Bakllavaja e Ramadanit dhe Hallva e Rexhepit

08 October 2010 , Posted by artparadox at 10:14 AM


Mirëpo mesa duket sheqeri i bakllavave të Ramadanit helmoi gjakun dhe mendjet e shumë njerëzve anti-shqiptarë. U helmuan sepse ato janë mësuar me rolin pasiv të hoxhës në shoqërinë civile
Uskut në gjuhën arabe vjen si formë urdhërore për heshtje, ndërkohë që tek ne shqiptarët i përafrohet emrit të një prej qyteteve me popullsi më të madhe shqiptare, Shkupit. Në fakt heshtja do të na bënte të gjithëve mirë. Do të na pasuronte me flori sepse heshtja është urtësi dhe pasuri…Nëse nuk di të heshtësh nuk di as të flasësh, thotë populli. Ah or popull, sa gjëra thuhen në emrin tënd ndërkohë që ti gjithmonë ke heshtur!.  Shqiptaret e humbën urtësinë e Heshtjes kur fjala Uskub u zëvendësua me fjalën Skopje. Në terminologjinë gjuhësore shqipe fjala Skopje do të thotë plasje e gomës së makinës. Në fakt Maqedonasit na e plasën surratit për shumë vjet por ne prapë heshtëm. Sepse ne shqiptarët gjithmonë mundohemi t’ia përplasim njëri tjetrit fjalët ose sjelljet.
Duke parë ngjarjen në xhaminë Isa Beg normalisht të vjen keq në plan të parë kur shikon të rinj që godasin me grushte duke dale jashtë çdo konteksti të islamit. Të vjen keq ku papritmas xhamia bëhet arenë gladiatorësh në ditën e xhuma. Kjo gjendje e mjerueshme e jona padyshim se ka nevojë të rregullohet dhe të përmirësohet.
Kjo ngjarje, shumë prej njerëzve u ka bërë përshtypje dhe shumë prej tyre kane dalë në konkluzione qe do ti paraqes në vijim të shkrimit.
Konflikti i xhamisë Isa Beg lindi për shkak të një mosmarrëveshje midis Myftinisë së Shkupit dhe të Imamit Ramadan Ramadani. Myftinia e Shkupit si organ hierarkik ka shkarkuar nga detyra hoxhën Ramadan Ramadani. Është e ligjshme apo jo shkarkimi do i kthehemi më vonë por më parë na shqetëson kjo mënyrë funksionimi e bashkësisë fetare të Maqedonisë.

