Tundimi, vehabi i shqiptarëve

27 September 2010 , Posted by artparadox at 1:48 PM


Gjatë kësaj vere, në të katër anët e hapësirës shqiptare, është njoftuar rreziku vehabi. Në Shkup ky rrezik është identifikuar tek imami i shkarkuar i xhamisë Isa Beg dhe opinionisti i gazetës "Koha e Re", Ramadan Ramadani.
Në Kosovë, imami i një xhamie, që është kërcënuar në telefon nga një zë anonim, ngul këmbë se nuk mund të vërë gishtin asgjëkund, por e shpjegon kërcënimin si përgjigje ndaj asaj që ai quan qëndrimet e tij anti-vehabiste, si edhe ndaj prezencës së flamurit amerikan në tavolinën e tij.
Në Shqipëri, kreu i Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH), Selim Muca, i deklaruar si mbrojtës i Islamit tradicional prej rrezikut vehabi, është paditur për vehabizëm në prokurori nga opinionisti i gazetës "Sot", Kastriot Myftari.
Gjithë këto akuza e kundërakuza, disa prej të cilave kanë tërhequr edhe vëmendjen e shtypit të huaj, jo vetëm nuk na bëjnë të ditur se çfarë është rreziku vehabi, çfarë natyre dhe çfarë lloj aktiviteti ka ndër shqiptarë, por në të kundërt vetëm sa mjegullojnë kuptimin e fenomenit që kinse synojnë të demaskojnë, një mjegull që vetëm sa dendësohet nga diskursi global për një nga lëvizjet fetare sa më të debatuara, aq edhe më pak të studiuara në botë.
Në Kosovë, asociimi i kërcënimit ndaj imamit me Vehabizmin shpjegohet me deklaratat e imamit Bekim Jashari rreth shamisë së femrave myslimane, edhe pse ai që identifikohet si qëndrimi vehabi ndaj shamisë, siç dihet prej çdo studiuesi të Islamit, është qëndrimi i të gjitha shkollave ortodokse të Islamit, përfshi shkollën tradicionale të shqiptarëve, Henefizmit.
Kjo ndodh në kontekstin e një debati në shoqërinë kosovare mbi të drejtën e arsimimit në shkollat publike të besimtareve myslimane me shami, i cili reflekton debate të ngjashme që nga Franca në Siri, nga Belgjika në Turqi, të cilat dukshëm nuk janë të lidhura me vehabizmin.
Në fakt, ka mjaft indikacione se ata që më së shumti do meritonin emrin vehabi në Kosovë, janë ngritur dhe kundër protestave të myslimanëve ndaj ndalimit të shkollimit të femrave me shami.
Të frymëzuar nga ideali i mospërfshirjes në politikë, një karakteristikë kyçe e vehabizmit tradicional, ata kanë denoncuar si herezi protestat e myslimanëve të Kosovës ndaj ndalimit të vajzave me shami në shkolla.

