Protestë në përkrahje të nxënëses së përjashtuar

07 May 2010 , Posted by artparadox at 10:52 AM

Në shenjë revolte dhe kundërshtimi ndaj vendimit të drejtorit të shkollës së mesme teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj, për përjashtimin e nxënëses Arlinda Zeka për shkak të bartjes së mbulesës islame, sot në Prishtinë u mbajt një protestë paqësore.
Protesta, e organizuar nga OJQ “Alternativa Rinore” nga Ferizaj dhe e përkrahur nga të rinj dhe studentë tjerë, që filloi nga ora 14:00 në sheshin kryesor të kryeqytetit, vazhdoi përgjatë sheshit deri te parlamenti, dhe më pas duke u ndalur para objektit të ri të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Brohoritjet e masës së përbërë nga shumë nxënës, studentë dhe qytetarë të tjerë, përgjatë tërë rrjedhës së protestës, si dhe parullat e ngritura, përmbanin mbishkrime si: “Të kthehet Arlinda në shkollë”, “Në vitin 1999 ka mbaruar përjashtimi nga shkolla”, “Ka mbaruar koha e komunizmit”, etj.
Në emër të organizatorit foli edhe kryetari OJQ-së “Alternativa Rinore” i cili mbrojti parimin e të drejtës për shkollim pa dallim, mbështetur në konventat ndërkombëtare.
Kështu përfundoi edhe kjo protestë, që ishte edhe një thirrje kundër diskriminimit, jo vetëm të Arlinda Zekës gjatë këtyre ditëve, por edhe të sa e sa nxënëseve tjera të përjashtuara nga shkolla veç pse bartin shaminë.

Raporton: Blerim Halili, Prishtinë

Latest News