Francë: Kabineti miraton ndalimin e ferexhes

20 May 2010 , Posted by artparadox at 10:48 AM

Kabineti francez ka miratuar Ligjin për ndalimin e plotë të mbulimit të fytyrës me ferexhe, që shihet si hapi i parë i ndalesës së tillë në vendet publike.
Vendimi vjen një muaj pasi ligjvënësit në Belgjikë u bënë të parët në Evropë që votuan për ndalesën e ngjashme.
Hapi u ndërmor përkundër paralajmërimeve nga ekspertët, të cilët thonë se ndalesa e këtillë mund të përballet me sfidime ligjore.
Ligji kundër rrobave që mbulojnë trupin dhe fytyrën, të njohura si burka apo nixhab, thotë se “askush nuk mund të mbajë veshje që e mbulojnë fytyrën në vende publike”, përfshirë shërbime publiket dhe në rrugë.
Duke iu drejtuar kabinetit francez, presidenti Nikolas Sarkozi tha se ndalesa e tillë është e domosdoshme për të ruajtur dinjitetin e grave dhe për të riafirmuar parimet republikane të Francës.
Por, legjislacioni i miratuar nga kabineti është kundërthënës.
Një grua me origjinë algjeriane, e identifikuar si Naxhet, tha se ajo, më shumë se një dekadë, e mban ferexhen, e cila ia lë vetëm sytë zbuluar.
Duke folur për agjencinë Reuters, ajo e akuzoi Qeverinë se po ia kufizon liritë.
“Kur dëgjoj ‘Francë, liri, barazi, vëllazëri’, kjo është një gënjeshtër e madhe. Ndjej sikur të jem në një diktaturë”, tha ajo.
Ligji parasheh dënime prej 150 eurosh për shkelësit e tij dhe mundësisht ndjekje të orëve të qytetarisë.
Çdokush që do të detyrojë ndonjë grua të mbajë vello të tillë, mund të dënohet deri me një vjet burg dhe 15 mijë euro gjobë.
Presidenti Nikolas Sarkozi e filloi procesin për ndalimin e ferexhes vitin e kaluar, kur tha se veshjet e tilla “nuk janë të mirëseardhura” në Francë.
Legjislacioni i propozuar nga qeveria konservatore tash duhet të shkojë në Asamblenë Kombëtare, apo në Dhomën e Ulët të Parlamentit, në muajin korrik, ndërsa në shtator në Senat. Teksti mund të plotësohet gjatë procesit.
Në qoftë se miratohet, ligji nuk do të mund të hyjë në fuqi para gjashtë muajve, me qëllim që t’i shpjegohet opinionit.
Nëse propozimi i Qeverisë shndërrohet në ligj, ai me siguri se do të përballet me sfida ligjore.
Autoriteti më i lartë administrativ në Francë dy herë e ka vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e një ndalese të tillë në vende publike. Këshilli i Shtetit paralajmëroi se nuk sheh mënyrë të hapur për të zbatuar ligjin pa e sfiduar ligjërisht.
Duke i mospërfillur paralajmërimet e këtilla, Qeveria e merr përsipër sanksionimin e mundshëm nga Këshilli Kushtetutes, i cili vendos për kushtetutshmërinë e ligjeve.
Disa anëtarë të partisë në pushtet thonë se po të ndodhë kjo, atëherë duhet të mbahet referendum.
Dalil Bubakur, njëri nga autoritetet më të larta fetare në Francë, kreu i xhamisë së Parisit, shprehet i kujdesshëm për nevojën e ndalesës.
“Mendoj se është e qartë se kjo është çështje e ndjeshme dhe se nuk ka ndonjë arsye të madhe, e cila implikon këtë lloj ndalese në një fushë ku ndalesat e tilla rrezikojnë të sfidohen”, thotë Bubakur.
Vlerësohet se Franca ka 5 milionë myslimanë, më së shumti në Evropë. Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 1.900 gra myslimane mbajnë ferexhe që mbulon fytyrën, por jo sytë.
Legjislacione të ngjashme po shqyrtohen edhe në Holandë, Austri dhe Danimarkë.

Latest News