Në Shkup, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman ef. Rexhepi, duket të ngrejë si pikën qendrore të argumentimit të tij kundra rrezikut vehabi, aktivizimin e imam Ramadanit si zëdhënës i një nisme prej më se shtatëdhjetë organizatave fetare dhe jofetare, që kërkojnë rishqyrtimin e planit qeveritar për rindërtimin e qendrës së Shkupit.
Plani i ri parashikon ndërtimin e disa objekteve të kultit, por jo të një xhamie, edhe pse i vetmi objekt fetar origjinal në qendër, ka qenë xhamia e njohur si Burmalie.
Në Maqedoni, ku dallimet fetare janë të ngritura gati në të njëjtat linja si ndasitë etnike, kërkesa për rishqyrtimin e planit "Shkupi 2014" dhe për rindërtimin e Burmali Xhamisë tejkalojnë kërkesat fetare dhe reflektojnë shqetësimet mbi mungesën e elementit shqiptar, dhe dëmin mbi trashëgiminë kulturore të periudhës osmane në fizionominë e Shkupit, shqetësim që këto ditë e ka ngritur në gazetën "Shqip" edhe shkrimtari Kim Mehmeti.
Ndërkohë, qeveria maqedonase ka lënë të nënkuptojë se ka hyrë në afera me Bashkësinë Islame për këto çështje, por Bashkësia Islame e ka të vështirë të pranojë këtë gjë përpara besimtarëve që përfaqëson, për shkak të sensiteteve të përfshira.
Në Tiranë, në padinë për vehabizëm, kundra KMSH - së, Kastriot Myftari argumenton padinë e tij me faktin se ezani nga xhamitë shqiptare thirret në arabisht dhe kjo gjë, sipas tij, së bashku me ngritjen e minareve nuk lejohet as në Amerikë.
Ezani nga minaret në Shqipëri është thirrur në të njëjtën gjuhë qindra vjet para se të ekzistonte vehabizmi, dhe në New York, ku unë banoj, ka të paktën dy minare të ngritura nga shqiptarët dhe ezani është i pranishëm në shumë lagje të qytetit.
I akuzuari Muça, në anën tjetër, ka akuzuar më parë për vehabizëm të gjithë ata besimtarë nga xhamitë e vendit që e kanë akuzuar për korrupsion në shitjen e pronave të KMSH - së, ashtu si dhe ata që kanë protestuar kundër procedurave të rizgjedhjes së tij në post.
Nga gjithë sa thamë më sipër, ku mund të identifikojmë vehabizmin në këto ngjarje e debate? A është vehabizmi i këtyre debateve fenomen fetar, apo vegël retorike e grindjeve të brendshme mes myslimanëve dhe të gazetarisë së dorës së tretë? Nëse është kështu, kujt i drejtohet kjo retorikë?
Kreu i Bashkësisë Myslimane të Maqedonisë, Sulejman ef. Rexhepi, kërkon që në këto grindje brenda myslimanëve të ndërhyjë shteti.
Duke shënuar kundërshtarin si rrezik shoqëror dhe kombëtar, duke e quajtur atë vehabi, kërkohet që shteti dhe opinioni publik të lëshojë peshën e mbështetjen së vet pro njërës palë dhe kundër palës tjetër. Rasti i Shqipërisë na shërben si ilustrim konkret.
Në marrëveshjen e vitit 2008, mes shtetit dhe KMSH - së, në pikat 1 dhe 3, shteti jo vetëm hyn në një marrëveshje që e obligon atë të njohë validitetin e një shkolle teologjike kundër të tjerave, por dhe të mbrojë dhe mbështesë KMSH kundër sjelljeve që KMSH do t\'i konsiderojë si deformime fetare.
Paradoksi qëndron se shteti sekular shqiptar merr përsipër të shërbejë si një lloj policie teologjike dhe si një lloj barriere mbrojtëse e KMSH - së kundra besimtarëve që supozohet se përfaqëson.
Gjithë ky ethos teologjik u shpalos një vit më vonë kur shumë besimtarë ju drejtuan shtetit ligjor dhe gjykatës për të ndaluar shkeljet e procedurës zgjedhore të KMSH -së, si dhe ju drejtuan opinionit publik me dokumente që ata pretendonin, që, sipas tyre, vërtetojnë korrupsionin në shitjen e pronave të Komunitetit.
Por shteti ndërkohë kish marrë përsipër të mbronte KMSH -në dhe i qëndroi marrëveshjes, qoftë duke rrëzuar kërkesën në gjykatë, apo duke vendosur policë të mbronin zgjedhjet e KMSH - së nga besimtarët që protestonin jashtë Medresesë së Kavajës.
Siç raportonte gazeta Panorama në atë kohë, dy kandidaturat e tjera brenda mbledhjes shprehën bindjen se as nuk meritonin të qëndronin si kandidatë përpara z. Muca. Përjashta dhomës së zgjedhjeve, imami kavajas, Xhaferr Shkodra, nga të paktët imamë të mbijetuar nga koha e para komunizmit, i quante zgjedhjet bolshevike.
Retorika e rrezikut vehabi është reflektim i konflikteve të brendshme të myslimanëve praktikantë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, por që synon përfshirjen e shtetit dhe gjithë shoqërisë në një palë kundër palës tjetër. Kjo retorikë e rrezikut vehabi, e majmur me imazhe globale të fanatizmit dhe ekstremizmit fetar, e bën të pamundur kuptimin e mirëfilltë të vehabizmit si fenomen fetar.
E megjithatë vehabizmi nuk është vështirë për t\'u studiuar. Promovuesit e tij kanë qenë tejet aktivë në përhapjen e ideve të veta.
Por edhe për ata jo-ekspertë, që nuk kanë njohuritë mbi studimet islame dhe gjuhën arabe për të studiuar fenomenin, gjenden një numër i mirë studimesh në gjuhë perëndimore.
Historiani David Commins ka bërë një nga studimet më të mira mbi vehabizmin, por pa i kushtuar mjaft vëmendje ndikimit të vehabizmit jashtë Arabisë Saudite.
Studiuesja e Universitetit "Georgetown" në SHBA, Natana J. Delong - Bas, ka bërë një studim të imët të ideve të themeluesit të lëvizjes, edhe pse puna e saj nuk është mjaftueshëm kritike.
Një nga kontributet e rëndësishme të veprës së saj, sidomos e lexuar së bashku me studimin e francezit Stephane Lacroix, është se vënë në dukje se dhuna ideologjike që ka buruar nga Arabia Saudite këto kohë më shumë se reflektim i vehabizmit është reflektim i krizës së tij.
Duke qenë se Vehabizmi ka kundërshtuar përherë revoltën politike kundra regjimeve në fuqi, dijetarët vehabi janë parë si "dijetarë oborri" nga një pjesë e mirë e rinisë së radikalizuar dhe kjo ka sjellë humbje në autoritetin fetar të vehabive.
Së bashku me punën në progres të Bernard Haykel rreth rrjetit botëror të dijetarëve vehabi, këto studime janë kontribute të rëndësishme në kuptimin e këtij fenomeni kompleks fetar.
Në Shqipëri, Piro Misha, duke thirrur në ndihmë literaturën perëndimore në librin e tij "Arratisja nga Burgjet e Historisë" ka bërë një përpjekje më serioze, por gjithsesi reduktuese e tejet thjeshtëzuese, të diskutimit mbi vehabizmin.
Misha duket të sugjerojë se të gjitha manifestimet publike të devocionit, si shamia apo rritja e mjekrës, janë manifestime të vehabizmit, se gjithë shqiptarët që kanë kryer shkolla fetare në Lindjen e Mesme apo Gjirin Persik janë vehabinj, dhe se aktiviteti vehabi i këtyre shqiptarëve është i motivuar nga presioni ekonomik. 
Studimi i të gjitha lëvizjeve fetare transnacionale na tregon se është e nevojshme që literaturën ekzistuese teorike ta ballafaqojmë me "etnografi" sociale lokale, sepse shumë nga këto lëvizje transformohen në varësi të lokalitetit ku gjenden.

