Kisha në Shkup, ndërsa xhamia në Llazhec!

08 May 2010 , Posted by artparadox at 4:59 AM

Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) po bëhet gati që më 3 qershor, ditën e Shën Konstandinit dhe Helenës, të vendosë edhe gurthemelin e kishës me të njëjtin emër në sheshin e Shkupit. Para një jave ata veç më kanë marrë nga Qeveria 10 milionë euro, gjoja nga denacionalizimi. Meqë kisha në sheshin e Shkupit ishte pjesë e fushatës së VMRO-DPMNE-së, kjo është forma perfide që e kanë gjetur për ta ndërtuar kishën pa marrë përgjegjësinë për një gjë të atillë.
Në ndërkohë, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM), duket se e ka zbutur qëndrimin e mëparshëm se në momentin që do të vendoset gurthemeli i kishës, do të vendoset edhe gurthemeli i Burmali Xhamisë. BFIM të mërkurën ka vendosur që megjithatë të marrin pjesë në Konferencën botërore për dialog ndërfetar.
“Për momentin po merremi me përgatitjet për pjesëmarrje në Konferencën botërore për dialog ndërfetar dhe ndër civilizues që do të mbahet në Ohër”, tha për “Lajm” zëdhënësi i BFI-së, Abaz Islami. Ai sqaron se me Qeverinë janë marrë vesh për ndërtimin e xhamisë në fshatin Llazhec të Manastirit si dhe për rikonstruimin e xhamisë së Prilepit. “Duke marrë parasysh se me këtë akt filloi zgjidhja e kërkesave të aktualizuara nga BFI, kreu i BFI, Sulejman ef. Rexhepi me një grup të bashkëpunëtorëve të tij do të jetë pjesë e Konferencës botërore për dialog ndërfetar dhe ndër civilizues e cila do të mbahet në Ohër”, thotë ai. Ndërkaq, Burmali Xhamia nuk ka qenë pjesë e Marrëveshjes së arritur mes Qeverisë dhe BFI-së.
Nga ana tjetër edhe Këshilli koordinativ për rindërtimin e Burmali Xhamisë nuk mundet të bëj diçka, përveç manifestimit kulturor që planifikohet të mbahet më 13 maj.
“Ne jemi shoqata joqeveritare dhe përkrahim gjithçka që bëhet në mënyrë ligjore. Rindërtimin e Burmali xhamisë asnjëherë nuk e kemi lidhur me ndërtimin e kishës, pasi dëshira për rindërtimin e kësaj perle ka qenë e kamotshme dhe nuk ka lindur në momente politike si puna e kishës”, tha Ramadan Ramadani, nga Këshilli koordinativ.
Kisha në Sheshin e Shkupit ishte pjesë e fushatës së VMRO-DPMNE-së, por meqë Maqedonia është shtet sekular dhe në këtë mënyrë shteti favorizonte një fe, atëherë qeveria e Nikolla Gruevskit gjeti një mënyrë ligjore për ta ndërtuar këtë Kishë. Ia shiti me një çmim simbolik KOM-it tokën në qendër të Shkupit dhe e la në dorë të saj ndërtimin e kishës. Për 1 525 metra katrorë tokë, në pjesën më atraktive të qytetit, KOM, pagoi vetëm 44 225 euro. Në ndërkohë dërgon 10 milionë euro në kasën e KOM-it, gjoja për denacionalizim, duke financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërtimin e kishës.

Latest News