën. Në Suedi, nacionalistët ‘Demokratët Suedezë’ hynë në parlament muajin e kaluar, për të parën herë nga themelimi i partisë në vitin 1988.
Në Britaninë e Madhe, partia e ekstremit të djathtë, Partia Kombëtare Britanike, fitoi pothuaj trefish më shumë vota se në zgjedhjet e vitit 2005, ndërsa siguroi edhe dy ulëse në Parlamentin Evropian.
Në Austri, Partia e Lirisë, që fillimisht drejtohej nga Jorg Haider, i cili fliste për nazistët, fitoi 17.5 për qind të votave në vitin 2008.
Në Francë, Fronti Kombëtar i Zhan Mari Le Pen, i cili e ka vënë në pikëpyetje ekzistimin e dhomave të gazit të nazistëve, doli i dyti në zgjedhjet presidenciale më 2002, duke hyrë në balotazh me presidentin Zhak Shirak.
Tash, e djathta ekstreme mund të rritet në Gjermani, ku ligjet mbi lirinë e shprehjes dhe pragjet parlamentare janë mbajtur jashtë Bundestagut.
Një sondazh i agjencisë DPA tregon se 20 për qind e votuesve mund të mbështesin një parti anti-myslimane, mjaft sa për të hyrë në parlament.
“Rënia e ulëseve parlamentare në duart e ekstremistëve paraqet tundjen më të madhe në politikën e Evropës që nga rënia e komunizmit”, shkroi Denis MekShejn në “Newsweek”.
MekShejn është anëtar laburist i Parlamentit britanik dhe më herët shërbeu si ministër për Evropën.
Evropianët nuk i shohin shtrembër vetëm myslimanët, por edhe hebrenjtë, të cilët pothuaj u zhdukën nga kontinenti 60 vjet më parë. Sondazhi më i fundit i “Pew Global Attitude” tregon se 50 për qind e spanjollëve kanë qëndrime të pafavorshme për hebrenjtë.
Ky antisemitizëm u nënvizua së fundmi nga Komisionari për Tregti i BE-së, Karel De Guht, i cili tha se “as me hebrenjtë e moderuar nuk është lehtë të kesh diskutim racional se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme”.
Pra, kur liberalët amerikanë i kritikojnë homologët e tyre konservatorë si fanatikë që duan të imponojnë fashizmin në Shtetet e Bashkuara, ata e harrojnë atë pjesë të Perëndimit, ku vërtet ka mbetur nostalgjia për fashizmin.
Cilido që ka udhëtuar nëpër Evropë, e di se imazhi, si shembull i progresit dhe i diversitetit etnik dhe fetar, është vetëm fabrikim në mendjen e liberalëve amerikanë.
Liberalët amerikanë, të cilët nuk e përfillin fanatizmin evropian, ma kujtojnë sugjerimin tallës të skenaristit gjerman, Bertold Breht: “A nuk do të ishte më lehtë për qeverinë që ta shpërndajë popullin dhe të zgjedhë një tjetër”.
Gjatë debatit për xhaminë, shumica e amerikanëve treguan se janë të aftë t’i respektojnë mospajtimet. Janë përsëri evropianët ata, nga impulset e errëta të të cilëve duhet të kemi frikë. /Wall Street Jornal / Express/

Latest News