Një studim i tillë i lokalizuar do të tregonte se përgjithësimet e tepruara anojnë lehtë drejt karikaturave, e nuk na lejojnë të kuptojmë rëndësinë e ideve fetare për pasuesit e tyre, e as nuk na lejojnë të kuptojmë kompleksitetin e shfaqjeve sociale të ideve të lëvizjeve moderne fetare.
Bazuar në punën time kërkimore, do sugjeroja se në Shqipëri kemi të bëjmë me vehabizëm të transformuar (më saktë "selefizëm" të transformuar, pasi termi i parë mbart ngarkesë stigmatizuese) . Imamët shqiptarë që kanë studiuar në Universitetin e Medinës në Arabinë Saudite, i kanë mbajtur mësimet e teologjisë së "vehabizmit" , mënyrën si mendohet për Zotin, por kanë përqafuar qëndrime të kundërta nga mësuesit e tyre në Universitetin e Medinës në vlerësimin e traditës fetare shqiptare dhe të angazhimit në jetën sociale dhe politike.
Imami Ahmed Kalaja i deklaronte reporterit të revistës amerikane Slate në 2009, se ai jo vetëm që u mëson besimtarëve shkollën tradicionale Hanefi, por dhe është duke përkthyer një nga tekstet themelore të kësaj shkolle në gjuhën shqipe.
Edhe pse qëndrimi dominant i mësuesve në Universitetin e Medinës është kundër angazhimit politik, sidomos pjesëmarrjes në zgjedhje, shumica dërrmuese e këtyre imamëve u kanë bërë thirrje besimtarëve për pjesëmarrje në procesin demokratik, duke i vlerësuar këto çështje, siç thotë Kalaja, në bazë të kontekstit shqiptar.

Së fundi, vehabizmi, si çdo fenomen që ndodh në shoqëri, mund të studiohet dhe kuptohet, por kjo kërkon metoda të mirëfillta studimore, dhe jo retorika sherresh për pushtet brenda llojit, gazetari opinioni, apo politika identitare.

Latest News