Protestë masive kundër ndalimit të shamisë 18.06.2010

18 June 2010 , Posted by artparadox at 10:01 AM

Mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës u mblodhën në Prishtinë për të protestuar kundër vendimit për ndalimin e shamisë në shkollat e mesme, nën organizimin e rreth njëzet organizatave.
Masa e protestuesve filloi marshimin para Qeverisë së Kosovës, duke vazhduar më pas para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke shprehur revoltën, me ç’rast përfaqësues të zgjedhur nga organizatorët kërkuan konsultim të drejtpërdrejtë nga zyrtarët e ministrisë. Pas një konsultimi të shkurtër, zyrtarë nga kjo ministri thanë se ministri Hoxhaj është jashtë vendit në një udhëtim zyrtar dhe se s’mund të japin përgjigje. Organizatorët morën premtimin nga zyrtarë të kësaj ministrie se pasi të kthehet ministri, do të realizojnë një takim për çështjen e kësaj kërkese.
Ndërsa, për një fjalë rasti, me dëshirën e saj u prononcua edhe një qytetare amerikane, Dr. Rachel Louise Matiennez, aktiviste e një misioni humanitar në Kosovë, e cila tha se shpreh përkrahjen e saj për të drejtat e nxënësve që bartin shaminë, ngase qeveria nuk mund të imponojë se çka duhet të veshin qytetarët e saj.
Protestuesit më pas, vazhduan rrugën për te Kuvendi Komunal i Prishtinës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre, duke kërkuar edhe një konsultim me zyrtarët komunalë, nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur nga organizatorët. Por edhe kjo kërkesë, pas një konsultimi të shkurtër përfundoi pa përgjigje konkrete, ngase kryetari Isa Mustafa ishte jashtë vendit.
Në fjalën e rastit organizatorët thanë se kjo është një shkelje e të drejtave themelore, dhe se shteti me këtë na mohon të shfaqim identitetin tonë.
Në këtë protestë u shpreh kundërshtimi rreth udhëzimit administrativ të nxjerrur nga MASHT që ndalon nxënëset të bartin uniformë fetare – mbulesë.
Thirrjet dhe parullat e ngritura ishin me mesazhe kundër vendimit në fjalë me mbishkrimet: “Ka mbaruar koha e komunizmit”, “Jemi krenarë që jemi shqiptarë e myslimanë”, etj.
Protesta përfundoi e qetë, me premtimin nga ana e organizatorëve se, nëse edhe pas realizimit të takimit me zyrtarë të MASHT-it dhe të Kuvendit Komunal nuk hasin në përgjigje pozitive, protesta e radhës do të jetë e një niveli më të lartë.



Latest News