Imam Ramadan Ramadani një teolog shqiptar në viset e Maqedonisë magjepsi të gjithë shqiptarët me nismën e tij qytetare për ndërtimin e xhamisë Burmali. Një nismë qytetare që përveç shpërndarjes së bakllavave mori hov dhe atdhetar për të gjithë shqiptarët që mendojnë që një shtet multifetar dhe nacional si Maqedonia duhet të dijë të respektojë të drejtat e të gjithë komuniteteve.
Me bakllavat në duar Hoxhë Ramadani i kërkoi në mënyrë paqësore shtetit nacionalist maqedonas që të respektojë dhe të balancojë të drejtat e komuniteteve fetare. Mirëpo mesa duket sheqeri i bakllavave të Ramadanit helmoi gjakun dhe mendjet e shumë njerëzve anti-shqiptarë. U helmuan sepse ato janë mësuar me rolin pasiv të hoxhës në shoqërinë civile. Me teologë servile që dinë vetëm të tundin tespihet ndërkohe që duhet të mbartin në supet e tyre përgjegjësitë dhe drejtimin e popullit.
Kur një hoxhë del si lëvizje qytetare për të kërkuar të drejtën e tij legjitime për të drejtuar popullin drejt zgjimit për një padrejtësi, fytyrëzinjve u nxihen zemrat dhe mendjen.
E ku ka më bukur se një hoxhë që drejton një lëvizje qytetare duke shpërndarë bakllava. Dhe ku ka më turp për një institucion që jo vetëm që hesht por dhe shpërndan helm.
Bashkësia Islame e Maqedonisë me vendimin e saj për shkarkimin e Hoxhë Ramadan Ramadanit tregoi dhe njëherë se sëmundja e diabetit tek hipokritet, dyfytyrëshit, spiunët, servilët dhe sahanlëpirësit e posteve është e veçantë kur bëhet fjalë për hoxhallarë që shpërndajnë bakllava.
Kush që shkaku që një hoxhë shkarkohet nga një xhami mbas një nisme qytetare për të ndërtuar në qendër të Shkupit një xhami në vendin e saj të dikurshëm. Ndërkohë që maqedonasit ndërtojnë kishën ortodokse, shqiptarët heshtin. U desh energjia e Bakllavasë së Ramadanit që ti zgjoj këto shqiptarë nga gjumi për të kërkuar dinjitetin e tyre të cunguar dhe për t’i kthyer shqiptaret në faktorë aktivë të shoqërisë maqedonase. Boll vuajtën me vite nën gjenocide dhe padrejtësitë e skllevërve. Nëse Marrëveshja e Ohrit nuk iu dha atë që iu takonte atëherë pse keni frikë nga një cope bakllava.
Në shoqërinë Islame shqiptare hoxhallarë që shpërndajnë bakllava e marrin nisma qytetare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve ose besimtareve janë gjithmonë të mirëpritur dhe të vlerësuar, dhe sigurisht të rrallë, ndërsa kollarexhitë e karrigeve që i mbajnë çallmat e
mëdhaja në kokë ndërkohë që brenda i kanë bosh sjellin në zemrat e shqiptarëve përçmim dhe zhgënjim ndaj rolit të klerikut në shoqërinë shqiptare.
Kulisa dhe Agjentë të UDB-së që mbajnë poste të larta në Bashkësitë Islame që natën u bëjnë muslimaneve shiringa qetësuese mbushur plot me hipokrizi dhe dyftyrësi, që paralizojnë ecurinë dhe zhvillimet e shoqërisë islame. Që na mpinë mendjen me opiumin e tyre paqësor dhe tolerant në kurrizin e Islamit dhe myslimaneve apo të ndonjë individi që di të veshi kollare dhe di të mbajë çallme por nuk di që të prijë konsekuencave që sjell realiteti ynë i sotëm për ta zhvendosur shoqërinë islame nga një shoqëri brenda mureve të xhamisë në një shoqëri që suportohet dhe integrohet me të gjithë mjedisin që e rrethon. Duke u bërë kështu një luftëtarë kundër pasivitetit dhe që kërkon të ngrejë principet dhe identitetin e saj human ndaj botës së padrejtësive.

Kur presidenti i Amerikës Obama vendos që të ndërtohet një xhami në rrënojat e kullave binjake atëherë pse maqedonasit pengojnë Xhaminë Burmali të ndërtohet në vendin e saj të dikurshëm dhe për këtë marrin mbështetjen e institucioneve të bashkisë fetare të Maqedonisë. Pse jo ndoshta i kanë dhënë dhe ndonjë urdhër me shantazh agjenturor për pushimin nga detyra të Imamit Ramadan Ramadani.
Sfida sot është e dyfishtë sepse nëse dikur përballeshin me sfidën e pushtetit politik dhe mosbesimit të tij laik por që ndërkohë ishin të udhëhequr nga instuticione islam dashëse. Sot ndodh një fenomen tjetër përveç sprovave të pushtetit politik të institucioneve shtetërore përballemi dhe me servilizmin, hipokrizinë e institucioneve të cilat na i kanë vendosur si një çallme bosh për të na komanduar ndërgjegjen tonë fetare.
Pra sot neve na godasin me dorën tonë brenda llojit. Sepse kjo lloj mënyrë është shumë e dëmshme sidomos për shqiptarët. Sepse të sulmojnë me dorën tënde është më e rëndë se të sulmojnë me duart e veta. Kjo lloj paralize që na ka kapluar dhe ky lloj realiteti kërkon prej nesh angazhim dhe shpërndarje bakllavash. Të dështojnë të gjithë ato që bëhen pjesë e skenarëve të servilizmit dhe hipokrizisë. Të gjithë ato që shesin gjakun e myslimanit, nderin dhe dinjitetin e tij për postet dhe që në vend që të ëmbëlsohen me bakllavanë e Islamit shkojnë dhe derrkohen më falni darkohen me hallvën e shejtanit.
Geri BEGOLLI, Tiranë

Latest News